OKB: Koronavirusi mund t’i rrisë pasiguritë ushqimore në Afrikë
Përhapja e koronavirusit rrezikon të shkatërrojë vendet në Afrikën Lindore, ku pasiguritë ushqimore mund të dyfishohen brenda tre muajsh, paralajmëruan Kombet e Bashkuara.
Programi Botëror për Ushqim – agjenci e OKB-së – llogarit se rreth 20 milionë njerëz aktualisht nuk kanë ushqime të sigurta.
Bëhet fjalë për popullsinë e nëntë vendeve: Burundi, Xhibuti, Etiopia, Eritrea, Kenia, Ruanda, Somalia dhe Uganda.
Krahasuar me vendet e tjera të botës, këto shtete deri më tash kanë regjistruar më pak raste me koronavirus.
Megjithatë, për shkak të ekonomive të dobëta dhe infrastrukturës së dobët shëndetësore, ato konsiderohen tejet të cenueshme nga ndikimi i pandemisë.
"Parashikimet e Programit Botëror për Ushqim aktualisht janë që numri i njerëzve me ushqime të pasigurta në rajon, të rritet në 34 deri në 43 milionë gjatë tre muajve të ardhshëm, për shkak të ndikimit socio-ekonomik të COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi]", u tha zëdhënësja Elisabeth Byrs gazetarëve në një konferencë virtuale.
Ajo tha se Programi Botëror për Ushqim ka nevojë urgjente për më shumë se 500 milionë dollarë për tre deri në gjashtë muajt e ardhshëm, për të zgjeruar operacionet në Afrikë.
Pandemia, e cila ka vrarë gati 212,000 njerëz në gjithë botën, ka krijuar “krizë të paparë”, tha Byrs.
Pesë gjëra që duhet t’i dini për testet e koronavirusit
Teste të koronavirusit nuk ka mjaftueshëm, por teknologjitë e reja janë duke u dhënë mjekëve mjete të nevojshme për të luftuar pandeminë.
BQE thotë se bankënota euro është e sigurt nga koronavirusi
Banka Qendrore Evropiane (BQE) tha të martën se nuk ka rrezik të konsiderueshëm për kontraktim të koronavirusit nga bankënotat euro.
Paratë e gatshme përdoren gjerësisht në Eurozonë dhe jashtë saj, por dyqanet dhe bizneset u kanë kërkuar konsumatorëve së voni që të përdorin kartela, për të shmangur kontaktin me një bankënotë që mund të jetë prekur nga një person i infektuar.
Anëtari i Bordit Ekzekutiv të BQE-së, Fabio Panetta, tha se testet e laboratorëve evropianë kanë treguar se niveli i mbijetesës së koronavirusit është "10 deri 100 herë më i lartë" në një sipërfaqe çeliku, sesa në kartëmonedha.
"Analizat e tjera tregojnë se është shumë më e vështirë që një virus të transferohet nga sipërfaqja poroze, si kartëmonedha e pambukut, sesa nga sipërfaqe të lëmuara, si plastika", shkroi Panetta në një blog.
Euro shtypet në letër të pastër me fije pambuku.
Më shumë se 340 milionë njerëz në të gjithë Evropën e përdorin atë.
Paratë e gatshme mbeten mënyra mbizotëruese e pagesës për konsumatorët e Eurozonës, tha BQE.
Në Spanjë vazhdon të bie numri i viktimave nga koronavirusi
Spanja regjistroi 301 viktima nga koronavirusi në 24 orët e fundit.
Shifra paraqet rënie krahasuar me 331 të vdekurit në 24-orëshin paraprak.
Spanja është një nga vendet më të prekura në botë nga koronavirusi.
Në total, 23,822 njerëz kanë vdekur atje, ndërsa 210,773 janë infektuar.
Derisa masat e izolimit kanë nisur të lehtësohen, nga e diela, fëmijët nën moshën 14-vjeçare janë lejuar të dalin nga shtëpitë e tyre për herë të parë pas gjashtë javësh.