Ndërlidhjet

Tuzi-Nushi: Mbyllja në shtëpi e pasiguria ekonomike, faktorë të dhunës në familje


Vlora Tuzi-Nushi.
Vlora Tuzi-Nushi.

Të gjitha të dhënat nga institucionet e Kosovës tregojnë se muajve të fundit ka rritje të rasteve të dhunës në familje. Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtoresha e UN Women Kosova, Vlora Tuzi-Nushi. Ajo thekson se bashkë me Ministrinë e Drejtësisë, Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera, dhe me familjen e agjencive të Kombeve të Bashkuara po ofrojnë mbështetje për personat e prekur nga dhuna.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Tuzi-Nushi, rastet e dhunës në familje raportohet të kenë shënuar rritje në muajt e fundit. Cilat janë të dhënat tuaja?

Vlora Tuzi-Nushi: UN Women, sikurse edhe të gjitha institucionet, bazohet në të dhënat që i marrim nga Policia e Kosovës, duke qenë se ne, kemi një partneritet tash më 20-vjeçar me Policinë e Kosovës, posaçërisht në ndërtimin e kapaciteteve, me theks të veçantë në dhunën në familje, dhunën seksuale gjatë luftës e të tjera.

Ne, vazhdimisht jemi në kontakt dhe i marrim të dhënat nga ata për të pasur gjithashtu qasje në analiza dhe raportime, që pastaj ne i përgatisim për Kosovë dhe të cilat gjithashtu shërbejnë për raporte rajonale dhe në nivel global.

Në tre muajt e fundit, ashtu siç e thatë edhe ju, nuk e dimë se kjo a është për shkak të COVID-19, por duke qenë se praktikat globale kanë treguar se ka rritje të dhunës për 30 për qind.

Në izolim, dhuna në familje në rritje
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:53 0:00

Siç duket ky trend po përcillet edhe në Kosovë. Nga të dhënat e policisë, tremujori i parë i 2019, në krahasim më tre muajt e parë të vitit 2020, ka një rritje prej 98 rasteve.

Por, ajo çka ne frikësohemi është se gratë dhe vajzat të cilat janë të mbyllura në katër muret e shtëpisë me abuzuesin, janë duke menduar se mos institucionet kanë prioritet të tjera siç janë shëndeti, siç është situata e krizës gjatë pandemisë e të tjera dhe mund të mendojnë që nuk do të marrin përgjigjen emergjente në rast se ato janë viktimë e dhunës në familje.

Radio Evropa e Lirë: Rritja e këtyre rasteve po ndërlidhet edhe me masën e qëndrimit në shtëpi, me izolimin...

Vlora Tuzi-Nushi: Pasiguria ekonomike në fakt, duke e ditur se nuk di se si do të dalim të gjithë nga kjo situatë. e posaçërisht nga aspekti ekonomik, pastaj mbyllja e shkollave, mbyllja në shtëpi, natyrisht që e rrit stresin për secilin nga ne.

Dhe duke e ditur gjithashtu edhe nga pandemitë e tjera më herët që kanë shpërthyer në vendet e tjera, gjithmonë ka pasur rritje të dhunës në familje edhe pas pandemisë, gratë dhe vajzat përveç gjatë pandemisë edhe pas pandemisë gjithmonë janë më të goditura, sepse varfëria ekonomike gjithashtu ndikon tek ato më se shumti. Në shumicën e rasteve ka ndodhur eksploatimi seksual dhe mënyra të tjera të abuzimit dhe përfitimit nga gratë dhe vajzat.

Prandaj, edhe ne si UN Women, jemi duke ndërmarrë të gjitha masat që përveç në situatën emergjente në të cilën jemi, në koordinim të ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë, Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera, por bashkë me familjen e agjencive të Kombeve të Bashkuara të jemi gati të ofrojmë mbështetjen tonë, asistencën tonë për strehimoret, gjithashtu që ato të jenë të gatshme të pranojnë më shumë raste në rast se ka ngritje.

Por, njëkohësisht jemi në fazën e draftimit të një kornize të ndihmës në disa fusha në mënyrë që edhe pas COVID-it edhe pas pandemisë të jetë një riintegrim më i lehtë dhe të ketë më shumë mbështetje për gratë dhe vajzat, sidomos në aspektin ekonomik.

Radio Evropa e Lirë: Cila është ndihma juaja tash për tash që ju ofroni për viktimat e dhunës në familje?

