Shërbimi Korrektues njofton se zyrtari me COVID-19 është dërguar në izolim
Më 22 prill, udhëheqësi i Trajnimeve në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ka rezultuar pozitiv me COVID-19.
Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton se i njëjti është liruar nga detyra dhe është vendosur në vetizolim.
“Në funksion të lokalizimit të infeksionit dhe parandalimit të përhapjes së Covid 19 në Qendrën Korrektuese Dubravë menjëherë ka filluar gjurmimi i kontakteve të të gjithë zyrtarëve korrektues në këtë qendër”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.
Katër zyrtarë të tjerë, të cilët kanë qenë në kontakt me të, u janë bërë testet dhe të katër këta zyrtarë kanë rezultuar negativë.
Dhjetë raste të reja me COVID-19 në Shqipëri
Autoritetet në Shqipëri kanë njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar edhe 10 raste me koronavirusin e ri.
Zëvëndësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha se 9 të infektuar janë në Tiranë dhe 1 në Shkodër.
Sipas saj, numri i përgjithshëm i personave me COVID-19 në Shqipëri është 736.
"Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 12 pacientë duke e çuar numrin e të shëruarve në 422 ose 57,3 për qind të numrit të të gjithë të infektuarve", tha ajo.
Deri më sot (27 prill) në Shqipëri 28 pacientë kanë humbur betejën me COVID-19.
Në Shërbimin Infektiv janë të shtruar 29 pacientë ndersa 7 prej tyre janë në kujdes intenziv.
Rritet numri i viktimave në Spanjë
Të hënën, Spanja raportoi për 331 viktima të reja nga koronavirusi. Kjo shifër shënon një rritje të numrit, karahasuar me një ditë më parë, kur ishin raportuar 288 viktima.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve të shkaktuara nga sëmundja COVID-19 ka arritur në 23.521.
Pas Shteteve të Bashkuara, Spanja është vendi i dytë në botë që është goditur më së shumti nga koronavirusi i ri.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 209.465.
Arrin në 60 numri i të vdekurve nga COVID-19 në Bosnje dhe Hercegovinë
Bosnje dhe Hercegovina ka regjistruar edhe një vdekje nga koronavirusi i ri.
Bëhet fjalë për një burrë tetëdhjetë e një vjeç, i cili ka pasur edhe sëmundje tjera.
Kjo është vdekja e 26-të në entitetin e Republikës Serbe, dhe e 60-ta në Bosnje dhe Hercegovinë.
Autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë kanë njoftuar se deri më tani, 1516 njerëz janë infektuar me koronavirusin e ri ndërsa 624 janë shëruar.