Mbi 65,000 të vdekur nga koronavirusi në SHBA
Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar më së shumti viktima si pasojë e koronavirusit në nivel global, ndonëse në proporcion me numrin e popullsisë, ato kanë më pak vdekje sesa disa vende në Evropë.
Numri i viktimave në SHBA ka kaluar shifrën 65,000 ndërkohë që më shumë se 1.1 milion persona janë prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Një ditë më parë, Administrata amerikane për Ushqim dhe Ilaçe ka autorizuar përdorimin e një ilaçi të krijuar për sëmundjen Ebola, për të trajtuar pacientët me koronavirus.
Një ditë më parë është bërë e ditur edhe se shtetet si Ajdaho dhe Allabama janë duke lehtësuar masat e izolimit.
Teksasi ka hequr masat e qëndrimit në shtëpi për më shumë se 29 milionë banorë.
Hyseni: Mësimi online me shumë mangësi, të mos mbahet PISA
Eksperti i çështjeve arsimore në Kosovë, Halim Hyseni nga Qendra për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se nëse viti shkollor përfundon vetëm në bazë të mësimit në distancë, pasojat do të jenë të pariparueshme dhe dëmet do të jenë të jenë të mëdha.
Hyseni në intervistë thekson se është naivitet dhe nuk guxon të ndodhë që nxënësit nga Kosova të marrin pjesë në programin për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve (PISA) në vitin vijues. Sipas tij, nëse ministria lejon një gjë të tillë, e bën një gabim tepër të rëndë.
Lexojeni intervistën e zotit Hyseni duke klikuar këtu.
Në Londër protestohet kundër izolimit
Një grup i vogël protestuesish janë mbledhur në Londër për të marrë pjesë në disa përqafime grupore, me qëllim të kundërshtimit të masave të izolimit në Mbretërinë e Bashkuar.
Rreth 20 persona, disa duke mbajtur mbishkrime “Trupi ime, zgjedhja ime”, janë përfshirë në një protestë para selisë së Policisë së Londrës të shtunën pasdite.
Nga fundi i muajit mars, britanikëve u është thënë që të mos mblidhen jashtë shtëpive të tyre, me qëllim të luftimit të koronavirusit.
Jeta në Mbetërinë e Bashkuar ka ndryshuar nga ajo kohë, ndonëse ka shenja për lehtësim të masave të izolimit.
Të dhënat e fundit tregojnë se deri më tani autoritetet britanike kanë regjistruar 182,260 persona të prekur dhe 28,131 të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Shtëpia e Bardhë ia bllokon Faucit dëshminë para Kongresit
Shtëpia e Bardhë ia ka bllokuar Këshilltarit të Lartë për Shëndetësi, Anthony Fauci mundësinë e dëshmisë para një Komiteti të Kongresit javën e ardhshme, për të vlerësuar përgjigjjen e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump ndaj pandemisë me koronavirus.
Një nënkomitet i Dhomës së Përfaqësuesve, që drejtohet nga demokratët ka kërkuar dëshminë e Faucit më 6 maj.
Demokratët kanë kritikuar ashpër përgjigjjen e presidentit Trump ndaj pandemisë, e cila ka lënë më shumë se 65,000 amerikanë të vdekur.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se dëshmia e atyre që janë të përfshirë në strategji do të ishte “kundërproduktive”.
“Ne jemi të përkushtuar që të punojmë me Kongresin për të ofruar dëshminë në kohën e duhur”, ka shtuar ai.
Megjithatë, Fauci pritet të paraqitet para Senatit të kontrolluar nga republikanët javën e ardhshme, në një seancë që fokusohet në procesin e testimeve, ka raportuar Washington Post, duke cituar një zyrtar.
Fauci ka qenë fytyrë familjare në njoftimet e Shtëpisë së Bardhë rreth pandemisë, ndonëse në javët e fundit është parë shumë pak në media.
Shtetet e Bashkuara janë prekur më së keqi në botë nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi, pasi më shumë se 1 milion njerëz janë infektuar derisa mbi 65,000 pacientë kanë vdekur.