Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
21:04 29.4.2020

Numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë - 799

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se të mërkurën janë konfirmuar edhe 9 raste me koronavirus në Kosovë.

Nëntë testet pozitive kanë rezultuar pas 225 testimeve që janë bërë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Sipas ministrit Vitia, të shëruar nga sëmundja COVID-19 janë regjistruar 17 pacientë duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 249.

"Dita e tretë me radhë kur ne të gjithë po i marrim rezultatet e angazhimit të përbashkët.Faleminderit personelit shëndetësor, policëve, zjarrëfiksëve, kryetarëve të komunave, administratës, pastruesëve dhe të gjithëve të angazhuar në këtë betejë të përbashkët", ka shkruar Vitia.

Deri më tani në Kosovë nga koronavirusi i ri kanë humbur jetën 22 persona.

Më herët, Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka njoftuar se aktualisht aty janë të hospitalizuar 51 persona, prej tyre 36 janë të infektuar me koronavirus.

Nga të prekurit, dy pacientë janë në gjendje të rëndë dhe përkujdesje intensive, 28 janë në gjendje stabile, derisa 7 të tjerë janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi.

20:37 29.4.2020

OBSH-ja thotë se ka vepruar me vendosmëri ndaj krizës së pandemisë

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanon Ghebreyesus, thotë se OBSH-ja ka vepruar "me shpejtësi dhe vendosmëri' për t'iu përgjigjur krizës së pandemisë së koronavirusit.

"Që në fillim, Organizata ka vepruar me shpejtësi dhe vendosmëri në përpjekje për të paralajmëruar botën", tha ai gjatë një konference për media në Gjenevë.

Gjatë muajve të fundit, OBSH-ja ka trajnuar 2.3 milionë profesionistë të kujdesit shëndetësor në të gjithë botën, tha Tedros.

Mike Ryan, një ekspert kryesor i OBSH-së për emergjencat, tha se kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara po planifikon një "rritje" të nivelit të testimit në vendet me standard të ulët.

"Pajisja me teste është ende një çështje kritike, në shumë pjesë të botës", tha Ryan.

Ai gjithashtu nuk pranoi të komentojë raportet e publikuara më 29 prill se ilaçi nga kompania amerikane Gilead Science mund të ndihmojë në trajtimin e COVID-19.

"Unë nuk do të doja të bëja komente specifike sepse nuk e kam lexuar studimin në detaje," tha Ryan, duke shtuar se ndonjëherë duhen më shumë studime për të përcaktuar efektivitetin e një ilaçi.

"Shpresojmë që ky ilaç dhe të tjerët të dëshmojnë se janë të suksesshëm në trajtimin e COVID-19".

Laboratori amerikan njoftoi të mërkurën, se ilaçi i tij remdesivir tregoi rezultate "pozitive" në pacientët me COVID-19.

Presidenti amerikan, Donald Trump, nga ana tjetër, tha se është lajm i mirë se ky ilaç mund të ndihmojë në luftimin e koronavirusit, ndërsa Anthony Fauci, zyrtari kryesor shëndetësor i SHBA-së, tha se të dhënat treguan se ilaçi po ndihmonte të sëmurët me COVID-19 , dhe se zvogëlon kohën që duhet për tu shëruar nga virusi.

Por, ai shtoi gjithashtu se ilaçi duhet të analizohet më shumë.

19:54 29.4.2020

Nju Jorku raporton për 330 raste të reja të vdekjeve nga COVID-19

Shteti i Nju Jorkut në SHBA ka raportuar 330 vdekje të reja nga COVID-19.

Një ditë më parë ishin raportuar 335 vdekje.

Autoritetet njoftuan se është shënuar rënie edhe e numrit të pacientëve në spitale.

Nga 2,000 teste që janë bërë së fundmi 17.1% e punonjësve të departamentit të zjarrfikësve në Nju Jork dhe 10.5% të oficerëve të policisë kanë dalë pozitivë për antitrupin Covid-19.

Nju Jorku është shteti më i goditur nga koronavirusi.

Në Shtetet e Bashkuara deri më tani janë konfirmuar mbi 1 milion raste të të infektuarve.

19:04 29.4.2020

Mali i Zi raporton edhe për një rast me koronavirus

Mali i Zi ka raportuar edhe për një rast të konfirmuar me COVID-19, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 322.

Që nga 24 prilli në këtë vend nuk ishte raportuar për asnjë rast të ri me koronavirus.

Shefja e Divizionit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Sanja Medenica paralajmëroi se të gjitha masat e përcaktuara nga Trupi Koordinues Kombëtar për Sëmundjet Infektive duhet të respektohen rreptësisht.

"Një valë e re e epidemisë do të thotë një rritje e madhe e numrit të pacientëve. Prandaj, së shpejti do të fillojmë testimin mbi baza vullnetare në mënyrë që të regjistrojmë sa më shumë të sëmurë pa simptoma të virusit. Deri më tani, rreth 20 përqind prej nesh kanë qenë transportues pa simptoma dhe këta kanë qenë kryesisht fëmijë", tha Medenica.

Në Mal të Zi, 10 pacientë aktualisht janë shtruar në spital, dy prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.

Video nga arkivi:

Disiplina shuan vatrën e epidemisë në Mal të Zi
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:19 0:00

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG