Çekia vazhdon gjendjen e jashtëzakonshme
Ministria e Shëndetësisë në Çeki ka thënë më 28 prill se ka arritur në 7,486 numri I personave të infektuar në këtë shtet, derisa 4,319 janë raste aktive.
Kjo ministri po ashtu ka thënë se numri i të vdekurve nga ky virus ka arritur në 225.
Pavarësisht uljes së numrit të të infektuarve, Dhoma e Ulët e Parlamentit ka vazhduar gjendjen e jashtëzakonshme deri më 17 maj, ndonëse ajo ishte planifikuar të përfundonte më 30 prill.
Megjithatë Qeveria çeke është duke shpejtuar planet për të lehtësuar masat e izolimit për dy javë.
Dyqanet deri në 2,500 metra katrorë janë rihapur më 27 prill, ashtu sikurse palestrat, bibliotekat dhe kopshtet zoologjike.
Dyqanet më të mëdha, qendrat tregtare dhe parukeritë pritet të hapen më 11 maj.
Megjithatë vendimi për mbajtje të maskave vazhdon të jetë në fuqi.
Kosovë: 31 të shëruar, 10 të infektuar nga koronavirusi i ri
Pas 250 testeve të bëra të martën në Kosovë, 10 prej tyre kanë rezultuar pozitivë në testet për koronavirus.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.
Ai po ashtu ka njoftuar se edhe 31 pacientë janë shëruar nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.
“Të bashkuar dhe të kordinuar e me përkushtim do ia dalim. Kujdesi duhet të vijojë njëjtë si deri tani, sakrifica e secilit po i jep rezultatet. Ndaj le të jemi të vëmendshëm e solidarë si deri tani”, ka thënë mes tjerash Vitia.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë deri më tani janë regjistruar 790 persona janë infektuar, 232 të shëruar dhe 22 të vdekur, si pasojë e koronavirusit të ri.
Guvernatori i Nju Jorkut shpalos planet për rihapje
Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo ka thënë se disa rajone të këtij vendi pritet të kenë lehtësime të masave të izolimit duke nisur nga 15 maji, nëse përmbushet synimi i uljes së numrit të rasteve të të infektuarve me koronavirus për 14 ditë me radhë.
Rihapja nuk do të jetë e mundshme në zonat ku spitalet janë 70 për qind të mbushura me pacientë, apo në hapësirat ku shkalla e transmetimit të virusit është mbi 1.1 për qind, ka thënë Cuomo.
Qyteti i Njorkut, njëherësh vendi i prekur më së keqi në këtë shtet nga koronavirusi, nuk do të rihapet më 15 maj “përveç nëse ndodh ndonjë mrekulli”.
Bizneset prodhuese dhe sektori i ndërtimtarisë do të jenë ndër të parat që do të rihapen, ndonëse duke zbatuar vendimet për masa mbrojtëse.
Në 24 orët e fundit, 335 pacientë kanë vdekur në Nju Jork nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi, një rënie modeste nga 337 vdekjeve të një dite më parë.
“Unë çdo ditë mendoj se e sotmja do të jetë dita kur ankthi përfundon, mirëpo nuk po ndodh”, ka thënë Cuomo.
Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar të martën mbi 1 milion persona të prekur nga koronavirusi i ri.
Mbi 1 milion persona të infektuar me koronavirus në SHBA
Numri i personave të infektuar me koronavirus në Shtetet e Bashkuara ka tejkaluar shifrën 1 milion, është thënë në të dhënat e Universitetit Johns Hopkins.
Shtetet e Bashkuara kanë tejkaluar Kinën në muajin mars me numrin më të madh të të infektuarve në gjithë botën.
Numri i personave të vdekur si pasojë e këtij virusi në SHBA ka arritur në 56,749, gjithashtu shifër rekorde në nivel botëror.
Për koronavirusin fillimisht është raportuar në Kinë në fund të vitit 2019.
Ky virus besohet se ka dalë nga një treg kafshësh në qytetin kinez, Vuhan.