Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
10:50 30.4.2020

Bundesliga gjermane - sinjal për sportet tjera në botë

Sytë e botës sportive do të jenë këtë javë kah Gjermania dhe kancelarja Angela Merkel, e cila po argumenton me zyrtarët rajonalë të sportit nëse duhet të rinisë ose jo liga vendore e futbollit, Bundesliga.

Nëse ajo rikthehet më 9 maj, do të dërgonte një sinjal të fuqishëm te ligat e tjera të futbollit në Evropë, si Premier Liga e Anglisë, La Liga e Spanjës dhe Serie A e Italisë, se edhe ato mund t’i rinisin sezonet 2019-2020, të cilat janë pezulluar në mars, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Edhe nëse rinisja në maj e Bundesligës është pak shumë optimiste - siç thonë disa - ajo do të ishte e para në Perëndim që rinis garat, prejse izolimet dhe masat e distancimit fizik kanë anuluar sportet në gjithë botën.

Materialin e plotë e gjeni këtu

10:25 30.4.2020

Kina “do të bëjë gjithçka” që Trump të humbë zgjedhjet

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Kina “do të bëjë gjithçka që mundet” ashtu që ai të humbë në zgjedhjet për president, duke shtuar kështu kritikat ndaj Pekinit në kohën e pandemisë me koronavirus.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Reuters, ai ka thënë se Pekini përballet me “shumë” pasoja të mundshme nga Shtetet e Bashkuara për shkak të shpërthimit të virusit.

Ai ka thënë se Kina është dashur t’i tregojë botës shumë më herët për sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Mirëpo vetë Trump akuzohet shpesh se nuk ka bërë mjaftueshëm për ta luftuar krizën, pasi koronavirusi ka dëmtuar rëndë ekonominë amerikane, e cila ka qenë pika kyçe e Trumpit në garën për rizgjedhje në muajin nëntor.

Trump, i cili ka nisur një luftë tregtare me Kinën, nuk ka ofruar detaje se si mund të veprojë kundër Kinës.

“Ka shumë gjëra që unë mund të bëjë. Do të shohim çfarë po ndodh”.

Ai ka shtuar se: Kina do të bëjë gjithçka që unë të humb në këtë garë”.

Presidenti republikan ka thënë se beson që Pekini dëshiron më shumë që konkurenti i tij demokrat, Joe Biden të fitojë zgjedhjet.

09:51 30.4.2020

Kosovë: 33 pacientë të shtrirë me koronavirus

Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka njoftuar se aktualisht aty janë duke u trajtuar 33 pacientë të prekur me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Sipas njoftimit të kësaj Klinike, një paciente është në gjendje të rëndë dhe në përkujdesje intensive, pesë raste janë në trajtim me oksigjenoterapi, derisa 27 të prekurit tjerë janë në gjendje stabile.

“Nga klinika do të lirohen dy pacientë të shëruar nga infeksioni me Covid -19, ndërsa pesë pacientë me Covid -19 pozitivë lirohen në gjendje të mirë shëndetësore”, është thënë mes tjerash në njoftim.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, deri më tani në Kosovë 799 persona janë infektuar, 249 janë shëruar derisa 22 kanë vdekur, si pasojë e këtij virusi.

09:11 30.4.2020

Elon Musk kritikon rregullat “fashiste” të izolimit

Miliarderi Elon Musk ka kritikuar izolimin e Kalifornisë si pasojë e koronavirusit, duke thënë se kanë qenë “fashiste” deklaratat se njerëzit nuk mund të largohen nga shtëpitë e tyre.

“Kjo nuk është demokratike, kjo nuk është liri. Kthejuani njerëzve mbrapa lirinë”, ka thënë ai gjatë një bisede me punëtorët e kompanisë së tij, Tesla.

Musk njihet për komentet e tij të drejtpërdrejta, të cilat janë tejet ndryshe prej miliarderit tjetër të gjigantit Facebook, Mark Zuckerberg – i cili ka shprehur shqetësime për lehtësim të hershëm të masave të izolimit.

Kompanitë Facebook dhe Tesla janë prekur ndryshe nga vendimi i autoriteteve të Kalifornisë për izolim.

Teksa përdoruesit kanë qasje në Facebook edhe në ditët e pandemisë me koronavirus, Tesla është detyruar të pezullojë prodhimin nga mesi i muajit mars.

Shtetet e Bashkuara janë prekur më së keqi në botë nga koronavirusi, duke regjistruar mbi 1 milion të prekur dhe mbi 60,000 të vdekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton ky virus.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG