Rrëfime nga izolimi: Pandemia afroi familjet
Mentor Korça, 42-vjeçar nga Prishtina, është izoluar në shtëpinë e tij afërisht që dy muaj. Ai dhe miliarda njerëz të tjerë në botë po qëndrojnë në shtëpi për t’u mos infektuar nga sëmundja COVID-19, që ka përfshirë gjithë globin.
“Pothuajse që 50 ditë po qëndroj në shtëpi me familje dhe pavarësisht të këqijave që i ka pasur izolimi, i ka edhe të mirat e veta, pasi që kam arritur ta njoh veten në raport me fëmijët, por edhe fëmijët në raport me mua”, thotë Korça.
Era Hasani, 19-vjeçare, studente në Universitetin e Prishtinës, drejtimi Psikologji, thotë se koha e kaluar në izolim së bashku me familje ka qenë periudhë që nuk do të harrohet, pasi nuk e di se a do të ketë edhe një mundësi tjetër të kalojë kaq shumë kohë me familjen.
Lexoni rrëfime tjera të kohës së karantinës duke klikuar këtu
Dhjetë shtete amerikane rihapen pjesërisht
Dhjetë shtete amerikane kanë njoftuar të premten se kanë filluar të lehtësojnë masat e izolimit, që janë vënë me qëllim të luftimit të sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Teksasi është njëri prej tyre, i cili do të lejojë hapjen e restoranteve, kinemave dhe bizneseve tjera, nëse funksionojnë me vetëm 25 për qind të kapacitetit që kanë.
Alambama, Maine dhe Tenesi po ashtu kanë lejuar që të skadojnë rregullat e qëndrimit në shtëpi.
Mirëpo në Nju Jorku, Guvernatori, Andrew Cuomo, ka thënë se në disa pjesë të këtij shteti bizneset do të mund të rihapen më 15 maj.
Edhe në Miçigan masat e izolimit janë shtyrë deri më 15 maj, çka ka shtyrë qindra protestues, disa edhe të armatosur, të mblidhen para sheshit kryesor për të treguar pakënaqësitë e tyre.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Guvernatori i këtij shteti, Gretchen Whitmer duhet të nënshkruajë një marrëveshje me protestuesit.
Mbretëria e Bashkuar kreu mbi 100,000 teste brenda një dite
Mbretëria e Bashkuar ka kryer më shumë se 122,000 teste për koronavirus më 30 prill, duke tejkaluar synimet e qeverisë, ka thënë Ministri britanik për Shëndetësi, Matt Hancock.
Ai ka thënë se objektivi prej 100,000 testeve brenda ditës ka qenë “synim ambicioz”, mirëpo testimi ka qenë i domosdoshëm “për ta kthyer Britaninë sërish në këmbë”.
Të dhënat përfshijnë edhe kryerjen e testeve që janë dërguar nëpër shtëpi, por të cilat mund të mos jenë kryer ende.
Deri më tani në territorin britanik janë regjistruar 27,510 të vdekur si pasojë e koronavirusit.
Ministri britanik nga radhët e opozitës, Jonathan Ashëorth ka sugjeruar se qeveria është mashtruar me këto shifra pasi ka numëruar testet e dërguara nëpër shtëpi dhe jo ato që janë kryer.
Sopranoja kosovare që po afron publikun me operën
Kohën e izolimit, sopranoja kosovare, Arta Jashari, po e shfrytëzon për të përkthyer veprat e famshme të operës në gjuhën shqipe, në mënyrë që ta afrojë edhe më shumë publikun kosovar me artin e operës.