JK Rowling dhuron 1 milion funta për bamirësi
Autorja e librave Harry Potter, JK Rowling, do të dhurojë 1 milion funta për dy organizata bamirëse, për t’iu ndihmuar atyre që janë goditur më së keqi nga koronavirusi i ri.
Rowling ka thënë se paratë do të ndahen në mënyrë të barabartë për dy organizata – Crisis, që u ndihmon personave të pastrehë dhe Refuge, që mbështet viktimat e dhunës në familje.
Ajo ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Tqwtter se është “duke menduar për njerëzit që janë duke kryer punën e tyre, për të na mbrojtur neve dhe mënyrën tonë të jetesës”.
Austria vazhdon të lirojë masat e izolimit
Qendrat tregtare, parukeritë dhe dyqanet me më shumë se 400 metra katrorë janë lejuar që të rifillojnë aktivitetin e tyre në Austri nga dita e shtunë.
Shitësit e pajisjeve të rënda elektronike, zinxhirët e dyqaneve të veshjeve janë në mesin e bizneseve që kanë hapur dyert për konsumatorë.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, autoritetet austriake kanë regjistruar 15,558 të infektuar dhe 596 të vdekur si pasojë e koronavirusit të ri.
Franca vazhdon zbatimin e masave emergjente
Qeveria franceze ka njoftuar se planifikon të zgjasë zbatimin e masave të emergjencës kombëtare deri më 24 korrik, me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri.
Ministri i Shëndetësisë, Oliver Veran ka thënë se propozimi do të prezantohet para parlamentit të hënën.
Ai ka thënë se shfuqizimi i gjendjes së jashtëzakonshme, që ka nisur më 24 mars, do të përbënte hap të “parakohshëm” dhe rrezikon rritjen e numrit të të prekurve.
Deri më tani, Franca ka regjistruar më shumë se 167,000 persona të infektuar dhe 24,628 të vdekur si pasojë e sëmundjes, Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Të rejat e fundit nga Maqedonia e Veriut
Një person ka vdekur dhe 15 të tjerë janë infektuar me koronavirus në 24 orët e fundit në Maqedoninë e Veriut, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.
Në Klinikën Infektive në Shkup ka vdekur një pacient 66-vjeçar nga Struga, i cili ka pasur edhe probleme tjera shëndetësore.
Numri i përgjithshëm i personave që kanë humbur jetën nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi ka arritur në 82, në këtë shtet.
Sipas raportit ditor të Ministrisë, nga të infektuarit, shtatë janë në Kumanovë, katër në Prilep, dy në Shkup, në Kumanovë shtatë, Tetovë një dhe një tjetër në Strugë. Tani numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me koronavirus në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 1506, prej të cilëve 572 raste janë ende pozitivë.
Ndërkohë, numri i personave të shëruar ka vazhduar të rritet, kështu që në 24 orëve e fundit listës së të shëruarve i janë shtuar 45 raste të reja me çka numri i përgjithshëm ka arritur në 852, shifër kjo për 280 më e lartë se numri i të infektuarve.
Institucionet shëndetësore kanë bërë thirrje për respektimin e masave për parandalimin e përhapjes së virusit, si mbajtën e maskave dhe dorezave.
"Ne kemi fituar betejën, do të ketë lehtësime të reja, por kjo nuk do të thotë se duhet të heqim dorë nga masat që kemi aplikuar. Përkundrazi, duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të respektojmë të gjitha rekomandimet e mjekëve që të jemi të gatshëm për çdo situatë të mundshme”, ka deklaruar Shaban Memeti, drejtor i Institutit të Shëndetit Publik.
Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit, 130 persona kanë shkelur orën policore dhe 98 prej tyre janë shoqëruar në polici për procedurë të mëtejmë kundërvajtëse.