Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
16:42 28.4.2020

Portugalia do të dalë nga izolimi

Presidenti portugez, Marcelo Rebelo de Sousa ka njoftuar se gjendja e jashtëzakonshme në Portugali do të përfundojë më 2 maj.

Megjthatë, ai ka tërhequr vërejtjen se kjo nuk nënkupton që përfundon edhe shpërthimi i virusit, ndërkohë që ka theksuar se rihapja e ekonomisë do të bëhet në mënyrë graduale.

“Çfarë ka rëndësi në këtë fazë është që portugezët ta dinë se infektimi është faktor i rëndësishëm dhe ne duhet të marrim hapa të vegjël për ta analizuar situatën”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Portugalia deri më tani ka regjistruar 24,322 raste të infektimit dhe 948 vdekje si pasojë e koronavirusit të ri.

Vendimi për gjendje të jashtëzakonshme është marrë më 18 mars, duke shtyrë njerëzit që të qëndrojnë në shtëpi dhe të ndalin udhëtimet.

16:15 28.4.2020

Izolimi në Francë “ka ruajtur 62,000 jetë njerëzish”

Kryeministri francez, Edouard Philippe ka thënë se masat e izolimit në këtë shtet kanë ruajtur 62,000 jetë njerëzish për një muaj.

Autoritetet franceze janë duke planifikuar që nga 11 maji të lirojnë gradualisht masat e izolimit.

Ky plan do të votohet më vonë nga ligjvënësit.

Deri më tani, si pasojë e infektimit me koronavirusin e ri janë regjistruar 23,300 të prekur dhe 165,842 të vdekur në gjithë territorin francez.

 

 

15:55 28.4.2020

Si dhe kur duhet të përdoret maska?

Si duhet të vendoset maska për t’u mbrojtur nga koronavirusi? Sa shpesh duhet të ndërrohet dhe si duhet të hidhet në plehra? Organizata Botërore e Shëndetësisë u përgjigjet këtyre pyetjeve dhe të tjerave përmes infografikave.

 

15:15 28.4.2020

"Një miliard" njerëz mund të infektohen në gjithë botën me koronavirus

Një miliard njerëz mund të infektohen me koronavirusin e ri në gjithë botën, nëse shteteve më të cenueshme nuk u ofrohet ndihmë urgjente, ka paralajmëruar Komiteti Ndërkombetar për Shpëtim.

Sipas tij, ndihma financiare dhe ajo humanitare nevojiten për të ndihmuar në uljen e përhapjes së virusit.

Komiteti ka përmendur se “shteteve të brishta” sikurse Afganistanit dhe Sirisë u duhet “ndihmë urgjente” për të parandaluar shpërthimet e mëdha.

Deri më tani në gjithë botën janë konfirmuar 3 milionë raste të prekura nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri, ndërkohë që mbi 200,000 pacientë kanë vdekur.

Raporti i këtij Komiteti është bazuar në modelet dhe të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Kolegjit Imperial në Londër.

Grupi me bazë në Shtetet e Bashkuara, i cili u përgjigjet krizave humanitare në gjithë botën, ka thënë se faktorët sikurse numri i personave që jetojnë në një shtëpi, densiteti i popullsisë, kapaciteti për kujdes shëndetësor dhe konfliktet që tashmë ekzistojnë, mund të ndikojnë në shpërthimin e sëmundjeve tjera edhe më të mëdha.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG