Fillon lehtësimi i masave të izolimit në Kosovë
Në Kosovë ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave të izolimit kundër COVID-19.
Sipas vendimit të ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, duke filluar nga sot (4 maj), hapen bizneset, si: ndërtimtaria dhe patundshmëria, tregtia e automjeteve, pjesërisht tregtia me pakicë, pjesërisht riparimi i artikujve personal dhe i orendive, si dhe zyrat e konsulencës.
Po ashtu, nga sot fillon edhe zgjatja e orarit të lëvizjeve të qytetarëve.
Orari i qarkullimit rregullohet sipas shifrës së parafundit të numrin personal të letërnjoftimit. Me orarin e ri, qytetarët kanë të drejtë të qarkullojnë 90 minuta paradite dhe 90 minuta pasdite.
Lehtësimi i masave në Kosovë siç ka thënë më herë ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, do të zhvillohet në 3 faza.
Faza e dytë fillon nga 18 maji deri më 2 qershor dhe gjatë saj do të fillojë operimi i bizneseve, si: tregtia me pakicë, dentistët dhe fizioterapeutët, floktarët dhe sallonet e ondulimit, tregu i gjelbër, gastronomia, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban dhe qendrat e thirrjeve.
Faza e tretë, ndërkaq, hyn në fuqi më 2 qershor e deri në vendimin e radhës dhe do të lejohen transporti urban dhe ndër-urban, taksitë, gastronomia, provimet në arsimin e lartë, testi i maturës dhe arritshmërisë, hapja e kinemave, e teatrove dhe hapja selektive e aktiviteteve sportive.
Vendimit për lehtësim të masave është marrë pas rënies së numrit të rasteve të infektuar me COVID 19.
Bazuar në të dhënat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë, ka arritur në 851 të infektuar, 25 të vdekur dhe 381 të shëruar.
Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që e shkakton koronavirusi, Kosova kishte vendosur masat e para më 13 mars, menjëherë pas paraqitjes së rasteve të para me koronavirus.
Italia del nga izolimi
Italia u bë vendi i parë në botë që urdhëroi një izolim mbarëkombëtar. Dhe tani, pas më shumë se dy muaj karantinë të detyruar, italianëve u lejohet të rifillojnë disa aktivitete.
Ata do të jenë në gjendje të lëvizin më lirshëm brenda rajonit të tyre, të vizitojnë të afërmit dhe të shkojnë në parqet e rihapura.
Vlerësohet se rreth katër milionë njerëz do të rikthehen në punë.
Ky vend ka 210.717 raste të konfirmuara me COVID-19 dhe 28.884 vdekje.
Vrapimi dhe çiklizmi në natyrë do të lejohen, mirëpo njerëzve do t’u duhet të mbajnë një distancë prej të paktën një metër.
Asnjë tubim nuk do të lejohet dhe njerëzit nuk mund të largohen nga rajonet e tyre, përveç në raste urgjence, raporton AFP.
Zyrtarët shëndetësorë udhëzuan qytetarët që të respektojnë masat e tjera sanitare, ndërsa kryeministri italian, Giuseppe Conte, paralajmëroi se masat e kufizimit mund të rikthehen nëse nëse numri i të infektuarve fillon të rritet.
Italianët janë izoluar qysh më 9 mars. Ata janë lejuar të dalin jashtë vetëm për nevoja thelbësore.
Masat e izolimit kanë nisur të lehtësohen pak më 14 prill, me rihapjen e disa dyqaneve të vogla dhe librarive.
Trump beson se deri në fund të vitit SHBA-ja do ta ketë vaksinën për COVID-19
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se ai beson se Shtetet e Bashkuara do të posedojnë një vaksinë për koronavirusin përpara vitit 2021.
"Ne kemi shumë besim se do të kemi një vaksinë në fund të vitit 2020", tha ai gjatë një interviste për Fox News.
Shkencëtarët në të gjithë botën aktualisht po garojnë për të zhvilluar një vaksinë të tillë, por shumica e ekspertëve presin që ajo do të jetë gati për shpërndarje masive diku në vitin 2021.
Mirëpo, Trump e pranoi se po bënte një parashikim të afatit kohor për vaksinën më herët sesa këshilltarët e tij mjekësorë.
"Mjekët do të thoshin, mirë, nuk duhet ta thuash këtë. Unë do të them atë që mendoj", tha ai.
Hulumtimi për një vaksinë po ndodh me shpejtësi të madhe. Rreth 80 grupe në të gjithë botën po hulumtojnë vaksina dhe disa tani kanë bërë provat klinike.
Prova e parë tek njerëzit u njoftua muajin e kaluar nga shkencëtarët në Seattle. Në mënyrë të pazakontë, ata janë duke anashkaluar çdo hulumtim të vaksinës tek kafshët për të provuar sigurinë ose efektivitetin e saj.
Në Oksford, prova e parë tek njerëzit në Evropë ka filluar me më shumë se 800 persona - gjysma do të marrin vaksinën ndaj Covid-19 dhe pjesa tjetër një vaksinë kontrolluese e cila mbron nga meningjiti, por jo koronavirusi.
Edhe shkencëtarët australian janë duke punuar në zbulimin e një vaksine ndaj koronavirusit.
Sidoqoftë, askush nuk e di se sa efektive do të jetë ndonjë nga këto vaksina.
Fytyra e re e trafikut ajror
Në një kohë kur shumica e aeroplanëve të pasagjerëve në botë janë ende të parkuar në aeroporte, për shkak të pandemisë së koronavirusit, linjat ajrore dhe aeroportet po shpallin masa shëndetësore për të parandaluar përhapjen e virusit.
Ka të ngjarë që pasagjerët do të përjetojnë një përvojë krejtësisht të ndryshme fluturimi, me kontrollet e temperaturës, shumë dezinfektues dhe mbajtjen e maskave mbrojtëse, njoftojnë media botërore.
Distanca fizike do të jetë e detyrueshme.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link.