Paralajmërohen dënime për ata që dalin nga shtëpitë për 1 Maj
Ministria në detyrë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike në Kosovë u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që Ditën e Punëtorëve, më 1 Maj, të mos dalin nga shtëpitë e tyre.
Zakonisht me këtë datë, qytetarë të shumtë dalin në Parkun e Gërmisë dhe parqet të tjera në Kosovë. Por këtë vit, ata që dalin, do të mund të dënohen.
“E kuptojmë shumë mirë situatën lidhur më 1 majin, që në vendin tonë është edhe si traditë dalja masive e qytetarëve, megjithatë kërkojmë mirëkuptimin tuaj, që edhe kësaj radhe të mos dilni dhe të zbatoni vendimet e Qeverisë, në të kundërtën do të dënoheni sipas dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në njoftimin e autoriteteve.
Kjo Ministri ka kërkuar nga qytetarët “që të vazhdojnë të respektojnë vendimin për kufizim të lëvizjes të Ministrisë së Shëndetësisë, për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid 19”.
“Dëshirojmë të ju rikujtojmë se vazhdojnë të mbeten në fuqi të gjitha vendimet e Qeverisë së Kosovës, për mbylljen e parqeve dhe të gjitha hapësirave publike dhe nuk do të lejohet grumbullimi i qytetarëve në masë”, është thënë mes tjerash në njoftim.
Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, më 15 prill në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.
Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.
Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, deri më tani në Kosovë 799 persona janë infektuar, 249 janë shëruar derisa 22 kanë vdekur, si pasojë e këtij virusi.
Presidenti brazilian reagon ashpër ndaj kërkesave për të komentuar numrin e viktimave nga koronavirusi
Brazili ka regjistruar një rekord prej 6,276 rasteve të reja me koronavirus një ditë më parë.
Deri më tani ky është vendi i prekur më së keqi nga ky virus në gjithë Amerikën Latine, pasi numri total i të infektuarve ka arritur në 79,685, ndërkohë që më shumë se 5,500 pacientë kanë vdekur.
Presidenti Jair Bolsonaro ka minimizuar kërcënimin që përbën ky virus për njerëzit.
I pyetur nga gazetarët për të ndonjë koment pasi brenda një dite janë regjistruar më shumë se 5,000 të infektuar, ai ka thënë: Çfarë tani? Më vjen keq. Çfarë dëshironi të bëj unë?”
Një prej qyteteve më të prekura është Manaus në Amazon.
Kryetari i këtij qyteti ka thënë se autoritet janë duke u përgatitur për 4,000 viktima tjera në muajin maj, apo katër herë më shumë në krahasim me ditët normale.
Kosova vonon pakon për rimëkëmbjen ekonomike
Kosova duhet të aprovojë sa më shpejt pakon për rimëkëmbjen ekonomike, që mund të jetë disa qindra milionë euro, për të zvogëluar dëmet nga pandemia COVID-19, kanë thënë ekonomistë të vendit.
Qeveria e Kosovës ka miratuar një pako emergjente fiskale në vlerë prej rreth 180 milionë euro, por si e tillë kjo pako është konsideruar më shumë sociale dhe jo pako e cila ndihmon ekonominë të kalojë krizën dhe të rimëkëmbet.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova po hyn nga një krizë ekonomike në një krizë edhe më të thellë ekonomike dhe shteti nuk po vepron në kohën dhe mënyrën e duhur.
“Është e vërtetë që goditjet më të mëdha nga një situatë të tillë e ka pësuar sektori privat dhe komuniteti i biznesit. Në këtë drejtim ne kemi thënë që sfida më e madhe e Kosovës në të ardhmen nuk do të jetë pandemia e koronavirusit, por pandemia ekonomike dhe për fat të keq pandemia politike”, thotë Gërxhaliu.
Në cilën fazë është tani pakoja e rimëkëmbjes?
Hollësitë i kuptoni duke klikuar këtu.
Yjet e tenisit do të garojnë në një turne online
Teksa garat e sportit janë shtyrë ose anuluar për shkak të pandemisë me koronavius, disa yje të tenisit janë duke planifikuar që të tregojnë kapacitetet e tyre në një turne online të këtij sporti.
Serena Willams, Naomi Osaka dhe Maria Sharapova janë në mesin e atleteve që do të marrin pjesë në Turneun Mario Tennis Aces.
Ato do të bëhen bashkë me personalitete tjera dhe do të luajnë si karaktere të kësaj loje në Nintendo Switch.
Kjo ngjarje do të transmetohet në rrjetin social, Facebook më 3 maj.
Sportit online i është rritur popullariteti pas përhapjes së koronavirusit të ri, çka ka shtyrë lojtarët dhe shumë liga të nisin organizimin e ndeshjeve online, për të mbajtur tifozët të angazhuar.