OBSH-ja shpreson se do të ftohet nga Kina për të hetuar origjininën e virusit
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpreson se Kina do t'i ftojë zyrtarët e saj të marrin pjesë në hetimet mbi origjinën koronavirusit të ri.
"OBSH-ja do të dëshironte të punonte me partnerët ndërkombëtarë për të marrë pjesë në hetime rreth origjinës së virusit", i tha AFP-së zëdhënësi i OBSH-së, Tarik Jasareviq.
Ai tha se OBSH-ja është në dijeni të një numri hetimesh në Kinë "për të kuptuar më mirë burimin e shpërthimit të pandemisë", por shtoi se organizata nuk është e përfshirë aktualisht në këto studime.
Shkencëtarët besojnë se virusi vrasës, u bart nga kafshët tek njerëzit, në një treg në Vuhan të Kinës.
Por, presidenti amerikan, Donald Trump, po pretendon se virusi mund të ketë dalë nga një laborator sekret kinez.
Kina i ka mohuar akuzat.
OBSH-ja gjithashtu është përballur me kritika të ashpra nga ana e Trumpit, i cili në fillim të këtij muaji pezulloi fondet e Uashingtonit ndaj organizatës pasi e akuzoi për keqmenaxhim të situatës.
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanon Ghebreyesus, ka thënë se OBSH-ja ka vepruar "me shpejtësi dhe vendosmëri" për t'iu përgjigjur krizës së pandemisë së koronavirusit.
Ku e ka zanafillën karantina?
Përhapja globale e një koronavirusi me origjinë nga Kina, ka bërë që shumë udhëheqës botërorë të zbatojnë një traditë të lashtë për të kontrolluar sëmundjen: karantinën. Por, sa e efektshme është ajo dhe ku e ka zanafillën?
Prishtinë: Një pacient në gjendje të rëndë nga COVID-19
Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka njoftuar se aktualisht aty janë duke u trajtuar 36 pacientë të prekur me sëmundjen Covid-19, që e shkakton koronavirusi i ri.
Infektologu, Valbon Krasniqi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se një nga pacientët është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.
“6 pacientë janë me oksigjenoterapi, kurse një pacient është në repartin intensiv dhe është në gjendje shumë të rëndë”, ka thënë Krasniqi.
Që nga shpërthimi i pandemisë, në Kosovë kanë vdekur 22 pacientë.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 806, ndërsa 271 pacientë janë shëruar.
Zëdhënësi i Qeverisë i kërkon Pacollit të kërkojë falje për deklaratën e "sulmit terrorist"
Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, duhet të kërkojë falje për deklaratat e tij, se është frikësuar që institucionet e shtetit të Kosovës do të kryejnë “akt terrorist” ndaj tij, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës në detyrë, Përparim Kryeziu.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Pacollit i është komunikuar zyrtarisht se duhet të respektojë masat kundër koronavirusit, ashtu siç bën çdo qytetar, përfshirë edhe zyrtarët ndërkombëtarë që vijnë në Kosovë.
“Fatkeqësisht, me ose pa vetëdije për peshën e rëndë të fjalëve të veta, thirrjet për respektimin e udhëzimit zyrtar ai i intepretoi si frikë të tij për një ‘akt terrorist nga ana e shtetit’ në të. Pra, masat që janë marrë për mbrojtjen e jetës së qytetarëve nga virusi, deputeti Pacolli, njëherësh ish ministër i Punëve të Jashtme dhe ish President i Republikës së Kosovës, i interpretoi si mundësi për ‘akt terrorist nga shteti”, ka shkruar ai.
Sipas Kryeziut, deputeti Pacolli, ndërkohë që vazhdon të zbatojë masat e izolimit në shtëpi, njësoj si çdo qytetar i ardhur nga jashtë, do të duhet të fliste publikisht dhe të kërkonte falje, duke tërhequr këto deklarata.
"Edhe opozitarizmi e ka një kufi, është e papërgjegjshme, e pamatur, e dëmshme dhe e dënueshme ta quash shtetin tënd ‘terrorist’, kur ai përpiqet të ruajë shëndetin tuaj dhe të qytetarëve”, ka shkruar ai.
Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli të enjten, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’, ka thënë se gjatë kohës sa po fluturonte, nga Zvicra për në Kosovë, ka ndryshuar destinacion.
Këtë e kishte bërë, siç është shprehur Pacolli, pasi ishte frikësua nga ndonjë "sulm terrorist nga ana e institucioneve të Kosovës".
“Leja ime e fluturimit njëherë është anuluar. Është kushtëzuar leja e dytë me implikime tjera, kinse në dhënien e lejes duhet involvuar disa ministri vitale të Kosovës. Unë fluturoj me një fluturake. Unë herën e parë jam frikësuar nga institucionet e shtetit se mund të kryejnë ndonjë sulm terrorist në mua, andaj kam ndryshuar destinacion”, ka thënë Pacolli.
Qeveria në detyrë e Kosovës kishte kërkuar nga Pacolli që me të ardhur në Prishtinë të vendosej në karantinë sikurse të gjithë ata që hyjnë në territorin e Kosovës nga vendet tjera.
Por, Pacolli kishte kërkuar të mos i nënshtrohej këtij rregulli duke thënë se ai nuk po lejohet të kthehet në Kosovë "për të penguar zgjedhjen e qeverisë së re”.
Autoritetet në Kosovë kanë marrë vendim që secili person që hyn në Kosovë duhet të vendoset në karantinë, përkatësisht në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri.
Përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë kanë konfirmuar se i janë nënshtruar karantinës 14-ditore.