Raste të reja me COVID-19 në kabinetin e qeverisë ruse
Edhe një ministër në qeverinë ruse ka rezultuar pozitiv në testin për COVID-19 dhe është duke u trajtuar në spital. Ministri i Ndërtimtarisë Vladimir Yakushev, tha se është shtrirë në një spital në Moskë dhe është duke u trajtuar nën mbikëqyrjen e mjekëve, raporton agjencia TASS.
Një nga zyrtarët në ministrinë e tij, Dmitry Volkov, po ashtu ka rezultuar pozitiv me koronavirusin e ri.
Zëvendësministrja Nikita Stasishin është emëruar ministre në detyrë në mungesë të Yakushevit.
Ky njoftim vjen një ditë pasi kryeministri rus Mikhail Mishustin tha se është duke hyrë në vetizolim pasi ka dalë pozitiv me COVID-19.
Përhapja e infeksionit edhe në qeverinë ruse vjen pasi vendi ka shënuar një ngritje të rasteve përkundër masave që nga muaji mars.
Rusia ka raportuar 7,933 raste të reja me koronavirusin e ri më 1 maj brenda 24 orëve – një rekord i ri që çon numrin total të të infektuarve në 114,431.
Autoritetet thonë se Rusia ende nuk e ka arritur kulmin e përhapjes së pandemisë.
SHBA-ja miraton ilaçin për trajtimin e koronavirusit
Administrata amerikane për Ushqim dhe Ilaçe ka miratuar një ilaç që mund të përdoret për trajtimin e koronavirusit të ri, ka thënë presidenti amerikan, Donald Trump.
Trump ka thënë se udhëheqësi i kompanisë Gilead, që ka zhvilluar ilaçin, e ka përshkruar këtë hap si shumë të rëndësishëm, si dhe ka thënë se do të dhurojë një milion shishe të ilaçit, remdesivir.
Nën-presidenti amerikan, Vice Pence ka thënë se shpërndarja e këtij ilaçi në spitale do të fillojë të hënën.
Ky ilaç që fillimisht është krijuar për trajtim të sëmundjes Ebola, ka zvogëluar ditët e shfaqjes së simptomave të koronavirusit nga 15 në 11, në disa teste që janë bërë ku janë përfshirë spitale nga e gjithë bota.
Megjithatë një studim kinez ka vënë në pikëpyetje dobinë e këtij ilaçi.
Shtetet e Bashkuara janë prekur më së keqi në botë nga sëmundja Covid-19, që shkakton ky virus, me mbi 1 milion të infektuar dhe mbi 60,000 persona të vdekur.
PDK-ja kërkon nisjen e hetimeve kundër ministrit në detyrë Vitia
Partia Demokratike e Kosovës ka mirëpritur të premten aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me vendimet e marra nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë me qëllim të luftimit të koronavirusit në Kosovë.
Në një konferencë për shtyp, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e kësaj partie, Besa Ismaili ka thënë se “shkelja e Kushtetutës nga kjo qeveri po ndodh për të dytën herë dhe duhet të merren masa”.
“Aktgjykimi i sotshëm i Gjykatës Kushtetuese vërteton për herë të dytë radhazi se qeveria në ikje e Kurtit është përpjekur që të përqendrojë të gjitha pushtetet në duart e saj, duke shkelur rëndë liritë themelore të njeriut”, ka thënë ajo.
Ismaili po ashtu i ka bërë thirrje prokurorisë së shtetit "që të ndërmarrë hapa ligjorë kundër" Ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Gjykata Kushtetuese ka thënë se pas analizimit të kërkesës së parashtruar nga Uran Ismaili dhe 29 deputetë të Kuvendit të Kosovës, lidhur me vendimet e Ministrisë në detyrë të Shëndetësisë për shpalljen e Komunës së Prizrenit “zonë karantine”, dhe vendimet e 14 prillit për zonat e Prizrenit, Dragashit dhe Istogut, ka vendosur se:
- përcaktimi i mosrespektimit të masave të vëna nga Ministria në fjalë si “kundërvajtje administrative” nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe
-vendimi për shpalljen e Prizrenit “zonë karantine” po ashtu nuk është në përputhje me Kushtetutën.
Megjithatë, kjo Gjykatë ka thënë se pjesa tjetër e vendimeve është në përputhje me ligjet në fuqi.
“Ministria e Shëndetësisë, ka vepruar në përputhje me autorizimet e përcaktuara përmes Ligjit nr. 02/L-109 për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, dhe rrjedhimisht “ndërhyrjet” në të drejtën e lirisë së lëvizjes së qytetarëve të Komunave të Prizrenit, Dragashit dhe Istogut, përmes pikave të lartcekura, ishin “të përcaktuara në ligj”, është thënë në vendim.
Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19 që shkakton koronavirusi.
Marrë parasysh të dhënat e fundit deri më tani në Kosovë, 813 persona janë infektuar, 298 janë shëruar edhe 22 kanë vdekur si pasojë e koronavirusit të ri.
Kosovë: 27 të shëruar, 7 të prekur nga Covid-19
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar të premten për shtatë raste të reja me koronavirusin e ri.
“Rastet pozitive janë raste kontakti dhe sipas vendbanimit: gjashtë (6) raste nga komuna e Prizrenit dhe një (1) rast nga komuna e Suharekës”, është thënë në njoftim.
Përveç kësaj, ky Institut ka njoftuar edhe se 27 pacientë janë shëruar nga sëmundja Covid-19, që shkakton ky virus.
Marrë parasysh të dhënat e fundit deri më tani në Kosovë, 813 persona janë infektuar, 298 janë shëruar edhe 22 kanë vdekur si pasojë e koronavirusit të ri.
Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19.