Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
09:36 27.4.2020

Prishtinë: Një pacient me COVID-19 në gjendje kritike

Klinika Infektive e Kosovës, ka njoftuar se një pacient me COVID-19 është në gjendje kritike.

Mjekja, Sadije Namani, ka njoftuar se pacienti është duke u trajtuar me ventilim mekanik.

Nga 57 rastet që janë të shtruar në këtë klinikë, sipas saj, 55 raste janë me COVID-19.

Prej tyre, 45 raste janë në gjendje stabile, ndërsa 9 raste janë në trajtim me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.

Deri më tani në Kosovë janë regjistruar 763 raste me koronavirusin e ri, 21 persona kanë vdekur ndërsa 166 janë shëruar.

09:31 27.4.2020

Kryeministri britanik kthehet në punë

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, do të kthehet në punë të hënën, një muaj pasi u diagnostikua me koronavirus dhe u shtrua në njësinë e kujdesit intenziv në një spital në Londër.

Ministri i Jashtëm, Dominic Raab, i cili e zëvendësoi kryeministrin, tha se Johnson po "përgatitej për punë".

Kthimi i tij vjen në kohën kur janë shtuar kritikat ndaj qeverisë për mungesë të testimeve dhe mjeteve mbrojtëse për punëtorët e Shërbimit Shëndetësor.

Ministrat e qeverisë britanike janë nën presion edhe për përgatitjen e një plani të zbutjes së masave të izolimit.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, pritet që këtë javë të nxjerrë planet për të lehtësuar masat e marra për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins, në Mbretërinë e Bashkuar janë të konfirmuar 154,037 raste të të infektuarve me koronavirusin e ri.

Mbi 20 mijë pacientë kanë vdekur nga sëmundja COVID-19.

09:00 27.4.2020

Tuzi-Nushi: Mbyllja në shtëpi e pasiguria ekonomike, faktorë të dhunës në familje

Të gjitha të dhënat nga institucionet e Kosovës tregojnë se muajve të fundit ka rritje të rasteve të dhunës në familje. Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtoresha e UN Women Kosova, Vlora Tuzi-Nushi. Ajo thekson se bashkë me Ministrinë e Drejtësisë, Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera, dhe me familjen e agjencive të Kombeve të Bashkuara po ofrojnë mbështetje për personat e prekur nga dhuna.

Intervistën e plotë mund ta lexoni në këtë link.

08:32 27.4.2020

Bota po lehtëson masat e izolimit

Një numër vendesh në botë kanë njoftuar lehtësime të kufizimeve për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Në ndërkohë numri i të infektuarve nga koronavirusi në botë është rreth 3 milionë me rreth 206,000 vdekje.

Ekzistojnë dyshime për raportime të dyshuara të numrave, testime të kufizuara dhe infeksione asimptomatike, madje edhe fshehje të qëllimshme nga disa qeveri.
Më së shumti dyshime ka për Kinën dhe raportimet nga atje, të nxitura pjesërisht nga akuzat ndaj qeverisë, për të cilën thuhet se fillimisht u përpoq të fshihte shtrirjen e shpërthimit të virusit.

Vendi me 1.4 miliardë njerëz regjistroi vetëm tre raste të reja të koronavirusit më 27 prill dhe nuk ka raportuar vdekje të reja për 12-të ditë me radhë.

Numri i të infektuarve në këtë vend është rreth 83,000 dhe i vdekjeve 4,633, sipas të dhënave zyrtare.

Në vendet perëndimore, numri i vdekjeve ka treguar shenja të rënies derisa masat e izolimit gradualisht po lehtësohen, për të rihapur ekonomitë e rrënuara.

Në Shtetet e Bashkuara, vendi më i goditur në botë me afro 1 milion raste të konfirmuara dhe më shumë se 55,000 vdekje, një grup shtetesh kanë përgatitur plane për këtë javë për të lehtësuar kufizimet e koronavirusit, pasi papunësia është rritur.

Italia njoftoi se do të lehtësojë masat e izolimit, por autoritetet paralajmëruan se distancimi fizik dhe mbajtja e maskave të fytyrës do të mbesin në fuqi.
Ky vend do të rihapë disa biznese të vogla dhe ato prodhuese gjatë kësaj jave.

Italia ka numrin më të madh të vdekjeve nga COVID-19 në Evropë - më shumë se 26,000.
Edhe Franca, Gjermania dhe Belgjika kanë paralajmëruar lehtësim të masave.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG