Britanikët ‘ngujohen’ në Prizren
Çiklisti Mike Elm dhe partnerja e tij, vrapuesja Rosie Watson, kishin planifikuar të kalonin mijëra kilometra, njëri me biçikletë e tjetri duke vrapuar, për të shkuar nga Evropa në Azi. Rrugëtimi i tyre u ndërpre, pasi gjatë rrugës ata mbetën të ngujuar në Prizren, pas bllokimit të kufijve nga pandemia e koronavirusit të ri.
Ahmeti: Prishtina hiqet sonte nga karantina
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka njoftuar se të shtunën kryeqyteti i Kosovës do të hiqet nga karantina.
“Prishtina hiqet sonte nga karantina. Ju lus edhe më tutje që mos të relaksohemi ne. Sa më të kujdesshëm, të gjitha masat do të relaksohen më shpejtë. Përkundër relaksimit, rreziku ende nuk ka kaluar”, ka thënë Ahmeti përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.
Megjithatë, ai ka njoftuar se masat tjera do të mbesin në fuqi, me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri.
Marrë parasysh të dhënat e fundit deri më tani në Kosovë, 813 persona janë infektuar, 298 janë shëruar edhe 22 kanë vdekur si pasojë e koronavirusit të ri.
Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19.
A mendoni se është e mjaftueshme vlera e Pakos Emergjente Fiskale të miratuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës?
Itali: Rritet sërish numri i viktimave nga koronavirusi
Italia është përballur të shtunën me numrin më të madh të të vdekurve nga koronavirusi prej 21 prillit, pasi ka regjistruar 474 viktima, për dallim nga 269 një ditë më parë.
Agjencia për Mbrojtje Civile ka raportuar se numri total i të vdekurve ka arritur në 28,710, njëherësh shifra më e madhe e viktimave në Evropë.
Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të viktimave në nivel global, mbi 65,000.
Mirëpo shifrat e rritura mund të përbëjnë lajme pozitive, ka thënë e përditshmja italiane, La Repubblica, pasi 282 vdekje që nuk janë raportuar në muajin prill, janë shtuar në të dhënat e fundit.
Nëse konfirmohet, atëherë shifra ditore e vdekjeve i bie të jetë 192, duke shënuar ditën e parë që numri i viktimave ka rënë nën 200, prej 14 marsit, është thënë në shkrimin e kësaj gazete.
Ky lajm vjen vetëm dy ditë para se Italia të lehtësojë masat e izolimit të vendosura shtatë javë më parë, me qëllim të luftimit të koronavirusit.
Nga 4 maji njerëzit do të lejohen të vizitojnë të afërmit e tyre, ndërkohë që do të hapen edhe parqet dhe fabrikat.