Putin vazhdon periudhën e mospunës për shkak të koronavirusit
Presidenti rus, Vladimir Putin ka zgjatur periudhën e mospunës në këtë shtet deri më 11 maj, teksa numri i rasteve të prekura me koronavirus vazhdon të rritet.
Putin e ka bërë këtë njoftim gjatë një video-konference me guvernatorët rajonalë më 28 prill, duke thënë se piku i shpërthimit të koronavirusit “nuk ka kaluar ende”.
Rusia po ashtu ka vendosur masë izolimi në shumë rajone, duke përfshirë Moskën, me qëllim të luftimit të koronavirusit, i cili zyrtarisht ka infektuar më shumë se 90,000 persona në gjithë territorin rus.
Në mesin e tyre, 867 kanë vdekur.
Putin fillimisht pati njoftuar për shtyrje të periudhës së mospunës nga 28 marsi deri më 5 prill, dhe më vonë e ka shtyrë këtë masë deri më 30 prill, duke thënë se pagat do të paguhen nga shteti për atë periudhë.
Mirëpo më 28 prill, Putin ka urdhëruar qeverinë për të “nisur përgatitjet për një plan të gjerë veprimi, për të normalizuar aktivitetet biznesore, rikthimin e të ardhurave të njerëzve dhe rritjen ekonomike”.
Lideri rus po ashtu i ka kërkuar qeverisë që të propozojë rekomandime për lehtësimin gradual të masave të izolimit deri më 5 maj.
Masa kufizuese të lëvizjes më 1 maj në Maqedoninë e Veriut
Maqedonia e Veriut edhe një fundjavë do ta kalojë me kufizime të lëvizjes, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri. Qeveria ka vendosur që të premten, të shtunën dhe të dielën ora policore të nisë nga ora 14:00 deri në 05:00 të mëngjesit.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, ka thënë se këto masa kanë për qëllim mosrrezikimin e të rezultateve të arritura, por edhe pendimin e paraqitjes së rasteve të reja me koronavirus.
“Ne duhet ta kuptojmë se këtë trend të mirë të uljes së numrit të pacientëve që e kemi, duhet ta mbajmë. Këtë e kemi arritur pikërisht nga rekomandimet e komisionit të sëmundjeve ngjitëse, e që janë miratuar nga qeveria. Nuk guxojmë që të lirohemi pikërisht kur tani jemi në rrugë të mirë në luftën kundër virusit”, ka deklaruar Filipçe.
Numri i të infektuarve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut në tre ditët e fundit ka shënuar rënie të ndjeshme, ndërkaq numri i të shëruarve është rritur. Vetëm gjatë të martës, autoritetet kanë raportuar për gjashtë viktima të reja nga koronavirusi, 22 të infektuar dhe 36 të shëruar. Numri i të infektuarve tani ka arritur në 1,421, prej tyre 589 të shëruar, ndërsa i viktimave ka shkuar në 71.
Materialin e plotë e gjeni këtu
Një kompani ajrore e bën të detyrueshme vendosjen e maskave
Kompania e fluturimeve, JetBlue Airways do të bëhet kompania e parë ajrore amerikane që do t’iu kërkojë pasagjerëve vendosjen e maskave gjatë fluturimit.
Duke nisur nga 4 maji, pasagjerëve do t’iu kërkohet të vendosin maska për të mbuluar gojën dhe hundën para se të hyjnë dhe derisa të dalin nga aeroplani.
Vetëm fëmijët e vegjël që nuk mund të mbajnë maskën përbëjnë përjashtim.
“Vendosja e maskave nuk ka të bëjë me mbrojtjen e vetes, ka të bëjë me mbrojtjen e tjerëve afër jush”, ka thënë Joanna Geraghty, presidente e kompanisë JetBlue.
“Ky është rregulli i ri i udhëtimit”.
Ky lajm vjen në kohën kur linjat ajrore amerikane janë duke shqyrtuar masa për të plotësuar standardet tjera të lëvizjes.
American Airlines, kompania më e madhe ajrore, ka njoftuar të hënën se pasagjerëve do t’iu ofrohen maska dhe dezinfektues për duar pak para nisjes, duke filluar nga muaji i ardhshëm.
Nëntë persona dalin nga karantina në Prishtinë
Drejtori i Qendrës së Studentëve në Prishtinë, Fatmir Sfishta ka thënë se nëntë persona janë liruar të martën nga karantina pasi një ditë më parë kanë dalë negativë në testet për sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Në një përgjigjje dhënë Radios Evropa e Lirë, ai ka thënë se numri i personave që aktualisht po qëndrojnë në karantinë në këtë Qendër është 168.
“Sot janë liruar nëntë persona, ndërsa në qendër të studentëve janë duke qëndruar 168 të tjerë”, ka deklaruar ai.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë deri më tani janë regjistruar 780 persona janë infektuar, 201 të shëruar dhe 22 të vdekur, si pasojë e koronavirusit të ri.