Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
13:22 28.4.2020

Edhe një viktimë nga koronavirusi në Shqipëri

Në Shqipëri ka vdekur edhe një pacient i prekur me koronavirus, duke e çuar në 30 numrin e përgjithshëm të viktimave në këtë vend.

Numri i të infektuarve është rritur në 24 orët e fundit për 14, përkatësisht në 750.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 267 persona të dyshuar me COVID-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi]. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 14 raste pozitive me COVID-19, nga të cilat 7 raste janë në Tiranë, 5 raste në Krujë dhe 2 raste në Shkodër”, bëri të ditur Albana Fico, nga Instituti i Shëndetit Publik në Shqipëri.

“Gjatë 24 orëve të fundit, 9 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 431”, shtoi Fico.

13:05 28.4.2020

Koronavirusi zbraz arkat e xhamive

Besimtarët myslimanë në Kosovë paguajnë anëtarësinë në Bashkësinë Islame të Kosovës, nga 3 deri në 4 euro në vit, për çdo anëtar të familjes.

Por, pas ndalimit të tubimeve fetare në Kosovë, si masë mbrojtëse kundër përhapjes së koronavirusit, këto pagesa nuk janë duke u bërë.

Kjo ka bërë që të pakësohen edhe financat e Këshillave të Bashkësisë Islame.

Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.

12:53 28.4.2020

Çfarë thotë OBSH-ja për heqjen e masave të izolimit?

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar gjashtë kushte për vendet që konsiderojnë relaksimin e izolimit:

  • Transmetimi duhet të kontrollohet;
  • Sistemet shëndetësore kanë kapacitet për të zbuluar, testuar, izoluar dhe trajtuar çdo rast dhe gjurmuar çdo kontakt;
  • Rreziqet e shpërthimit në ambiente të veçanta, si objektet shëndetësore dhe shtëpitë e pleqve, minimizohen;
  • Masat parandaluese ndërmerren në vende të punës, shkolla dhe vende të tjera ku njerëzit domosdoshmërisht shkojnë;
  • Rastet e importuara menaxhohen;
  • Komunitetet janë plotësisht të informuara, të angazhuara dhe të afta për t’u përshtatur me "normën e re".
12:50 28.4.2020

Austria vazhdon lehtësimin e masave të izolimit

Austria bëri publikë hapa të tjerë për lehtësimin e masave kundër koronavirusit.

Nga 1 maji, autoritetet thanë se do të lejohen ngjarjet me grupe prej dhjetë njerëzish, edhe pse atyre do t’iu kërkohet të qëndrojnë një metër larg njëri-tjetrit.

Rekomandimet për të qëndruar në shtëpi, pos për arsye të domosdoshme, do të skadojnë më 30 prill dhe nuk do të përtëriten.

Hotelet do të lejohen të rihapen më 29 maj, nëse gjithçka shkon mirë.

Megjithatë, puna nga shtëpia vazhdon të rekomandohet.

Dyqanet e vogla në Austri tashmë janë rihapur, ndërsa restorantet dhe kafenetë do të rinisin biznesin nga data 15 maj.

Austria ka raportuar rreth 15,000 raste me koronavirus dhe 569 viktima.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG