Koronavirusi, aktualisht “i eliminuar” në Zelandën e Re
Zelanda e Re tha se ka ndaluar transmetimin në komunitet të koronavirusit, duke e eliminuar në mënyrë efektive atë.
Me numër të vogël të rasteve të reja për disa ditë me radhë dhe me një të vetëm të dielën, kryeministrja Jacinda Ardern tha se virusi aktualisht është “eliminuar”.
Komentet vijnë një ditë para se Zelanda e Re të lehtësojë disa masa kundër koronavirusit.
Nga e marta, disa aktivitete jothelbësore të biznesit, të kujdesit shëndetësor dhe të arsimit do të mund të rinisin operimet.
"Ne po e rihapim ekonominë, por jo edhe jetën shoqërore të njerëzve", tha Ardern në konferencën e përditshme të qeverisë.
Zelanda e Re ka raportuar më pak se 1,500 raste me koronavirus dhe 19 vdekje.
Drejtori i përgjithshëm i Shëndetësisë atje, Ashley Bloomfield, tha se numri i ulët i rasteve të reja, ditëve të fundit, "na jep besim se kemi arritur qëllimin tonë të eliminimit".
Megjithatë, ai paralajmëroi kundër vetëkënaqësisë, duke thënë se situata aktuale nuk do të thotë “fund total” i rasteve të reja me koronavirus.
Edhe katër viktima nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut
Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut njoftoi se edhe katër njerëz kanë humbur jetën nga koronavirusi në këtë vend.
Me këtë shifër, numri i përgjithshëm i viktimave atje shkon në 65.
Viktimat e fundit janë: një grua 58 vjeçe nga Tetova, dy nga Kumanova të moshës 81 dhe 47 vjeç dhe një 66-vjeçar nga Manastiri.
Sa i përket numrit të të infektuarve, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se janë shënuar edhe 13 raste të reja, ndërsa janë shëruar 53.
Në Maqedoninë e Veriut, me koronavirus janë të regjistruara gjithsej 1,399 raste dhe prej tyre 553 janë shëruar.
Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 289 persona, me të cilët numri i përgjithshëm i testeve të kryera ka arritur në 15,409.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë i kërkoi Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të miratojë vendimin për aplikimin e gjobave për të gjithë personat që nuk mbajnë maska në vende publike dhe të mbyllura.
Vendosja e maskave është bërë e detyrueshme me rekomandim të Shtabit të Krizës.
Në rast të shkeljes së vendimit, gjoba për personat fizikë do të jetë 20 euro, ndërsa për personat juridikë 2,000 euro.
Kërkesa e ministrisë vjen pas pamjeve të shfaqura nga qytete të ndryshme se si qytetarët nuk e respektojnë vendimin për mbajtjen e maskave në vende ku nuk mund të ketë distancë sociale.
Holanda raporton edhe për 43 vdekje të reja nga koronavirusi
Holandës i janë shtuar edhe 400 pacientë të infektuar me koronavirus.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve në këtë vend evropian ka arritur në 38,245.
Të hënën janë shënuar edhe 43 vdekje të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 4,518.
Të dhënat janë bërë publike nga Instituti për Shëndetin Publik në Holandë.
Ky institucion tha se këto shifra janë vetëm nga rastet e konfirmuara duke paralajmëruar se ato mund të jenë më të larta.
A është OBSH-ja ajo që duhet ta ndalë COVID-19?
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është kritikuar ashpër për përgjigjen e saj ndaj pandemisë së koronavirusit, e cila ka vrarë mbi 200,000 njerëz në gjithë botën.
Megjithatë, disa kanë nxituar të dalin në mbrojtje të saj, duke thënë se kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara nuk ka qenë kurrë e pajisur ose e paraparë të jetë mbikëqyrëse e transparencës.
Derisa bota po torturohet nga shpërthimi i COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi, a duhet kthyer sytë kah OBSH-ja?
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.