Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
17:58 30.4.2020

BE-ja dorëzon pjesën e parë të ndihmës për Kosovën

Institucionet e Kosovës e kanë pranuar pjesën e parë të ndihmës prej 5 milionë euro të cilën e ka ndarë Bashkimi Evropian për të luftuar pandeminë e COVID-19.

"Kjo ndihmë, përfshin mbi 1.4 milionë doreza të ndryshme mbrojtëse mjekësore, 4 mijë mburoja për fytyrën, 3 mijë syze mbrojtëse, 4 mijë litra dezinfektues duarsh, 10 mijë palë shtroje njëpërdorimshe, dhe 50 kuti për transportimin e mostrave laboratorike", thuhet në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostollova, e cila e bëri dorëzimin e ndihmës, tha se përkundër situatës së vështirë te vendet anëtare të BE-së, ato kanë vendosur të ndihmojnë Kosovën në përballimin e kësaj situate.

“Ky është momenti kur mund të ofrojmë mbështetje konkrete të Bashkimit Evropian për njerëzit në nevojë dhe profesionistët e shëndetësisë, ata që janë në vijën e parë të kësaj pandemie - në luftë për të shpëtuar jetët e njerëzve”, tha Apostolova.

Pjesa tjetër e ndihmës do të dorëzohet gjatë javëve të ardhshme.

Përveç kësaj ndihme direkte për sektorin e shëndetësisë, BE-ja po përgatit edhe rreth 63 milionë euro si masa afatmesme për ndihmë për grante socio-ekonomike, si dhe rreth 100 milionë euro kredi si ndihmë makro-ekonomike për Kosovën.

17:25 30.4.2020

Një ditë pune në Klinikën Infektive të QKUK-së

Ministria e Shëndetësisë ka publikuar disa forografi të personelit mjekësorë, gjatë një dite pune në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Aty janë duke u trajtuar 33 pacientë të prekur me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, deri më tani në Kosovë 799 persona janë infektuar, 249 janë shëruar derisa 22 kanë vdekur, si pasojë e këtij virusi.

16:54 30.4.2020

BE-ja dënon sulmet kibernetike në kohën e pandemisë

Bashkimi Evropian ka drejtuar akuza - pa specifikuar ndaj kujt - për "shfrytëzim" të pandemisë së koronavirusit për të kryer sulme kibernetike "qëllimkëqija" që synojnë infrastrukturën "kritike", përfshirë atë të sektorit të kujdesit shëndetësor.

"Që nga fillimi i pandemisë, janë zbuluar fushata të sulmeve kibernetike", tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, përmes një deklarate më 30 prill.

Deklarata u bë në emër të 27 vendeve anëtare të bllokut.

"Të gjithë autorët duhet menjëherë të përmbahen nga kryerja e veprimeve të tilla të papërgjegjshme dhe destabilizuese, të cilat mund të rrezikojnë jetën e njerëzve", thuhet në deklaratë.

Në fillim të këtij muaji, zyrtarët çekë thanë që sistemet e teknologjisë së informacionit në aeroportin ndërkombëtar të Pragës, disa spitale dhe Ministria e Shëndetësisë ishin në shënjestër të një sulmi kibernetik, i cili nxiti zemërim në Pragë, si dhe në Uashington.

Zyrtarët çekë dyshojnë se hakerët rusë mund të kenë qenë mbrapa sulmeve në internet. Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësimin për sulmet kibernetike që synojnë spitalet në Çeki- disa prej të cilave arritën të parandalojnë sulmet.

Në fund të marsit, gjigandi francez i teknologjisë së mbrojtjes Thales paralajmëroi se aktorë shtetërore dhe kriminelët po përdorin epideminë e koronavirusit për të kryer sulme në internet.

16:01 30.4.2020

Kosova lehtëson masat e izolimit

Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se nga data 4 maj, do të fillojë lehtësimi gradual i masave të izolimit, të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Lehtësimi i masave, sipas tij, do të zhvillohet në 3 faza.

Faza e parë përfshin periudhën nga 4 maji deri më 18 maj dhe gjatë kësaj kohe do të hapen bizneset, si: ndërtimtaria dhe patundshmëria, tregtia e automjeteve, pjesërisht tregtia me pakicë, pjesërisht riparimi i artikujve personalë dhe i orendive, si dhe zyrat e konsulencës.

Faza e dytë fillon nga 18 maji deri më 2 qershor dhe gjatë saj do të fillojë operimi i bizneseve, si: tregtia me pakicë, dentistët dhe fizioterapeutët, floktarët dhe sallonet e ondulimit, tregu i gjelbër, gastronomia, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban dhe qendrat e thirrjeve.

Faza e tretë, ndërkaq, hyn në fuqi më 2 qershor e deri në vendimin e radhës dhe do të lejohen transporti urban dhe ndër-urban, taksitë, gastronomia, provimet në arsimin e lartë, testi i maturës dhe arritshmërisë, hapja e kinemave, e teatrove dhe hapja selektive e aktiviteteve sportive.

Ministri në detyrë, Vitia, ka thënë se virusi nuk duhet të injorohet.

“Përkundër progresit, nuk e kemi zhdukur virusin. Nuk do të kemi situatë normale këtë vit dhe sa më parë që e kuptojmë këtë, do të jetë më e lehtë që ta kalojmë sa më shpejt. Nuk do të ketë ditëlindje me miq, fejesa e martesa e ndoshta as ceremoni mortore. Vit i distancës prej 2 metrash, i dorezave dhe maskave”, ka thënë Vitia para gazetarëve.

Masat do të lehtësohen, ka thënë Vitia varësisht prej rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Sipas tij, nga 4 maji qytetarët do të mund të lëvizin më shumë, nga 1.5 orë - sa është koha e lejueshme aktualisht - në 3 orë në dy orare, paradite dhe pasdite.

“Arritëm që ta ulim përqindjen e të infektuarve. Falë kësaj, tash mund t'i zbusim këto masa. Do të kemi ditë të mira me më pak të infektuar, ashtu si do të kemi të vështira me më shumë të infektuar, por mbesim me shpresë që masat e reja do të na çojnë përpara e jo mbrapa”, ka thënë Vitia.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që e shkakton koronavirusi, më 15 prill Kosova ka vendosur masat e reja të kufizimeve të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, kur edhe do të hyjnë në fuqi masat e reja të prezantuara nga ministri në detyrë, Arben Vitia.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG