Këshillat e OBSH-së për koronavirusin
Për sa kohë mbijeton koronavirusi në sipërfaqe, a është rezistent ndaj motit të nxehtë apo të ftohtë, a janë të rinjtë më të mbrojtur dhe të moshuarit më të kërcënuar? Këto janë disa nga pyetjet në të cilat Organizata Botërore e Shëndetësisë i përgjigjet publikut përmes infografikave.
Mjekët: Kosova nuk ka teste për gjithë popullatën
Autoritetet shëndetësore në Kosovë janë kritikuar disa herë për numër të vogël të testimeve për personat e dyshuar me koronavirusin e ri.
Por, ata që merren me luftimin e pandemisë thonë se nuk kanë teste për të testuar të gjithë qytetarët si të dyshuar.
Megjithatë, ata shprehen se në ditët në vazhdim do rrisin nivelin e testimeve të personave, por kërkojnë nga qytetarët dhe organizata të ndryshme që të mos bëjnë presion në personelin mjekësor që t’iu nënshtrohen testeve.
Nga 8 shkurti i këtij viti rreth 7,000 persona në Kosovë janë testuar si të dyshuar me koronavirusin e ri.
Sa teste ka aktualisht Kosova për koronavirus?
E kuptoni duke klikuar këtu
Spanja synon kthimin në "normalitetin e ri" në fund të qershorit
Spanja ka prezantuar planin me katër faza për lehtësim të masave të izolimit dhe kthimit në “normalitetin e ri” deri në fund të muajit qershor, pas situatës së krijuar me koronavirus.
Kryeministri Pedro Sanchez ka thënë se secili rajon do të lirojë masat në kohë të ndryshme, varësisht prej shkallës së infektimit.
Katër ishuj spanjollë do të jenë të parët që do të lehtësojnë masat nga 4 maji, duke vazhduar më vonë me pjesën tjetër të territorit spanjoll një javë më vonë.
Nga shpërthimi i koronavirusit në Spanjë kanë vdekur gati 24,000 persona.
Ky shtet ka marrë disa prej masave më të ashpra të izolimit në gjithë botën nga 14 marsi, duke përfshirë edhe ndalimin e lëvizjes për fëmijët për gjashtë javë.
Mirëpo tani ka shenja se shkalla e infektimit është duke u ulur.
Numri i të vdekurve nga ky virus të martën ka shkuar në 301 sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë për dallim nga një rekord prej 950 viktimave sa ishin regjistruar në fillim të muajit prill.
Numri i të infektuarve po ashtu ka rënë në 1,308, duke shënuar kështu shifrën më të vogël prej kur Spanja ka shpallur gjendje alarmi më 14 mars.
Të dielën, fëmijët spanjollë nën moshën 14-vjeçare janë lejuar të dalin nga shtëpitë e tyre për një orë në ditë.
Ndërkohë më 2 maj, gjithë popullsia do të lejohet të ecë dhe të bëjë ushtrime në ambiente të jashtme, nëse shkalla e infektimit vazhdon të bie.
Trump kërkon që fabrikat e përpunimit të mishit të vazhdojnë punën
Presidenti amerikan, Donald Trump ka urdhëruar fabrikat për përpunimin e mishit që të vazhdojnë punën, në mënyrë që të mbrohet zinxhiri i furnizimit me ushqim edhe në kohën e pandemisë me koronavirus.
Ai ka përmendur një ligj të periudhës së Luftës Koreane për t’i dhënë të drejtë vendimit të ri, pavarësisht paralajmërimeve për tendosje të rrjetit të furnizimit.
Deri më tani, 3,300 punëtorë amerikanë të përpunimit të mishit janë prekur me koronavirus derisa 20 kanë vdekur.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar muajin e kaluar se emergjenca e krijuar është duke rrezikuar zinxhirët e furnizimit me ushqim.
Deri më tani 22 fabrika të përpunimit të mishit në Shtetet e Bashkuara janë mbyllur për shkak të pandemisë.
Aty përfshihen disa prej kompanive më të mëdha të prodhimit të mishit të pulës, derrit dhe viçit, sikurse Smithfield Foods, Tyson Foods, Cargill dhe JBS USA.
Shtetet e Bashkuara janë prekur më së keqi në botë nga koronavirusi i ri.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në këtë territor deri më tani janë infektuar mbi 1 milion persona me koronavirus, derisa mbi 50,000 kanë vdekur nga po ai.