Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
16:36 29.4.2020

Izraelitët shënuan Ditën e Pavarësisë nën izolim për shkak të pandemisë

Izraelitët festuan Ditën e Pavarësisë kryesisht në shtëpi, pasi vendi ndodhet në izolim mbarëkombëtar që ka për qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.

Festa kombëtare, që nderon krijimin e shtetit të Izraelit më 1948, zakonisht kalohet me festime në ambiente të hapura dhe duke ndezur fishekzjarre.

Këtë vit, megjithatë, qeveria ka ndaluar tubimet publike dhe ka urdhëruar njerëzit të qëndrojnë brenda ose në kopshtet e shtëpive të tyre.

Transporti publik është mbyllur dhe policia po monitoron rrugët për të parandaluar udhëtimin.

Forcat ajrore izraelite u kushtuan fluturimet vjetore punonjësve shëndetësorë, me aeroplanët që kryen akrobaci ajrore mbi spitalet dhe qendrat mjekësore.

Ngjarjet e tjera që shënuan këtë festë duhej të transmetoheshin në internet.

Izraeli ka raportuar më shumë se 15,700 raste dhe të paktën 210 vdekje nga koronavirusi.

Megjithatë, që nga mesnata e së mërkurës vendi do të lehtësojë masat e izolimit, duke lejuar hapjen e disa dyqaneve me kusht që ato t'u përmbahen rregullave të higjienës dhe distancimit fizik për konsumatorët.

Tel Avivi gjatë pandemisë
Tel Avivi gjatë pandemisë

16:09 29.4.2020

Serbia regjistron pesë viktima dhe 227 raste të reja me koronavirus

Republikës së Serbisë, gjatë 24 orëve të fundit i janë shtuar edhe pesë viktima nga koronavirusi i ri.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve në këtë vend ka arritur në 173, njoftoi Shtabi i Krizës i formuar nga qeveria serbe, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Viktimat e reja janë dy gra dhe tre burra.

Të mëkurën janë regjistruar edhe 227 raste me koronavirusin e ri, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuuarve në 8,724.

Në 24 orët e fundit janë testuar 5,579 persona.

Në Serbi shkalla e vdekjeve nga koronavirusit aktualisht është 1.98 për qind e pacientëve, tha Darija Kisiq Tepavçeviq, zëvendësdrejtore e Institutit të Shëndetit Publik.

15:47 29.4.2020

Dy viktima të reja nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut

Janë regjistruar edhe dy viktima të reja nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve në 73.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se viktimat janë dy të moshuar nga Shkupi dhe Prilepi, të cilët kanë pasur edhe probleme tjera shëndetësore, por që do të evidentohen si të vdekur nga COVID-19.

Edhe të mërkurën, sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i të shëruarve është më i lartë se ai i të infektuarve.

Autoritetet kanë regjistruar 21 të infektuar ndërsa 38 të shëruar, 19 prej të cilëve në Shkup.

Numri i të infektuarve tani ka arritur në 1,442, prej të cilëve 742 janë ende të infektuar ndërsa 627 të shëruar.

Në mesin e personave me rezultat negativ nga COVID-19 janë edhe kryeministri Oliver Spasovski dhe ministrisë i Shëndetësisë, Venko FIlipçe, të cilët për dy javë kanë qëndruar në vetizolim për shkak të pjesëmarrjes në një takim në Kumanovë me kryetarin e kësaj komune që kishte dalë pozitiv me koronavirus.

Të dhënat e ministrisë kanë të bëjnë me 279 teste të kryera në gjithë vendin, ndërkohë që numri i përgjithshëm i testeve, që nga paraqitja e rastit të parë ka arritur në 16,050.

15:14 29.4.2020

Gjermania në recesionin më të keq që nga Lufta e Dytë Botërore

Gjermania do të përballet me recesionin më të thellë që nga Lufta e Dytë Botërore, tha ministri i Ekonomisë, Peter Altrmaier.

"Ne po përballemi me sfida të mëdha, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe politik," u tha Altmaier gazetarëve në Berlin, duke paraqitur parashikimin e qeverisë për ekonominë më të madhe të Evropës.

Berlini thotë se brudo produkti i brendshëm do të ketë një ulje prej minus 6.3 për qind në vitin 2020, raporton Reuters.

Qeveria gjermane pret që recesioni të përfundojë në tremujorin e dytë të këtij viti dhe aktiviteti ekonomik të rritet përsëri pas kësaj periudhe.

Altmaier paralajmëroi se autoritetet nuk duhet të nxitojnë për të lehtësuar masat e izolimit pasi kjo do të rrisë rrezikun e një valë të dytë të të infektuarve që mund të pengojnë rimëkëmbjen e pritshme ekonomike në gjysmën e dytë të vitit.

Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins, në Gjermani janë të konfirmuar 160,059 raste të të infektuarve me koronavirus.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG