Mijëra qytetarë në Britani të interesuar për plazmën e gjakut nga të shëruarit me COVID-19
Mijëra qytetarë në Britani janë regjistruar për të marrë pjesë në provën me plazmën e gjakut të të shëruarve nga koronavirusi i ri, që thuhet se mund të shërojë pacientët e hospitalizuar me COVID-19.
Deri më tash, 148 persona të shëruar kanë dhuruar plazmën e tyre të gjakut.
Më shumë se 6,500 persona janë regjistruar për të testuar këtë provë, me anë të së cilës ekspertët shpresojnë se do të krijohen anti-trupa që ndihmojnë në luftimin e virusit.
Hulumtuesit janë duke vazhduar kërkimet për personat tjerë që kanë dalur pozitiv me COVID-19 në Britani.
Spanja lehtëson masat e izolimit
Në rrugët e Spanjës, qytetarët kanë filluar të dalin për shëtitje për herë të parë në disa javë, pas lehtësimit të masave anti-COVID-19 në vend.
Spanja është përballur me një nga shpërthimet më të mëdha të koronavirusit – më shumë se 213,000 raste të prekura dhe 24,500 viktima dhe kishte hyrë në izolim në mars.
Qytetarët ishin të lejuar të dalin vetëm për të blerë ushqime apo barna, apo për të shkuar në punë në rast të pamundësisë për të punuar nga shtëpia.
Deri javën e kaluar, Spanja ishte një nga vendet ku fëmijët nuk mund të dilnin fare nga shtëpia.
Megjithatë, daljet janë të rregulluara sipas një orari për të mos krijuar turma. Ecjet duhet të bëhen në afërsi të vendbanimeve si dhe distanca duhet të vazhdojë të mbahet.
Mediat koreane shfaqin Kim Jong Un në një ceremoni inauguruese
Pas shumë spekulimeve për disa javë rreth shëndetit të liderit verikorean Kim Jong Un, agjencia e lajmeve KCNA raportoi të shtunën se lideri i Koresë Veriore ka marrë pjesë në inaugurimin e një fabrike të plehrave në Pyongyang.
Ky është raportimi i parë për paraqitjen e tij në publik që nga 12 prilli.
Sipas agjencisë KCNA, ceremonia është përcjellur nga mijëra pjesëmarrës të cilët kanë brohoritur emrin e tij.
Kim është parë në disa fotografi dukë buzëqeshur gjatë vizitës në fabrikën e re, por vërtetësia e këtyre fotografive nuk është vërtetuar, raporton Reutes.
Kim, 36-vjeçar është parë për herë të fundit në media më 12 prill, duke nxitur dyshime se është i sëmurë seriozisht.
Mirëpo zyrtarët në Korenë Jugore kanë thënë se këto raportime nuk janë të vërteta.
Në mesin e supozimeve ka qenë edhe ai se “lideri suprem” i Koresë Veriore mund të jetë duke qëndruar në një pushimore në Wonsan për ta mbrojtur veten nga ekspozimi i mundshëm i koronavirusit.
Territori verikorean ka mbyllur kufijtë në fund të muajit janar për shkak të pandemisë.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se “nuk mund të flasë për këtë çështje”.
Mësimi në distancë për shumë fëmijë mbetet i paarritshëm
Marigona Fazliu nga Prishtina, nënë e dy fëmijëve, të cilët vijojnë mësimin në shkollë fillore, thotë se fëmijët e saj nuk po mund ta ndjekin mësimin online sepse kanë mungesë të pajisjeve teknologjike.
Shkollat në Kosovë janë mbyllur që nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë qeveria për parandalimin e përhapjes së virusit të ri COVID-19.
Dhjetë ditë më vonë, Ministria e Arsimit vendosi që të mbahet mësimi në distancë.
Lexoni materialin e plotë këtu.