Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
10:33 28.4.2020

Festivalet e filmit bashkohen për një alternativë digjitale

Festivale të mëdha të filmit, përfshirë atë të Berlinit, Kanës, Torontos dhe Venecias, do t’i bashkojnë forcat për një ngjarje online.

“Ne jemi një: Festivali Global i Filmit” do të nisë transmetimin në YouTube më 29 maj dhe do të zgjasë 10 ditë.

Kjo alternativë digjitale vjen pasi pandemia e koronavirusit ka anuluar shumë ngjarje të mëdha ndërkombëtare.

Festivali online thuhet se do të ndihmojë në mbledhjen e fondeve për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, përkatësisht Fondacionin e saj për përgjigje ndaj koronavirusit.

Organizimi falas do të përfshijë filma, dokumentarë, muzikë, komedi dhe biseda.

Në total, njëzet festivale nga e gjithë bota do të jenë të përfshira.

Programi i plotë do të jetë në dispozicion muajin e ardhshëm.

10:05 28.4.2020

A është koha për lehtësim të masave të izolimit?

Autoritetet në Kosovë ende nuk kanë ndonjë datë se kur mund të fillohet me lehtësimin e masave të izolimit kundër COVID-19.

Qeveria e Kosovës, më 13 mars, me konfirmimin e rasteve të para me koronavirus të ri, ka nisur zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë, përfshirë mbylljen e shkollave dhe kufizimin e lëvizjes së qytetarëve në 90 minuta në ditë.

Drejtori i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë, Faik Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë se janë duke shikuar se si do të veprohet pas datës 4 maj.

“Masat aktuale janë në fuqi deri më 4 maj", tha Hoti.

Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.

09:49 28.4.2020

Në Kosovë, 50 pacientë me koronavirus të shtruar në Infektive

Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës njoftoi të martën se në këtë repart janë të shtruar 50 pacientë me koronavirus.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se njëri prej tyre është në gjendje kritike, nëntë janë në trajtim me oksigjenoterapi, ndërsa 40 pacientë janë në gjendje stabile.

Gjashtë prej tyre janë shëruar dhe pritet të lirohen nga spitali, thuhet në njoftim.

Deri më tash, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka konfirmuar se 780 persona janë infektuar me koronavirus, 201 janë shëruar dhe 22 kanë vdekur.

09:22 28.4.2020

Mbi 50 milionë njerëz të zhvendosur brenda vendeve të tyre - koronavirusi rrit rrezikun

Një rekord prej 50.8 milionë njerëzish në gjithë botën janë të zhvendosur brenda vendeve të tyre, për shkak të konflikteve ose katastrofave natyrore, thuhet në raportin më të ri të Qendrës për Monitorimin e Zhvendosjes së Brendshme.

Pandemia e koronavirusit mund t’i rrisë rreziqet për miliona njerëz tashmë të cenueshëm, thekson raporti.

Sipas tij, mbi 45 milionë njerëz janë detyruar t’i braktisin shtëpitë për shkak të dhunës, ndërsa pesë milionë të tjerë janë zhvendosur nga katastrofat natyrore, të tilla si tërmetet apo përmbytjet.

Shifrave u kanë kontribuar 33.4 milionë zhvendosje të reja, të regjistruara në vitin 2019, thuhet në raport.

“Koronavirusi i ri ka të ngjarë ta bëjë më të vështirë jetën e shumë prej këtyre njerëzve - disa prej të cilëve tashmë jetojnë të ngujuar dhe në kushte josanitare”, thekson raporti.

Pandemia e kufizon më tej qasjen e tyre në shërbime thelbësore dhe ndihmë humanitare, tha drejtoresha e Qendrës për Monitorimin e Zhvendosjes së Brendshme, Alexandra Bilak.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG