Çekia pret që korriku të jetë kohë e sigurt për udhëtime
Ministri i Jashtëm çek Tomash Petricek ka treguar se si parashikon të lejojë çekët për të udhëtuar sërish pa ndalesa.
Nga muaji korrik ai ka thënë se dëshiron që të gjithë kufijtë të jenë të hapur me katër vendet fqinje: Austrinë, Gjermaninë, Poloninë dhe Sllovakinë.
Ai po ashtu ka thënë se parashikon udhëtim pa ndalesa në muajin korrik edhe në vendet që kanë menaxhuar mirë pandeminë me koronavirus.
Ndalesa e vënë nga Republika Ceke për ndalim të udhëtimit, me qëllim të luftimit të koronavirusit, është hequr muajin e kaluar.
Aktualisht banorët e Çekisë janë të lirë që të udhëtojnë në secilin vend të botës, nëse ekziston transport. Mirëpo ata duhet të prezantojnë testin negativë për koronavirus apo t’i nënshtrohen karantinës 14-ditore pas kthimit.
Megjithatë Ministria e Jashtme e këtij shteti ende është duke këshilluar banorët e Çekisë që të anashkalojnë udhëtimet që nuk janë të domosdoshme.
Mbi 40 persona vdesin në një përleshje në kohën e koronavirusit në Venezuelë
Më shumë se 40 persona raportohet të kenë vdekur si pasojë e një përleshjeje në një burg në Venezuelë.
Të burgosurit në burgun Los Llanos, afër qytetit Guanare, janë zemëruar për shkak të mungesës së ushqimit dhe ujit, ka thënë Vëzhguesi i Burgjeve në Venezuelë.
Kjo Organizatë ka bërë thirrje për hetime, duke vënë dyshime në versionin zyrtar se të burgosurit kanë tentuar të ikin nga burgu.
Stafi i burgut, përfshirë guvernatorin janë plagosur në këtë incident.
Ministrja për Burgje Iris Varela ka thënë për një të përditshme në Venezuelë se ka ndodhur një incident në burg mirëpo nuk ka treguar numrin e viktimave.
Përleshjet në burgjet në Amerikën Latine janë rritur shumë së fundmi, pasi qeveritë janë duke tentuar të ulin shpërthimin me koronavirus.
Masat e karantinës nënkuptojnë se të burgosurit nuk mund të pranojnë ushqim nga familajrët, nga i cili varen ndonjëherë.
Spanja i bën maskat të detyrueshme për transportin publik
Vendosja e maskave do të bëhet e detyrueshme në transportin publik nga dita e hënë në Spanjë, teksa autoritetet e këtij shteti lehtësojnë gradualisht izolimin e ashpër.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez ka thënë se qeveria do të shpërndajë 6 milionë maska, kryesisht në lokacionet ku funksionon transporti publik, si dhe do t’i japë 7 milionë maska për autoritetet lokale, me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri.
Të rriturit në Spanjë kanë pasur mundësi të ushtrojnë në ambiente të hapura të shtunën për të parën herë në shtatë javë.
Izolimi është lehtësuar edhe për fëmijët nën 14-vjeç një javë më parë.
Numri total i të vdekurve nga koronavirusi në territorin spanjoll ka arritur në 24,824, ndonëse shkalla e fatalitetit ka rënë.
Deri më tani Italia ka numrin më të madh të viktimave në Evropë, e përcjellë nga Mbretëria e Bashkuar dhe Spanja.
Kosovë: 38 të shëruar, 10 të prekur nga Covid-19
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar të shtunën për dhjetë raste të reja me koronavirusin e ri.
"Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Mitrovicës 5 raste (sipas vendbanimit: 5 raste Rekë), nga komuna e Prizrenit 3 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Prizren dhe 1 rast Gërnçar), nga Rahoveci 2 raste",është thënë në njoftim.
Përveç kësaj, ky Institut ka njoftuar edhe se 38 pacientë janë shëruar nga sëmundja Covid-19, që shkakton ky virus.
Marrë parasysh të dhënat e fundit deri më tani në Kosovë, 823 persona janë infektuar, 336 janë shëruar edhe 22 kanë vdekur si pasojë e koronavirusit të ri.
Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19.