Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
18:09 27.4.2020

Në Norvegji rihapen disa shkolla fillore

Norvegjia rihapi të hënën disa shkolla fillore, pasi zyrtarët thanë se koronavirusi është nën kontroll.

Rreth 250,000 fëmijë të moshës 6 deri në 10 vjeç u rikthyen në shkolla pas gjashtë javëve të mësimit në distancë.

Megjithatë, për të ruajtur distancën fizike, në klasa do të marrin pjesë nga 15 nxënës.

Qeveria po përgatit një plan për rihapjen e shkollave të tjera, tha ministrja e Arsimit, Guri Melby.

Norvegjia, deri më tash, ka konfirmuar 7,533 raste me koronavirus dhe 193 viktima.

17:56 27.4.2020

Spitalet e Vuhanit nuk kanë asnjë pacient me koronavirus

Qyteti Vuhan i Kinës, ku ka nisur pandemia globale e koronavirusit, nuk ka më asnjë rast të hospitalizuar, thanë autoritetet shëndetësore.

“Lajmi i fundit është se më 26 prill, numri i pacientëve me koronavirus në Vuhan ka qenë zero, falë përpjekjeve të përbashkëta të stafit mjekësor”, tha zëdhënësi i Komisionit të Shëndetit Kombëtar të Kinës, Mi Feng.

Vuhani ka raportuar 46,452 raste me koronavirus, apo 56 për qind të totalit në Kinë, dhe 3,869 viktima, apo 84 për qind të totalit kombëtar.

Vuhani dhe provinca ku ndodhet ai, Hubei, janë izoluar në fund të janarit për më shumë se dy muaj.

Qyteti vazhdon t’i testojë banorët, pavarësisht daljes nga izolimi.

Koronavirusi besohet se e ka origjinën në një treg kafshësh në Vuhan.

Rastet e para të të infektuarve atje janë raportuar në fund të vitit të kaluar.

Që atëherë janë përhapur në mbi 180 vende të botës; afro tre milionë njerëz janë infektuar dhe mbi 207,000 kanë vdekur.

17:46 27.4.2020

A paraqet rrezik për shëndetin agjërimi gjatë pandemisë?

Xhamia e Madhe në Bruksel.
Xhamia e Madhe në Bruksel.

Gjatë muajit të Ramazanit, besimtarët myslimanë nuk hanë dhe nuk pinë nga lindja e Diellit deri në perëndim të tij.

Familjet dhe miqtë shpesh mblidhen bashkë për të prishur agjërimin.

Shumë prej 1.8 miliard myslimanëve të botës i frekuentojnë edhe xhamitë më shpesh.

Por, kriza me koronavirus këtë vit ka ndryshuar gjithçka.

Sëmundja, që ka infektuar mbi 2.8 milionë njerëz dhe ka vrarë mbi 200,000 deri më 25 prill, ka rritur frikën se agjërimi mund të paraqesë rrezik shëndetësor, duke dobësuar imunitetin e njerëzve dhe duke i bërë ata më të cenueshëm ndaj marrjes së virusit.

Mbledhjet e shpeshta të familjarëve dhe miqve gjatë Ramazanit kanë ngjallur po ashtu shqetësime për më shumë të infektuar.

Atëherë, a është agjërimi i këshillueshëm gjatë pandemisë?

Lexoni këtu.

17:28 27.4.2020

Në Kosovë vdes edhe një pacient me koronavirus

Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës njoftoi të hënën se një pacient i prekur me koronavirus, ka vdekur.

Viktima me inicialet XH.I. ishte 53-vjeçar, nga Komuna e Pejës.

Në njoftimin e Klinikës Infektive thuhet se pacienti është shtruar në këtë repart të dielën, si i dyshuar për COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Ai ka dalë pozitiv me koronavirus dhe ka pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese, thuhet në njoftim.

Në Kosovë, gjithsej janë infektuar 763 persona me koronavirus, 165 janë shëruar dhe me viktimën e fundit, numri i të vdekurve ka shkuar në 22.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG