Shkalla e infektimit me koronavirus në Kosovë bie "nën 4 për qind"
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se përqindja e rritjes së numrit të rasteve të prekura me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi, ka rënë nën 4 për qind.
Këtë rezultat Kurti e ka konsideruar progres të jashtëzakonshëm.
“Falë masave të 15 prillit dhe bashkëpunimit të një shumice të madhe prej jush, përqindja e rritjes në numrin e rasteve ka rënë nën 4%. Kjo nënkupton se qytetarët e infektuar po e transmetojnë virusin te shumë më pak persona të tjerë në krahasim me periudhën para 15 prillit, kur rritja ditore kishte shkuar deri në 27%,” është shprehur Kurti përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.
Ai ka përmendur edhe dyfishimin e numrit të personave që janë shëruar nga koronavirusi në raport me ata që janë infektuar me këtë virus një ditë më parë.
“Dje, për herë të parë që nga ardhja e koronavirusit në Kosovë, numri i të shëruarve ishte dyfish më i madh sesa numri i rasteve të reja, me 35 persona të shëruar. Kemi shënuar progres të jashtëzakonshëm, progres i cili po shpresojmë që të vazhdojë në javët e ardhshme”, ka shtuar mes tjerash Kurti.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë deri më tani janë regjistruar 780 persona janë infektuar, 201 të shëruar dhe 22 të vdekur, si pasojë e koronavirusit të ri.
Franca e bën të detyrueshme vendosjen e maskave në shkolla dhe transport publik
Franca do të bëjë të detyrueshme vendosjen e maskave në transportin publik dhe shkollat e mesme kur të fillojë lehtësimi i masave të izolimit më 11 maj, ka thënë kryeministri i këtij shteti, Edouard Philippe.
Shkollat do të rihapen gradualisht, duke nisur nga kopshtet për fëmijë dhe shkollat fillore.
Shkollat e mesme, në rajonet ku virusi nuk është përhapur shumë, mund të rihapen nga 18 maji, derisa nivelet tjera në fund të po atij muaji.
Dyqanet është thënë se do rihapen më 11 maj, por jo edhe baret dhe restorantet.
Pronarët e dyqaneve do të kenë të drejtë t’iu kërkojnë blerësve që të vendosin maska, dhe duhet të sigurohen për mbajtje të distancës fizike.
Lehtësim për shumëkë ka qenë vendimi që francezët do të mund të dalin jashtë pa ndonjë certifikatë që tregon qëllimet e daljes së tyre, si dhe do të lejohet grumbullimi i më shumë se 10 personave.
Franca është një prej vendeve të prekura më së keqi në Evropë nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi, bashkë me Mbretërinë e Bashkuar, Italinë dhe Spanjën.
Numri i personave që kanë vdekur nga virusi të martën është rritur për 367, duke e çuar numrin total të viktimave në 23,660, ndërkohë që janë infektuar rreth 129,859.
Spitalet kanë njoftuar së fundmi se është duke rënë numri i pacientëve që gjenden në kujdes intesiv, çka ka lënë hapësirë për shpresë.
Në një adresim para parlamentit, Philippe ka thënë se izolimi ka ruajtur rreth 62,000 jetë njerëzish në Francë brenda një muaji, mirëpo ka ardhur koha e lehtësimit të masave të izolimit për të shmangur shkatërrimin ekonomik.
Mali i Zi ka më shumë të shëruar sesa të infektuar me koronavirus
Instituti i Shëndetit Publik në Mal të Zi njoftoi të martën se edhe nëntë persona, të diagnostikuar më herët me koronavirus, janë shëruar.
Me këtë shifër, numri i të shëruarve në këtë vend shkon në 199, ndërsa në fazë të shërimit janë 115 pacientë.
“Me kënaqësi mund të them se në Mal të Zi ka më shumë të shëruar sesa të infektuar me COVID-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi]”, tha Senad Begoviq, ndihmës i drejtorit të Institutit malazez të Shëndetit Publik.
Në Qendrën Klinike të Malit të Zi aktualisht janë të shtrirë tetë pacientë. Prej tyre, pesë janë në Klinikën Infektive dhe janë në gjendje stabile, një tashmë ka dalë negativ në testin për koronavirus, ndërsa dy pacientë janë të vendosur në respiratorë.
Në Mal të Zi kanë humbur jetën shtatë pacientë me koronavirus.
Koronavirusi, në “favor” të të eturve për pushtet
Pandemia e koronavirusit ka gjunjëzuar botën, por është shfrytëzuar si mundësi edhe nga disa udhëheqës për të forcuar pushtetin. Liderët, që janë parë më herët si autoritarë të butë, kanë rritur kontrollin. Sheti i mbikëqyrjes është bërë mënyrë e jetesës edhe në disa demokraci.