Katër viktima të reja nga koronavirusi në Serbi
Në Serbi gjatë 24 orëve të fundit, katër persona kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit të ri, duke rritur numrin e përgjithshëm të viktimave në 193, njoftoi Shtabi i Krizës i formuar nga qeveria serbe.
Autoritetet shëndetësore kanë testuar 5,274 individë, 102 prej të cilëve kanë dalë pozitiv në COVID-19.
Sipas zyrtarëve, shkalla e vdekshmërisë është 2.04 për qind.
Në Serbi deri më tani janë regjistruar 9,464 raste me COVID-19.
Pse Kosova nuk ka virologë?
Virologjia është nën-fushë e mikrobiologjisë, e cila merret me studimin dhe proceset e virusëve. Në mungesë të virologëve, me studimin e virusëve në Kosovë janë marrë kryesisht mikrobiologët, kurse luftimin e infeksioneve të shkaktuara nga virusët e kanë bërë infektologët.
Një mikrobiolog i specializuar, mund të bëhet virolog pasi të ketë përfunduar edhe atë që quhet subspecializim.
Në Kosovë janë gjithsej 45 mikrobiologë. Prej tyre 14 punojnë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, derisa të tjerët nëpër institute brenda spitaleve rajonale në vend.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link.
Aeroporti i Vjenës do të mundësojë testimin e pasagjerëve për COVID-19
Duke nisur nga data 4 maj, Aeroporti i Vjenës do të ofrojë mundësinë e testimit për koronavirusin e ri.
Kjo masë do të ju mundësojë pasagjerëve që hyjnë në Austri, të mos kenë nevojë për t'u izoluar në periudhë 14 ditore, nëse nuk posedojnë një certifikatë shëndetësore përmes së cilës dëshmojnë se janë negativ në COVID-19.
Testimi në aeroport mund ta bëjnë edhe udhëtarët që largohen nga Vjena.
Austria ka regjistruar 15.526 raste me koronavirusin e ri, dhe 598 vdekje.
Ky vend ka filluar të lehtësojë masat e izolimit duke lejuar hapjen e disa llojeve të biznesve.
Hiqet karantina për Klinën, Vitinë dhe Malishevën
Qeveria e Kosovës në detyrë ka hequr masën e karantinës për komunat: Klinë, Viti dhe Malishevë, ka njoftuar zyra e kryeministrit të Kosovës.
Vendimi është marrë në një mbledhje të qeverisë në detyrë.
“Ndryshimet dhe plotësimet e miratuara do të shfuqizojnë pjesët e vendimit që ndalojnë hyrje-daljet në komunat e Klinës, Vitisë dhe Malishevës”, thuhet në komunikatë.
Vendimi është miratuar me kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe ai i obligon të gjitha institucionet Kosovës që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e tij.
Në Kosovë, 823 persona janë infektuar, 336 janë shëruar edhe 22 kanë vdekur si pasojë e koronavirusit të ri.
Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19.