Spanja shënon numrin më të vogël të viktimave që nga përhapja e virusit
Numri i viktimave në Spanjë nga koronavirusi i ri, sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, ka arritur në 164 të dielën, duke shënuar numrin më të vogël të vdekjeve që nga 18 marsi.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve ka arritur në 25,264.
Raste të konfirmuara të prekur me COVID-19 janë gjithsej 217,466.
Të rriturit në Spanjë kanë pasur mundësi të ushtrojnë në ambiente të hapura të shtunën për të parën herë në shtatë javë.
Izolimi është lehtësuar edhe për fëmijët nën 14-vjeç një javë më parë.
Deri më tani Italia ka numrin më të madh të viktimave në Evropë, e përcjellë nga Mbretëria e Bashkuar dhe Spanja.
Vetëm dy raste të reja me COVID-19 në Kinë
Autoritetet shëndetësore të Kinës kanë njoftuar për dy raste të reja me koronavirusin e ri, rënie e vazhdueshme e rasteve që kur qeveria ndërmorri masa të kufizimit të lëvizjes.
Një rast është shënuar në provincën Shanksi ndërsa tjetri në Shangai. Numri i të prekurve me koronavirus në Kinë ka shkuar në 82,877.
Kina nuk ka raportuar për viktima të reja, që prej javë më parë kur u shënua një viktimë. Numri i viktimave në nivel vendi ka shkuar në 4,633.
Qeveria ka bllokuar të gjithe shtetasit e huaj për të hyrë në vend, duke pamundësuar edhe kthimin e popullatës vendore që kanë mbëtur në vende të tjera.
Besimtarët katolikë do të rikthehen në kisha në Gjermani
Kishat në Gjermani tani mund të hapin dyert për besimtarët, por tubimet tani do të jenë ndryshe.
Pas disa javëve negociata, liderët fetarë kanë nxjerrur disa rregulla strikte për të frenuar koronavirusin e ri.
Kishat do të kufizojnë numrin e pjesëmarrësve dhe njerëzit duhet të mbajnë distancë të paktën 2 metra.
Këndimi, sipas zyrtarëve mund të shpërndajë virusin prandaj është ndaluar si dhe priftërinjtë duhet të vendosin maska.
Hebrenjtë dhe myslimanët po ashtu janë duke vendosur rregulla të reja për të rihapur xhamitë dhe sinagogët.
Johnson tregon momentet e vështira gjatë trajtimit të COVID-19
Kryeministri britanik, Boris Johnson, në një intervistë për gazetën The Sun, ka treguar detaje për gjendjen e tij të keqe gjatë trajtimit të virusit COVID-19. Johnson tha se ka marrë shumë litra me oksigjen për të mbijetuar.
Ai shtoi se java që kaloi në spital e ka shtyrë që të luftojë për të tejkaluar virusin dhe të kthejë vendin në gjendjen e mëparshme.
Më herët, e fejuara e kryeministrit, Carrie Symonds, njoftoi se e kanë emëruar djalin e tyre të lindur disa ditë pas lirimit të Johnson nga spitali me emrin Wilfred Lawrie Nicholas Johnson, që i dedikohet gjyshërve të tij dhe dy mjekëve që e kanë trajtuar kryeministrin.
Johnson theksoi se kanë qenë momente të vështira dhe se ka menduar si do të dalë nga kjo situatë.
Ai ishte diagnostikuar me koronavirus më 26 mars dhe ishte pranuar në spital 10 ditë më vonë ku më pas ishte vendosur në kujdes intensiv.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve të raportuara në lidhje me koronavirusin në Mbretërinë e Bashkuar tani ka arritur në 28,131 - një rritje prej 621 nga e premtja.