Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
08:55 28.4.2020

Trump: Deri në 70,000 amerikanë mund të vdesin nga koronavirusi në SHBA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se koronavirusi në SHBA mund të vrasë deri në 70,000 njerëz, por theksoi se parashikimet fillestare ishin shumë më të larta.

Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se fillimisht është parashikuar se 2.2 milionë amerikanë mund të vdesin nga koronavirusi dhe se tani, kjo shifër ka rënë në 60 ose 70 mijë.

“Edhe kjo është shumë, edhe një person është shumë, por mendoj se kemi marrë shumë vendime të mira”, tha Trump.

“Vendim i madh ka qenë mbyllja e kufirit me Kinën”, shtoi ai.

Presidenti amerikan, Donald Trump.
Presidenti amerikan, Donald Trump.

Shumica e shteteve amerikane kanë lëshuar urdhrin e qëndrimit në shtëpi, si masë për frenimin e koronavirusit.

SHBA-ja ka aktualisht numrin më të madh të të infektuarve dhe viktimave: mbi 988 mijë, përkatësisht mbi 56 mijë.

Trump u pyet nga gazetarët nëse një president amerikan e meriton të rizgjidhet, kur më shumë amerikanë kanë humbur jetën në gjashtë javë, sesa në Luftën e Vietnamit.

Përafërsisht, 58,000 ushtarë amerikanë janë vrarë në Vietnam.

Trump u përgjigj duke thënë se edhe vdekja e një personi “është shumë”.

08:23 28.4.2020

Zelanda e Re nis daljen nga izolimi

Zelanda e Re nisi të martën heqjen graduale të masave të izolimit, të ndërmarra për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Duke ulur nivelin e kërcënimit nga katër në tre, zyrtarët thanë se disa biznese jothelbësore dhe shkollat rinisin operimet nga sot.

Rreth 400,000 njerëz iu rikthyen punës.

Zelanda e Re, falë izolimit dhe mbylljes së kufijve, ka arritur ta frenojë koronavirusin herët.

Ajo ka raportuar më pak se 1,500 raste të të infektuarve dhe 19 viktima.

Një ditë më herët, kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, ka thënë se virusi aktualisht është eliminuar.

Megjithatë, zyrtarët shëndetësorë kanë paralajmëruar kundër vetëkënaqësisë, duke thënë se situata aktuale nuk do të thotë “fund total” i rasteve të reja me koronavirus.

08:00 28.4.2020

Niveli i riprodhimit të koronavirusit shënon rritje të lehtë në Gjermani

Një javë pasi Gjermania ka hequr disa masa kundër koronavirusit, autoritetet raportuan për rritje të lehtë të nivelit të riprodhimit të virusit.

Instituti Robert Koch tha të martën se niveli i riprodhimit është rritur nga 0.9 sa ka qenë së voni në 1.0.

Çdo shifër nën 1 nënkupton se virusi është duke rënë, ndërsa gjithçka mbi 1 do të thotë se po rritet.

Në fillim të marsit, niveli i riprodhimit ka qenë 3.0, ndërsa më 8 prill ka qenë 1.3.

Instituti Robert Koch për sëmundje infektive tha të martën se ka regjistruar edhe 1,144 raste të reja me koronavirus, që e rrisin në 156,337 numrin e përgjithshëm të të infektuarve në Gjermani.

Sipas burimit të njëjtë, numri i viktimave u rrit për 163, në 5,913.

Kur ka njoftuar për lehtësimin e masave të izolimit, kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka bërë të qartë se edhe ndryshimi më i vogël në nivelin e riprodhimit të virusit mund ta ndikojë përgjigjen e qeverisë.

Gjermania, edhe pse ka numër të madh të të infektuarve, ajo ka numër më të vogël të viktimave krahasuar me vendet tjera evropiane: Italinë, Spanjën, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar - secila me mbi 20,000 të vdekur.

Suksesi relativ i Gjermanisë në trajtimin e koronavirusit u është atribuar kryesisht testimeve masive.

22:59 27.4.2020

Shtatëmbëdhjetë raste të reja me koronavirus në Kosovë

Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, tha se të hënën janë shënuar edhe 17 raste pozitive me koronavirus, ndërsa 35 pacientë janë shëruar nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19.

Përmes një postimi në Facebook, Vitia tha se këto rezultate janë shpresëdhënëse, por kërkoi nga qytetarët që të vazhdojnë t’i ndjekin masat kufizuese.

“Akoma nuk ka kaluar rreziku. Ndaj, ju lutem të mos shpërqendrohemi assesi dhe të ecim së bashku në këtë betejë të jashtëzakonshme për shëndetin dhe jetën e gjithsecilit”, tha Vitia.

Vitia u shprehu ngushëllime edhe familjarëve të një qytetari, që ka humbur jetën të hënën, derisa ka qenë duke u trajtuar për koronavirus.

Shifrat u konfirmuan edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë, i cili tha se nga 226 mostrat e testuara të hënën, 17 kanë dalë pozitive.

Rastet pozitive janë raste kontakti, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Në Kosovë, gjithsej 780 persona janë infektuar me koronavirus; 201 janë shëruar dhe 22 kanë vdekur.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG