Aeroporti i ri i Berlinit do të hapet pas nëntë vjetësh vonesë
Pavarësisht mungesës së pasagjerëve për shkak të pandemisë me koronavirus, Aeroporti i ri i Berlinit më në fund ka marrë leje për funksionim nga 31 tetori.
Aeroporti ndërkombëtar, Berlin-Brandenburg ishte planifikuar të hapej në mars të vitit 2011, mirëpo skandalet kanë shtyrë hapjen e tij për pothuajse një dekadë.
Autoritetet ndërtimore kanë dhënë dritën e gjelbër pas 14 vjetëve prej kur kanë nisur punimet.
Ky aeroport do të zëvendësojë aeroportet e vjetra të kryeqytetit gjerman, Tegel dhe Schönefeld.
Berlin-Brandenburg, i njohur edhe ai Aeroporti Willy Brandt, sipas emrit të ish-kancelarit të Gjermanisë Perëndimore dikur, nuk ishte planifikuar që të bëhej gati për verë.
Ndërtimet e këtij aeroporti patën nisur më 2006, mirëpo përgjatë punës, autoritetet janë përballur me një varg problemesh, pasi një kompani për planifkim të ndërtimit ka bankrotuar si dhe ka pasur një varg problemesh tjera, pa harruar edhe ato me dyer të zjarrit dhe kosto publike.
Gjysma e punëtorëve në botë "mund të humbin të ardhurat"
Rreth gjysma e të gjithë punëtorëve në botë janë në rrezik të humbjes së të ardhurave për shkak të pandemisë me koronavirus, ka thënë Organizata Ndërkombëtare për Punë (ILO).
Të dhënat kanë krahasuar të ardhurat e më shumë se 1.5 miliard njerëzve.
Sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi ka infektuar më shumë se 3 milionë persona në gjithë botën, derisa ka lënë të vdekur gati 220,000 pacientë.
Organizata Ndërkombëtare për Punë ka thënë se personat që janë të angazhuar në punë jozyrtare janë më së shumti në rrezik, përkatësisht punëtorët e sektorit të shitjes, prodhimit dhe industrisë ushqimore.
Deri më tani, mbi 2 miliardë punëtorë joformalë janë përballur me rënie të pagës së tyre për 60 për qind në nivel global, përgjatë muajit të parë të shpërthimit të pandemisë.
“Për miliona punëtorë, mungesa e atë ardhurave nënkupton mungesë të ushqimit, të sigurisë dhe të së ardhmes. Miliona biznese në gjithë botën mezi janë duke marrë frymë”, ka thënë drejtori i kësaj Organizate, Guy Ryder.
“Ata nuk kanë kursime apo qasje në kredi. Këto janë fytyrat e vërteta të punës në botë. Nëse ne nuk ju ndihmojmë, ata thjesht do të humbasin”, ka shtuar mes tjerash ai.
Qindra të burgosur në Marok infektohen me koronavirus
Mbi 313 persona është raportuar se janë infektuar në burgjet e Marokut, pas një testimi masiv për koronavirus.
Autoritetet në burgun Ouarzazate në qendër të Marokut kanë regjistruar 303 raste, derisa 10 raste tjera janë raportuar në burgjet në Marrakesh dhe Ksar Kebir.
Shumica e të infektuarve janë të burgosur, ndonëse në mesin e tyre ka edhe roje të këtyre institucioneve.
Testimet masive kanë nisur pasi një person në burgun Ouarzazate ka dalë pozitiv në testin për sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi një javë më parë.
Autoritetet kanë thënë se kanë izoluar të gjitha rastet pozitive.
Aktualisht në burgjet e Marokut janë rreth 80,000 persona.
Në fillim të muajit prill, më shumë se 5,654 të burgosur janë falur nga mbreti, me qëllim të zvogëlimit të rrezikut nga përhapja e koronavirusit në burgjet e stërmbushura.
Maroku deri më tani ka konfirmuar 4,252 raste me koronavirus, duke përfshirë 165 të vdekur.
Fëmijët mund të përqafojnë sërish gjyshërit në Zvicër
Autoritetet zvicerane kanë thënë se tani është e sigurt që fëmijët nën moshën 10-vjeçare mund të përqafojnë gjyshërit e tyre, në kohën e pandemisë me koronavirus.
Shefi për Sëmundje Infektuese në Ministrinë e Shëndetësisë, Daniel Koch, ka thënë se shkencëtarët kanë vërtetuar që fëmijët e vegjël nuk bartin virusin.
Megjithatë, ai ka thënë se takimet mes tyre duhet të jenë të shkurtra.
“Fëmijët e vegjël nuk infektohen dhe nuk e bartin virusin. Ata nuk kanë receptorë për të marrë sëmundjen”, ka thënë ai.
Koch ka thënë edhe se shumë gjyshër “jetojnë për të parë nipat dhe mbesat” dhe kjo gjë është shumë e rëndësishme për shëndetin e tyre mendor.
Zvicra është një prej dhjetëra vendeve në Evropë që kanë filluar të lehtësojnë masat e tyre të izolimit.
Këtë javë janë lejuar që të hapen kopshtet dhe parukeritë, derisa shkollat dhe dyqanet tjera që shesin produkte jo të domosdoshme do të mund të rihapen në dy javë.