Shifra rekorde të papunësisë në SHBA si pasojë e krizës së pandemisë
Më shumë se 3.8 milionë amerikanë të papunë kanë kërkuar ndihmë nga autoritetet gjatë shtatë ditëve të fundit për shkak të krizës ekonomike, që vlerësohet të jetë më e rënda që nga vitet '30.
Numri i përgjithshëm i qytetarëve amerikanë që kanë kërkuar dëmshpërblim financiar që nga shpërthimi i pandemisë - gjashtë javë më parë - ka arritur në 30.3 milionë.
Kjo shifër, sipas agjencisë AP, është më shumë se popullsia e Nju Jorkut dhe Chicikagos me zonën përreth.
Ekspertët parashikojnë që shkalla e papunësisë mund të arrijë në 20 për qind në muajin prill.
Ekonomia amerikane u tkurr për 4,8 përqind në tremujorin e parë, dhe vlerësohet se mund të bjerë me një rekord prej 40 për qind në tremujorin e dytë (prill-qershor).
Ky nivel i rënies nuk ka ndodhur gjatë asnjë tremujori, që nga koha e pas Luftës së Dytë Botërore.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri më tani kanë numrin më të lartë në botë të personave që kanë vdekur nga sëmundja COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri. Numri i të infektuarve ka arritur në 1,040,488, ndërkaq, nga koronavirusi kanë humbur jetën 60,999 amerikanë.
Katër viktima të reja nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut
Në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar edhe katër viktima të reja nga koronavirusi.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, dy viktima janë nga Kumanova dhe nga një në Shkup dhe në Gostivar.
Numri i të vdekurve ka arritur në 77.
Të dhënat e Ministrisë flasin edhe për shifër rekord të të shëruarve që nga paraqitja e koronavirusit.
Në 24 orët e fundit, janë regjistruar 111 persona të shëruar nga Covid-19. Nga 386 testet e kryera, 23 persona kanë rezultuar të infektuar.
Sipas të dhënave të reja, numri i të shëruarve është më i lartë se i të infektuarve.
Nga 1,464 të infektuar, 738 janë shëruar ndërsa 650 janë ende pozitiv.
Pacolli thotë se është në Shqipëri
Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka njoftuar përmes rrjeteve sociale se është në Shqipëri duke punuar në projektin për rindërtim të Thumanës, që ishte dëmtuar rëndë si pasojë e tërmetit që pati goditur Shqipërinë në nëntor të vitit të kaluar.
“Ç’është ky Xhelali, sinonim i xhandarit personal të kryeministrit në letërsinë komuniste, që shkel ligj dhe kushtetutë e që më kërcënoka mua, ndërsa jam duke përkryer projektin e rindërtimit të Thumanës nga tërmeti, në banesën time? Ç’janë këta policë të mendimit, këta luogotenentë marksistë që kërcënojnë dhe kryeministrin e Shqipërisë se më strehoka mua? Mua që me votën time mund të votuam qeverinë e pasardhësit të zotëri Kurtit?”, ka thënë Pacolli në një postim në rrjetin social, Facebook.
Ai duket se me këto komente u është referuar reagimeve të fundit mes zyrtarëve shtetërorë, lidhur me kthimin e Pacollit nga Zvicra në Kosovë.
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kërkuar që kur kreu i AKR-së, të kthehet nga Zvicra të shkonte në Qendrën e Studentëve, e cila është shndërruar në karantinë, pas përhapjes së koronavirusit në Kosovë.
Një gjë e tillë është refuzuar nga ana e Pacollit.
Ekonomia e Eurozonës tkurret në shkallë rekorde
Ekonomia e Eurozonës është tkurrur me ritmin më të shpejtë në çerekun e parë të këtij viti, teksa pandemia me koronavirus ka shtyrë shumë shtete të izolohen.
Vlerësimi i parë i bruto-prodhimit të brendshëm në periudhën janar-mars, ka treguar tkurrje prej 3.8 për qind më të shpejtë në krahasim me krizën financiare.
Të dhënat e publikuara për secilin shtet kanë treguar rënie të madhe të aktivitetit ekonomik në Francë dhe Spanjë në këtë periudhë kohore.
Në Gjermani, papunësia është rritur, ndonëse shifrat janë relativisht të ulta në krahasim me kombet tjera.
Të mërkurën, Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se ekonomia e tyre është duke u përballur me tkurrjen më të madhe për më shumë se një dekadë pasi shkalla vjetore e bruto-prodhimit të brendshëm ka rënë për 4.8 për qind.