Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
08:40 1.5.2020

Bandat po përdorin postierët e ushqimit për aktivitete kriminale, thotë Interpoli

Bandat kriminale po përdorin postierët e ushqimit të shpejtë për të shpërndarë substanca narkotike, tha Organizata Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL).

Kokaina, marihuana, ketamina dhe ekstazia janë ndër substancat të cilat vendosen në kuti picash ose në mbështjellës tjerë të ushqimit, tha Interpol.
Këto raste janë identifikuar në vende siMalajzia, Spanja dhe Britania e Madhe.

Agjencia lëshoi një "njoftim" për të paralajmëruar 194 agjencitë e saj anëtare për "këtë formë të re të kriminalitetit".

Dërgesat nga postierë të ushqimit bëhen përmes biçikletave, motoçikletave ose makinave.

"Në një rast në Malajzi, një postier për shpërndarjen e ushqimit e kontaktoi policinë dhe kërkoi që paketa e tij e ushqimit të inspektohej pasi ishte e dyshimtë", tha Interpol.

Në Spanjë, shtatë persona janë arrestuar pasi u paraqitën si postierë të dërgesave të ushqimit por atyre iu gjet drogë në qanta.

Në Irlandë, policia gjeti tetë kilogramë kokainë dhe dy pistoleta të fshehura në kuti picash.

"Ndërsa kriminelët vazhdojnë t'i përshtatin aktivitetet e tyre në botën me COVID-19, paralajmërimet e Interpolit janë mjete që u mundësojnë organeve policore në të gjithë botën të mësojë nga sukseset e njëri-tjetrit dhe të adresojë ndryshimin e modeleve të krimit", tha Stephen Kavanagh, drejtori ekzekutiv i Interpolit.

Shumë vende në botë kanë ndërmarrë masa të izolimit për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri. Mirëpo, në shumicën e këtyre vendeve, lejohen blerjet online dhe dërgesat e ushqimeve në shtëpitë e banorëve, raporton AFP.

08:34 1.5.2020

Ajdini: Papunësia mund të rritet në 50 për qind

Shkalla e papunësisë në Kosovë pas përfundimit të pandemisë mund të shkojë në 50 për qind, nga rreth 30 për qind sa ka qenë në muajin mars, thotë një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Bashkimit të Sindikatës të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini.

Ajdini po ashtu thotë se qeveria duhet të ndihmojë bizneset, në mënyrë që të mund të mbajnë punëtorët në punë.

Intervistën e plotë mund ta lexoni në këtë link.

08:10 1.5.2020

Guterres: Ekziston mungesë e bashkëpunimit në luftën kundër pandemisë

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka folur për mungesën e bashkëpunimit të bashkësisë ndërkombëtare në luftën kundër koronavirusit.

Ai ngriti shqetësimin edhe për mungesën e ndihmës për vendet e varfra.

Koronavirusi i ri, i cili shkakton sëmundjen e frymëmarrjes COVID-19, deri më tani ka infektuar rreth 3.2 milionë njerëz në botë dhe më shumë se 227,000 kanë vdekur.

Virusi u shfaq për herë të parë në qytetin Vuhan të Kinës në fund të vitit të kaluar.

Guterres tha në një konferencë për media se bashkësia ndërkombëtare ishte e ndarë në momentet më të rëndësishme të luftimit të koronavirusit.

"Ekziston një shkëputje midis udhëheqjes dhe pushtetit. Ne shohim shembuj të mrekullueshëm të udhëheqjes, por ato zakonisht nuk shoqërohen me pushtetin. Dhe, ku ne shohim pushtetin, ndonjëherë nuk shohim udhëheqjen e nevojshme", tha Guterres.

Të 15-të vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit, për më shumë se një muaj po negociojnë një rezolutë që do të përfshinte nevojën urgjente për një bashkëpunim të zgjeruar midis të gjitha vendeve në luftën kundër koronavirusit të ri dhe e cila do të bënte thirrje për një armëpushim humanitar të konflikteve në të gjithë botën.

22:49 30.4.2020

Rënie e numrit të rasteve të reja me koronavirus në Kosovë

Të enjten në Kosovë janë bërë 243 testime për koronavirusin e ri.

Sipas ministrit në detyrë të Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, nga këto testime kanë dalë 7 persona pozitiv me koronavirus.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë ka arritur në 806.

Vitia ka njoftuar se ekipet mjekësore kanë konfirmuar shërimin edhe të 22 personave që kanë qenë të sëmurë me COVID-19.

Që nga shpërthimi i pandemisë, numri i të shëruarve ka arritur në 271.

Nga sëmundja COVID-19 kanë vdekur 22 pacientë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG