Bota është dashur ta dëgjojë OBSH-në, thotë shefi i saj
Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e mbrojti mënyrën se si OBSH-ja e ka menaxhuar pandeminë e koronavirusit.
Ai tha se vendet është dashur ta dëgjojnë OBSH-në kur ajo ka shpallur “emergjencë për shëndetin publik” më 30 janar.
Atëbotë, sipas tij, kanë qenë vetëm 82 raste me koronavirus jashtë Kinës – vendit ku është shfaqur për herë të parë – dhe asnjë viktimë.
“Bota është dashur ta dëgjojë OBSH-në me kujdes”, tha Tedros për gazetarët.
“E kemi këshilluar gjithë botën që të zbatojë një qasje gjithëpërfshirëse ndaj shëndetit publik. Kemi thënë: testoni, izoloni dhe gjurmoni kontakte. Vendet që i kanë ndjekur këto (këshilla) janë në pozitë më të mirë se të tjerat”, tha Tedros.
Javë më parë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka pezulluar fondet për OBSH-në, duke thënë se organizata “e ka keqmenaxhuar shpërthimin e koronavirusit”.
Trump ka thënë se OBSH-ja “ka qenë e përqendruar rreth Kinës” dhe se Kina duhet të përballet me pasoja nëse ka qenë “me vetëdije përgjegjëse” për pandeminë.
Kurti falënderon mjekët, policët, zjarrfikësit...
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Abin Kurti, përmes një video-mesazhi në llogarinë e tij në Facebook, i ka falënderuar mjekët, policët, zjarrfikësit e të tjerë për kontributin e tyre gjatë pandemisë së koronavirusit.
“Të gjithë juve që po luftoni këtë krizë me guxim dhe punë, ju faleminderit”, ka thënë Kurti.
Në Kosovë, me koronavirus janë infektuar 763 persona,165 janë shëruar dhe 22 kanë vdekur.
Rusia e tejkalon Kinën me numër të të infektuarve
Rusia e ka tejkaluar Kinën me numrin e të infektuarve me koronavirus.
Autoritetet ruse thanë të hënën se kanë konfirmuar 6,198 raste të reja, të cilat e rrisin në 87,147 numrin e përgjithshëm të tyre.
Në Kinë, vendin e origjinës së koronavirusit, autoritetet kanë raportuar për 83,912 raste.
Në Rusi, koronavirusi ka vrarë 794 njerëz.
Rusia është izoluar qëkur presidenti Vladimir Putin ka urdhëruar mbylljen e shumicës së hapësirave publike në fund të marsit.
Masat kufizuese pritet të skadojnë më 30 prill dhe Putin nuk ka thënë se planifikon t’i zgjasë ato.
Rinisin riparimet e katedrales Notre-Dame, me rregulla të distancimit fizik
Riparimet në katedralen Notre-Dame të Parisit, të cilat janë ndërprerë për shkak të pandemisë së koronavirusit, kanë rinisur të hënën.
Ndërtesa mesjetare është përfshirë nga flakët prillin e kaluar.
Çatia i është shkatërruar, ndërsa struktura i ka mbetur paprekur.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, është zotuar atëbotë se katedralja do të rindërtohet brenda pesë vjetësh.
Por, panedmia e koronavirusit i ka detyruar punëtorët të ndërpresin punimet më 23 mars.
Të hënën, punëtorët janë kthyer në vendin e ndërtimit, duke zbatuar rregullat e distancimit fizik.