Turqia e ndihmon SHBA-në me pajisje mjekësore
Turqia nisi të martën në SHBA një aeroplan me pajisje mjekësore dhe mbrojtëse, për ta ndihmuar atë në luftën kundër koronavirusit.
Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të të infektuarve dhe viktimave: mbi 980,000, përkatësisht mbi 56,000.
"Me krenari njoftojmë se Turqia do t'iu dërgojë furnizime mjekësore Shteteve të Bashkuara, pas kërkesës së tyre për ta mbështetur luftën e Amerikës kundër koronavirusit", tha përmes një komunikate Drejtoria e Komunikimeve e Turqisë.
Ndihma përmban maska kirurgjikale, dezinfektues, syze dhe mburoja të fytyrës.
SHBA-ja e cilësoi këtë si “donacion bujar”.
Ankaraja tashmë ka dërguar donacione mjekësore në 55 shtete, përfshirë Italinë, Spanjën, Britaninë, Iranin, Kinën dhe disa vende të Ballkanit.
Turqia është e shtata në botë për nga numri i rasteve me koronavirus, por zyrtarët kanë njoftuar se numri i të infektuarve të rinj dhe i viktimave është duke rënë.
Sipas Ministrisë turke të Shëndetësisë, në këtë vend janë infektuar 112,000 njerëz, ndërsa kanë vdekur 2,900.
Argjentina ndalon fluturimet deri më 1 shtator
Argjentina i ndaloi të gjitha fluturimet komerciale, të brendshme dhe ndërkombëtare, deri më 1 shtator, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Autoritetet thanë se kompanitë ajrore nuk duhet të shesin bileta për fluturime që nuk do të realizohen gjatë katër muajve të ardhshëm.
Administrata Kombëtare e Aviacionit Civil tha se 1 shtatori është një datë “e arsyeshme” për rikthimin e fluturimeve.
Grupet e industrisë së aviacionit paralajmëruan se mijëra njerëz mund të humbin punën.
Agjencia ndërkombëtare e aviacionit, Iata, i dërgoi një letër Qeverisë argjentinase, duke thënë se vendimi shkel marrëveshjet bilaterale dhe se rrezikon më shumë se 300,000 vende pune në Argjentinë.
Argjentina i ka mbyllur kufijtë për shtetasit e huaj në mars, duke vendosur masa të ashpra karantine.
Ky vend ka afro 4,000 të infektuar me koronavirus dhe 192 viktima.
Infografikë:
Olimpiada do të anulohet nëse koronavirusi nuk vihet nën kontroll
Lojërat Olimpike Tokio 2020, që tashmë janë shtyrë për shkak të koronavirusit, do të anulohen, nëse pandemia nuk vihet nën kontroll vitin e ardhshëm, paralajmëroi kryetari i komitetit organizues.
Lojërat, që kanë qenë të parapara të zhvillohen nga data 24 korrik deri më 9 gusht, janë shtyrë muajin e kaluar për një vit.
Kryetari i Tokio 2020, Yoshiro Mori, i tha të përditshmes japoneze Nikkan Sports, se Lojërat nuk mund të shtyhen përtej vitit 2021, nëse bota nuk e mposht pandeminë.
“Në atë rast, Lojërat anulohen”, tha Mori.
Shtyrja e Lojërave ka qenë e para në historinë 124-vjeçare të Olimpiadës moderne, megjithëse ato janë anuluar disa herë për shkak të luftës - përfshirë Lojërat e Tokios më 1940.
Në një tjetër zhvillim, kreu i Shoqatës Mjekësore të Japonisë, Yoshitake Yokokura, po ashtu tha se mbajtja e Lojërave do të ishte “jashtëzakonisht e vështirë” vitin e ardhshëm, nëse nuk ka vaksinë kundër koronavirusit.
“Shpresoj se vaksina dhe barnat do të zhvillohen sa më shpejt që është e mundur”, tha Yokokura në një konferencë për media në Tokio.