Vlora Tuzi-Nushi: Para disa dite, bashkë me agjencitë e Kombeve të Bashkuara, ne hartuam listën esenciale të pranuara nga strehimoret, në koordinim të ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë. Do të thotë, aty përfshihen gjëra ushqimore e higjienike, veshmbathje dhe pajisje teknologjike për fëmijët që të mund të përcjellin mësimin online. Pajisjet teknike e higjienike tashmë janë siguruar dhe janë duke u shpërndarë një pjesë e tyre.

Mandej, bashkë me Ministrinë e Shëndetësie dhe United Nations Population Fund [UNFPA] është siguruar një konvikt emergjent për rastet e dhunës të cilat duhet të kalojnë në fazën e karantinimit edhe aty jemi momentalisht duke i siguruar gjërat esenciale bashkë me veshmbathje dhe çarçaf, në mënyrë që të jenë të gatshme për pranimin e rasteve.

Pra, kjo është ndihma emergjente që jemi duke e ofruar. Gjithashtu me Ministrinë e Drejtësisë në bazë të ekspertizës që ka UN Women, jemi duke mbështetur hartimin e protokollit emergjent të pranimit të rasteve të dhunës në familje në mënyrë që të mos shkojnë apo të mos humbin kohë sipas protokollit ekzistues, në rast se ka ngritje edhe më të madhe të lajmërimit të rasteve të dhunës në familje, e të tjera.

Kjo është ajo që kemi bërë në fazën e parë, që është kryesisht t’i pajisim strehimoret me çdo gjë që ato kanë nevojë në rast se do të ketë ngritje të ndjeshme të rasteve të dhunës në familje.

Radio Evropa e Lirë: Është dëgjuar shpesh këto ditë se thirrja popullore “Rri në shtëpi” nuk është zgjidhje për viktimat e dhunës. Cila është zgjidhja për to, çka duhet bërë shteti konkretisht në këtë drejtim?

Vlora Tuzi-Nushi: Po, pra ky është edhe qëllimi i fushatës që ne e nisëm para disa ditësh, që thjesht që përmes liderëve më të lartë institucionalë, duke falënderuar kryeministrin, ministren e Drejtësisë, ministrin e Shëndetësisë dhe ministrin e Punëve të Brendshme. Ata kanë dalë me video-mesazhe duke i ftuar të mbijetuarat e dhunës që të raportojnë (rastet) dhe për t’i bindur ato që institucionet janë duke funksionuar normalisht, sikurse në kushtet normale dhe se çdo thirrje për ndihmë do të ketë përgjigje. Gjithashtu ministrja e Drejtësisë në mesazhin e saj thotë që pavarësisht periudhës së pandemisë edhe dhunuesit do të dënohen.

Prandaj, për ne ky ishte edhe qëllimi kryesor i fushatës që vet bartësit e institucioneve, ata që ofrojnë shërbime për qytetarët, në fakt të japin mesazhet të ato të cilat mendojnë se nuk mund të gjejnë përgjigje. Pra, thjesht që ato të binden që nëse janë në telashe dhe nëse kanë nevojë për ndihmë, t'i thërrasin tre numrat të cilët janë venë në dispozicion 24 orë, shtatë ditë në javë për të pranuar thirrjet.

Radio Evropa e Lirë: Në fakt, dhuna në familje, në Kosovë është përcjellë shumë herë edhe me debate mbi mungesën e reagimit nga autoritetet. Ku mendoni se qëndron problemi?

Vlora Tuzi-Nushi: Gjithmonë ka perceptime të ndryshme, varësisht nga cila perspektiv e shikon. Unë mendoj se ka përparime të ndjeshme në ofrimin e shërbimeve emergjente të rasteve të dhunës në familje. Gjithashtu ne kemi kontribuar në mënyrë që të përmirësohet kjo, bashkë me Ministrinë e Drejtësisë është zhvilluar tani më për herë të parë në rajon data-baza e integruar e rasteve të dhunës në familje. Është rast unik, ende asnjë vend afër nuk e ka, ku policia, shërbimi social, prokuroria dhe gjyqësia kanë të njëjtën qasje. Do të thotë, i fusin të dhënat për një rast të dhunës në familje, në një sistem dhe përmes këtij sistemi, përveç të dhënave për viktimën, ata gjithashtu do të gjurmojnë ku qëndron rasti dhe ku ka ngecur rasti, në rast se nuk është proceduar më tutje deri në gjykim. Dhe ne shpresojmë shumë që analizat, që veç ka filluar Ministria e Drejtësisë t’i nxjerrë nga data-baza, do të ndikojnë edhe më mirë në përmirësimin e procedimit të rasteve të dhunës në familje, në mënyrë që sa më shpejt ato të marrin përgjigje institucionale.

XS
SM
MD
LG