Koronavirusi “tkurr” të drejtat e punëtorëve
Të drejtat e punëtorëve në Maqedoninë e Veriut janë rënduar edhe më shumë në krahasim më vitin e kaluar për shkak të masave që janë ndërmarrë si pasojë e koronavirusit, jo vetëm nga qeveria, por edhe nga kompanitë ku ata punojnë.
Kristina Ampeva, drejtuese e një organizate që mbron të drejtat e punëtoreve në industrinë e tekstilit, thotë se që nga fillimi i marsit kur edhe nisën të aplikohen masat, punëtorët janë përballur me largime nga puna, ulje pagash, punë jashtë orarit, e masa tjera që sipas saj kanë rënduar gjendjen ekonomike e sociale të fuqisë punëtore, jo vetëm në këtë industri, por edhe në sektorë të tjerë.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link.
Mbi 1 milion të shëruar nga koronavirusi në botë
Mbi një milion pacientë në botë janë shëruar nga koronavirusit, në bazë të të dhënave të Universitetit John Hopkins në Shtetet e Bashkuara.
SHBA-ja ka shënuar numrin më të madh të pacientëve të shëruar, gjithsej 153.947.
Por, ky vend ka gjithashtu mbi 1 milion raste të të infektuarve.
Statistikat - si të gjitha të dhënat e koronavirusit - duhet të lexohen me kujdes.
Shifrat mund të mos jenë plotësisht të sakta pasi numri i njerëzve të shëruar mbase është më i lartë, për faktin se tek një kategori e njerëzve virusi kalon me simptoma të buta.
Shkalla e testimit gjithashtu ndryshon shumë ndërmjet vendeve.
Aktualisht në botë llogaritet se janë mbi 3 milionë njerëz të infektuar me koronavirusin e ri.
Deri më tani janë raportuar 233,560 vdekje nga sëmundja COVID-19.
Video nga arkivi:
Dita e Punëtorëve në kohën e pandemisë
Më 1 maj, miliona punëtorë në botë, zakonisht marrin pjesë në marshime dhe protesta për të shënuar, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, por këtë vit shënimet e kësaj ditë nuk do ta kenë ndikimin e tyre, për shkak të kufizimeve të vendosura për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit.
Në Kosovë, shkalla e papunësisë pas përfundimit të pandemisë mund të shkojë në 50 për qind, nga rreth 30 për qind sa ka qenë në muajin mars, thotë një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini.
Ajdini po ashtu thotë se qeveria duhet të ndihmojë bizneset, në mënyrë që të mund të mbajnë punëtorët në punë.
Por, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se papunësia paraqet sfidë të madhe dhe ajo është pasojë e qasjes së sistemit ndaj njeriut punëtor.
"Para luftës kishim shtetin okupator që na dëboi nga vendet e punës. Pas luftës kishim modelin neoliberal që s’na punësoi dot. Ndërkohë, arsimi e ekonomia ecën ndaras, e në hendekun e tyre po rritej rinia e papunë. Ndër pak fushat ku triumfojmë sot në Evropë është ajo e papunësisë më të lartë", ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.
1 Maji dhe kriza e pandemisë në botë
Në Shtetet e Bashkuara autoritetet kanë njoftuar se që nga fillimi i krizës së pandemisë, 30 milionë qytetarë e kanë humbur vendin e punës.
Pandemia e koronavirusit e ka çuar në rënie ekonominë globale, ka thënë shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva.
“Është e qartë se kemi hyrë në recesion, që do të jetë më i keq se në vitin 2009, pas krizës globale financiare”, ka thënë Georgiva.
Tubimet dhe marshimet në të gjithë Evropën janë anuluar për shkak të masave kundër pandemisë.
Sindikatat po u kërkojnë mbështetësve të zbukurojnë shtëpitë dhe ballkonet e tyre me flamuj ose të përdorin llogaritë e tyre në media sociale për të mbështetur punëtorët.
Në Francë një lëvizje e punëtorëve bëri thirrje që të protestohet me pankarta dhe flamuj nga shtëpitë ose në mediat sociale për të drejtat e punëtorëve me pagë të ulët, veçanërisht ata që punojnë në kujdesin shëndetësor dhe në supermarkete.
Në Gjermani, ku autoritetet kanë filluar të heqin gradualisht kufizimet, organizatorët kanë bërë thirrje për një seri protestash të ndara në Berlin. Një demonstratë e madhe që tradicionalisht zhvillohet në Berlin, është anuluar, por protesta më të vogla do të zhvillohen nëpër lagje, thanë organizatorët.
Italia ka vendosur të mbajë një koncert tradicional të kësaj feste, por pa audiencë. Koncerti do të transmetohet drejtpërdrejt në transmetuesin publik italian.
Në Greqi, Unioni më i madh u punëtorëve u ka kërkuar anëtarëve të tij që të respektojnë rregullat dhe të ndalojnë tubimet e më shumë se 10 personave, por ende mund të ketë disa tubime.
Në Kinë, ku koronavirusi u shfaq për herë të parë në dhjetor, qeveria ka zgjatur festën publike me dy ditë me shpresën e rritjes së tregtisë me pakicë dhe turizmit.
Trump thotë se ka parë prova që e ndërlidhin virusin me laboratorin kinez
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ai ka parë prova që i japin atij një "shkallë të lartë besimi" se koronavirusi doli nga një laborator kinez i virologjisë.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë më 30 prill, Trump tha se ai i kishte parë provat, por nuk pranoi të jepte detaje, duke shtuar se nuk i lejohet të flasë për këtë.
Komentet ka të ngjarë të rrisin përplasjet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Javët e fundit të dyja vendet kanë shkëmbyer akuza dhe mohime për origjinën e koronavirusit.
Trump pretendoi sërish se koronavirusi mbase është përhapur për shkak të një gabimi në laborator, duke shtuar se Kina nuk ka mundur ta ndalë përhapjen e tij, ose thjeshtë e kanë lënë atë të përhapej.
Deklaratat e Trumpit vijnë pasi agjencitë e inteligjencës amerikane thanë se ende po hulumtonin nëse pandemia mund të ketë rezultuar nga një aksident në një laborator kinez.
Megjithatë këto agjenci e kanë përjashtuar mundësinë që virusi "të jetë krijuar nga njeriu ose të jetë modifikuar gjenetikisht".
Laboratori në Vuhan të Kinës, të cilit iu referua Trumpi, ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit amerikan.
Në fillim të kësaj jave, Kina akuzoi politikanët amerikanë për "gënjeshtra".
Derisa zyrtarët kinezë kanë pranuar se ende nuk ka një përgjigje përfundimtare se nga e kishte origjinën sëmundja, shumica e ekspertëve besojnë se koronavirusi e ka origjinën në një treg të kafshëve të egra në Vuhan.
Zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane, përfshirë Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, kanë shprehur vazhdimisht zhgënjime me Kinën. Pompeo javën e kaluar kërkoi që qeveria të shpjegonte se çfarë ndodhi.
Ai tha në një intervistë më 29 prill se Partia Komuniste Kineze "nuk ka qenë e hapur".
Pompeo në intervistën për Fox News vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara e dinë se mjekët që raportuan për shpërthimin nuk ishin në gjendje të flisnin lirshëm dhe qeveria kineze dëboi gazetarët amerikanë.
"Ne e dimë që ata janë përpjekur ta mbulojnë këtë", tha ai.
Ai shtoi se është e rëndësishme të kuptojmë saktësisht se nga erdhi virusi "në mënyrë që të parandalojmë që diçka të tillë të ndodhë përsëri".