Pacolli kthehet në Kosovë, nuk e di nëse do të dërgohet në karantinë
Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka arritur të enjten në aeroportin Adem Jashari në Prishtinë.
Ai ka thënë se do të respektojë vendimet e institucioneve të Kosovës dhe se nuk ka kërkuar asnjëherë që ndaj tij të bëhen përjashtime.
Në pyetjen se a do të dërgohet në karantinë në Qendrën e Studentëve Pacolli u përgjigj se "ende nuk e di".
“Absolutisht nuk e di, i kam perfunduar procedurat. Çka do të ndodhë nga këtu e tutje nuk e di, por nuk i rezistoj dhe i respektoj normat që janë ndërmarrë për çdo qytetar. Nuk do ta toleroja asnjëherë që ndaj meje të ketë përparësi”, u shpreh Pacolli.
Udhëtimi nga Zvicra për në Kosovë i Pacollit ka nxitur përplajse në skenën politike në Kosovë.
Masat e ndërmarra nga qeveria në detyrë e Kosovës, obligojnë të gjithë ata që hyjnë në territorin e Kosovës, nga vendet tjera, të qëndrojnë për dy javë në karantinë në Qendrën e Studentëve.
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, më 29 prill ka deklaruar se nëse Pacolli do të zbulohet se qëndron në Kosovë atëherë organet e sigurisë do të marrin masa ndaj tij për të zbatuar vendimet e qeverisë lidhur me parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Por, Pacolli njoftoi gjatë ditës se gjendej në Shqipëri duke punuar në projektin për rindërtim të Thumanës, që ishte dëmtuar rëndë si pasojë e tërmetit që pati goditur Shqipërinë në nëntor të vitit të kaluar.
Kryeministri rus konfirmon se është infektuar me koronavirus
Kryeministri rus, Mikhail Mishustin, ka thënë se është infektuar me koronavirus.
Ai e ka njoftuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për gjendjen e tij shëndetësore.
Duke folur në një takim, Mishustin propozoi që zëvendëskryeministri i parë, Andrey Belousov, të shërbejë si ushtrues detyre i kryeministrit.
Putin e ka mbështetur propozimin e tij, raporton Reuters.
Rusia deri më tani ka regjistruar 106.498 raste të të infektuarve me koronavirusin e ri dhe 1,073 vdekje.
Johnson: Britania e ka kaluar "pikun" e pandemisë
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, tha se vendi po e kalon "pikun" e pandemisë dhe premtoi se gjatë javës së ardhshme do të paraqesë një strategji të daljes nga izolimi.
"Unë mund të konfirmoj sot se për herë të parë, ne jemi duke kaluar kulmin e kësaj sëmundje", tha Johnson.
Johnson i bëri komentet gjatë konferencës së parë për media, që prej se u shërua nga sëmundja COVID-19.
Britania e Madhe është e dyta në Evropë për numrin e vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi i ri.
Autoritetet kanë njoftuar se numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 26,000.
Italia do të rihapë dy aeroporte
Italia njoftoi se do të hapë dy aeroporte gjatë javës së ardhshme. Bëhet fjalë për një aeroport në Romë dhe një në Firencë, të cilët janë mbyllur për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Aeroportet u mbyllen më 13 mars.
Zyrtarët kanë filluar të lehtësojë masat e izolimit të cilat i kanë vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.
Italia është ndër vendet më të goditura nga koronavirusi në botë. Të enjten autoritetet njoftuan edhe për 285 vdekje të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 27.967.