Bashkimi Evropian ndan 3,3 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor
Në prag të samitit virtual, përmes video konferencës, të liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Komisioni Evropian sot (29 prill) ka prezantuar paketën e ndihmës për Ballkanin Perëndimor.
Kjo paket, që përfshinë asistencën financiare të BE-së dhe Kreditë e Bankës Evropiane të Investimeve, mbërrin shifrën prej 3,3 miliardë euro.
Sipas njoftimit të Komisionit Evropian kjo paketë ka për qëllim adresimin e menjëhershëm të nevojave shëndetësore dhe humanitare të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit si dhe për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike.
Në komunikatën e Komisionit Evropian thuhet se, krahas kësaj, Komisioni Evropian më vonë gjatë vitit do të dalë edhe me propozimin për mbështetje afatgjate të rajonit, përmes investimeve në formën e një Plani Ekonomik të Investimeve.
Duke komentuar diskutimet e sotme në Kolegjin e Komisionit, presidentja Ursula van der Layen, ka thënë se BE-ja ka një përgjegjësi speciale për të ndihmuar partnerët në Ballkanin Perëndimor, në kohën e pandemisë pasi e ardhmja e tyre është në Bashkimin Evropian.
“BE-ja po mobilizon një paketë financiare duke konfirmuar solidaritetin tonë të fuqishëm. Së bashku do ta tejkalojmë krizën. Dhe përtej kësaj, do të vazhdojmë të mbështesim rajonin, përfshirë edhe në reformat që duhen në rrugën e tyre drejt BE-së. Dhe rimëkëmbja do të jetë e suksesshme vëtëm nëse vendet i kryejnë këto reforma”, ka thënë Presidentja e Komisionit Evropian.
Bashkimi Evropian ka rikujtuar vendet e rajonit të Ballkanit që të fokusohen në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit dhe dhënies së rezultateve në këto fusha.
Kjo porosi do të përsëritet edhe gjatë video konferencës së liderëve që do të zhvillohet me 6 Maj, kur është menduar të zhvillohej samiti i Zagrebit mes vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Nga ky samit do të përsëritet përkushtimi i BE-së për të forcuar lidhjet me vendet e Ballkanit perëndimore dhe përfshirjen e tyre në nismat evropiane në shumë fusha, prej zhvillimit ekonomik e deri tek masat për ruajtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike.
Kurti dhe komandanti i KFOR-it diskutojnë për situatën e pandemisë
Kyeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti ka pritur sot në takim komandantin e KFOR-it, Michele Risi, me të cilin ka biseduar në lidhje me situatën e përgjithshme të sigurisë dhe luftimin e më tutjeshëm të COVID-19, thuhet në një komunikatë të përbashkët të Qeverisë në detyrë dhe KFOR-it.
"Gjenerali Risi e ka informuar kryeministrin në detyrë në lidhje me ushtarët e infektuar me COVID19, duke thënë se ata po trajtohen në objektet mjekësorë të KFOR-it. Ai po ashtu konfirmoi se falë masave parandaluese dhe të rrepta të ndërrmarra që nga fillimi në të gjitha bazat dhe objektet, aftësitë dhe kapacitetet e KFOR-it nuk janë minuar nga COVID-19. Një numër i kufizuar i ushtarëve janë infektuar. Ata po trajtohen në objektet mjekësore të KFOR-it ose po shërohen në vendet e tyre të lindjes", thuhet në njoftim.
Gjenerali Risi gjithashtu ka shprehur përkushtimin e KFOR-it për të kontribuuar në sigurinë dhe mbrojtjën e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, thuhet mes të tjerash në njoftim.
Pompeo: Kjo nuk është hera e parë që një virus del nga Kina
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Shtetet e Bashkuara besojnë se ka shumë laboratorë në Kinë që punojnë në patogjene (bakter ose mikrob që shkakton sëmundje) ngjitëse, por nuk e di nëse objektet kanë siguri të përshtatshme për të parandaluar pandemitë e ardhshme.
"Ne vlerësojmë se ka laboratorë të shumtë brenda Kinës që po vazhdojnë të punojnë, me patogjenet ngjitëse", tha Pompeo në një konference për shtyp në Departamentin e Shtetit.
"Ne nuk e dimë nëse ata po punojnë me një nivel të sigurisë për të parandaluar që kjo (pandemia e koronavirusit) të ndodhë përsëri. Mos harroni kjo nuk është hera e parë që ne kemi pasur një virus të dalë nga Kina", tha Pompeo.
Koronavirusi i ri u paraqit për herë të parë në Kinë, në fund të vitit të kaluar dhe shumë shpejt u shpërnda në të gjithë botën.
Më 19 prill, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar Kinën se mund të përballet me pasoja, nëse ishte “me vetëdije përgjegjëse” për përhapjen e koronavirusit.
“Ka mundur të ndalet në Kinë para se të fillojë përhapjen, e gjithë bota po vuan për shkak të kësaj”, ka thënë Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Në Kroaci janë konfirmuar edhe 15 raste me koronavirus
Në Kroaci gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar edhe 15 persona të infektuar me koronavirusin e ri, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 2.062.
Kështu bëri të ditur kryesuesja e Shtabit të Krizës, Maja Grba Bujeviq, në një konferencë për media.
Ajo tha se deri më tani janë testuar 34.476 persona, 899 prej tyre në 24 orët e fundit.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve në këtë vend ka arritur në 67.