Ndërlidhjet

“Rri n’shpi” nuk bën punë për viktimat e dhunës në familje


Disa aktiviste për të drejtat e grave mbajnë në duar fotografi të viktimave të dhunës në familje. Foto nga arkivi.

Jo gjithkujt i përshtatet fjala “Rri n’shpi”, e cila së fundmi është shndërruar në thirrje popullore, në kuadër të përpjekjeve për të luftuar sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

Të dhënat e fundit flasin për një numër më të madh të rasteve të dhunës në familje në Kosovë, posaçërisht në muajin mars të këtij viti. Viktimat janë kryesisht gratë.

Në këtë muaj kanë nisur së zbatuari masat emergjente dhe nga qytetarët është kërkuar që të mos dalin nga shtëpitë, për të penguar përhapjen e virusit.

Policia e Kosovës thotë se gjatë muajit mars janë raportuar 169 raste të dhunës në familje.

“Në tremujorin e parë të këtij viti janë evidentuar rastet si në vijim: në janar 161 raste, në shkurt 151 raste dhe në mars 169 raste të dhunës në familje”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Luljeta Demolli, drejtore ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, u bën thirrje autoriteteve të Kosovës që të ofrojnë më shumë mundësi raportimi të dhunës.

“Duhet t’iu bëjmë apel institucioneve të Kosovës, që të jenë më vigjilente dhe të shpërndajnë sa më shumë numra të linjave telefonike, por edhe të gjejnë mënyra që grave t’iu ofrohet qasje më e lehtë te policia”, thotë Demolli.

“Dihet që në disa vende më të izoluara, siç janë fshatrat, është shumë e vështirë për gratë të përdorin telefonin dhe ta raportojnë dhunën, e po ashtu është shumë e vështirë për to të shkojnë në një stacion policor”, thotë Demolli, duke nënvizuar këtu si pengesë mënyrën se si janë hartuar masat e izolimit në Kosovë.

Në izolim, dhuna në familje në rritje
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:53 0:00

Këto masa lejojnë daljen nga shtëpitë për vetëm 90 minuta, në orar të diktuar nga qeveria, në bazë rotacionit që përcaktohet me numrat e fundit të letërnjoftimit të qytetarëve.

“Jo çdo gruaje i bën mirë ajo fjala ‘Rri n’shpi’ për arsye se e izolon dhe kontrolli mbi të është edhe më i madh”, thotë Demolli, duke e cilësuar ambientin e përgjithshëm në Kosovë me tendencë dhune ndaj gruas.

“Shumë shpesh dëgjojmë se ‘një shuplakë në fytyrë nuk është asgjë’ dhe kjo na bën me dije që kemi dhunë”, thotë Demolli.

Udhëheqësit e institucioneve në Kosovë thonë se kanë rritur masat e mbrojtjes për viktimat e dhunës në familje, duke shtuar kapacitetet në qendrat e strehimit për këto viktima.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se buxheti për strehimore është shtuar në vlerë prej 900 mijë eurosh.

“Qeveria është duke i shikuar format për shtimin e numrit të programeve kundër dhunës në familje, çfarëdo forme që merr ajo: fizike, psikike apo seksuale”, ka thënë Kurti.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se janë vendosur në dispozicion tre numra të veçantë telefoni që pranojnë thirrje 24 orë në ditë.

“Qëndrimi në shtëpi, rritja e stresit dhe pasiguria kanë shënuar rritje të rasteve të raportuara të dhunës në familje kudo në botë, por edhe në Kosovë. Të jesh e mbyllur me abuzuesin është më keq se në burg, sepse ata mund të përfitojnë nga situata e krijuar për të mos i lejuar partnerët të dalin jashtë dhe të kërkojnë ndihmë”, ka thënë Haxhiu.

Nëse keni nevojë të raportoni dhunën në familje, këta janë numrat që janë vënë në dispozicion:

Policia e Kosovës: 192 dhe 0800 19 999

Mbrojtësit e viktimave: 0800111112

XS
SM
MD
LG