Ndryshon gara për çmimet filmike Oscars
Filmat e shfaqur online do të mund të garojnë në ceremoninë e vitit të ardhshëm të çmimeve Oscar, ka njoftuar Akademia e Arteve dhe Shkencave në Hollywood.
Këto ndryshime janë bërë për shkak të shpërthimit të koronavirusit të ri.
Deri më tani, vetëm filmat që janë shfaqur nëpër kinema për të paktën një javë në Llos Angjelles kanë pasur mundësi të garojnë.
Mirëpo meqë pandemia me koronavirus ka ndikuar në mbylljen e kinemave në gjithë botën, një numër i filmave janë transmetuar nëpër platforma online.
Presidenti, David Rubin dhe shefja ekzekutive, Dawn Hudson kanë thënë: “Akademia beson se nuk ka mënyrë më të mirë për të përjetuar magjinë e filmave sesa kur ata shfaqen në kinema. Përkushtimi ynë ndaj kësaj teorie është i pandryshuar dhe palëkundur. Megjithatë, pandemia tragjike me sëmundjen Covid-19mn (që shkakton koronavirusi) ka krijuar nevojën e këtij përjashtimi të përkohshëm”.
Rregullat tradicionale është thënë se do të rikthehen sapo të përfundojë pandemia.
Filmi jugkorean, Parasite ka fituar çmimin për filmin më të mirë këtë vit të Akademisë, duke u bërë filmi i parë që nuk është gjuhën angleze, por ka marrë Oscar në këtë kategori.
Ky film shpërfaq satirën sociale rreth dy familjeve nga klasa të ndryshme shoqërore në Seul, njëra që jeton në varfëri në bodrum dhe një familje të pasur që jeton në një shtëpi të madhe.
Mbajtja e Lojërave Olimpike, “e vështirë nëse nuk ndalet pandemia”
Kryeministri japonez, Shinzo Abe ka thënë se do të jetë e vështirë mbajtja e Lojërave Olimpike Verore vitin e ardhshëm nëse nuk ndalet pandemia.
Kjo ngjarje fillimsht ishte planifikuar të mbahej këtë vit, mirëpo është shtyrë për korrikun e vitit 2021.
Megjithatë prej tani ekzistojnë dilema nëse Lojërat do të zhvillohen edhe në datën e re.
“Ne kemi thënë se Lojërat Olimpike dhe ato Paraolimpike duhet të mbahen në formatin komplet, ashtu që të gjithë atletët dhe spektatorët të marrin pjesë në mënyrë të sigurt”, ka thënë Abe.
“Do të ishte e pamundshme mbajtja e Lojërave në formatin komplet nëse nuk ndalet pandemia”.
Ai ka thënë se Lojërat Olimpike “duhet të mbahen në një mënyrë që tregon se bota ka fituar betejën me pandeminë. Përndryshe do të jetë shumë e vështirë mbajtja e tyre”.
Japonia deri më tani ka regjistruar 13,895 persona të infektuar dhe 413 të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Vietnami i kthehet “normales së re”
Ka kaluar rreth një javë prej kur Vietnami ka lehtësuar masat e izolimit kombëtar dhe jeta ka filluar gradualisht t’i kthehet normales.
Ndalesat nga plastika gjatë ngrënies së darkës, distancimi fizik në tregjet e rrugës dhe vendosja e detyrueshme e maskave janë kthyer në “normalen e re”.
Vietnami është një prej vendeve që është përshëndetur për suksesin në të përballurit me virusin.
Pavarësisht pse ndan kufirin me Kinën dhe ka popullsi prej 97 milionë banorëve, deri më tani në këtë vend janë regjistruar vetëm 270 raste të prekura me këtë virus, dhe asnjë vdekje.
Autoritetet kanë mbyllur kufijtë nga fillimi i muajit janar, kanë ndjekur në mënyrë agresive të prekurit dhe kanë nisur fushatë kombëtare të informimit.
Disa prej masave nuk kanë qenë shumë pozitive, sikurse ato të inkurajimit të vëzhgimit të fqinjve.
Kosovë: 36 pacientë të shtrirë me koronavirus, dy në gjendje të rëndë
Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka njoftuar se aktualisht aty janë të hospitalizuar 51 persona, prej tyre 36 janë të infektuar me koronavirus.
Nga të prekurit, dy pacientë janë në gjendje të rëndë dhe përkujdesje intensive, 28 janë në gjendje stabile, derisa 7 të tjerë janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi.
Përveç tjerash, është bërë e ditur se gjatë ditës së mërkurë do të lirohen nga Klinika nëntë pacientë të shëruar nga sëmundja, Covid 19, që shkakton koronavirusi.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë deri më tani janë regjistruar 790 persona të infektuar, 232 të shëruar dhe 22 të vdekur, si pasojë e koronavirusit të ri.