Gjendja e jashtëzakonshme në Serbi përfundon më 7 maj
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se ai pret që gjendja e jashtëzakonshme në Serbi të hiqet më 7 maj.
Ai i tha TV Pink se së bashku me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq do të marrin një vlerësim për këtë çështje nga ministria e Mbrojtjes, pasi ashtu e kërkojnë procedurat.
"Pastaj vjen vendimi i Qeverisë së Serbisë, dhe me nënshkrimin tim dhe kryeministres Bërnabiq, ne e dërgojmë çështjen në Kuvend", tha Vuçiq.
Ai tha se dy kushtet për heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme janë përmbushur.
"Njëri kusht është ulja nën pesë për qind e personave pozitiv me COVID-19 për shtatë ditë rresht dhe tjetri - dukshëm më pak njerëz në respirator", tha Vuçiq.
Serbia e kishte vendosur gjendjen e jashtëzakonshme më 16 mars.
Epidemiologu, Predrag Kon, tha se pasi të hiqet gjendja e jashtëzakonshme, do të ishte përgjegjësia e njerëzve që të parandalojnë përhapjen e koronavirusit.
Në Serbi gjatë 24 orëve të fundit, katër persona kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit të ri, duke rritur numrin e përgjithshëm të viktimave në 193, njoftoi Shtabi i Krizës i formuar nga qeveria serbe.
Autoritetet shëndetësore kanë testuar 5,274 individë, 102 prej të cilëve kanë dalë pozitiv në COVID-19.
Sipas zyrtarëve, shkalla e vdekshmërisë është 2.04 për qind.
Në Serbi deri më tani janë regjistruar 9,464 raste me COVID-19.
IKSHPK: 18 të shëruar dhe 11 raste me koronavirus
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se të dielën (3 maj) në Kosovë janë shëruar edhe 18 persona nga koronavirusi i ri.
Numri i përgjithshëm i të shëruarve ka arritur në 381.
Ndërkaq, nga 171 testime që janë bërë gjatë 24 orëve të fundit, me koronavirusin e ri janë diagnostikuar gjithsej 11 raste.
"Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Mitrovicës së Jugut 5 raste nga komuna e Prizrenit 3 raste dhe Leposaviq 3 raste", thuhet në njoftimin e Institutit.
Bazuar në të dhënat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë, ka arritur në 851.
Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19.
Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit kërkohet mbrojtje për gazetarët gjatë pandemisë
Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, këtë vit, i gjen gazetarët nën presionin dhe kërcënimet e autoriteteve në shumë vende të botës, të cilat po e përdorin pandeminë e koronavirusit për të goditur median.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se situata me pandeminë ka shkaktuar dezinformata, këshilla të dëmshme shëndetësore dhe madje edhe teori të komplotit.
Kufizimet e lëvizjes, sado të rëndësishme në luftën kundër pandemisë, "nuk duhet të keqpërdoren si një justifikim për të goditur aftësinë e gazetarëve për të bërë punën e tyre", tha Guterres në një deklaratë.
Dita Botërore e Lirisë së Shtypit shënohet çdo vit më 3 maj.
Lajmin e plotë mund ta lexoni në këtë link.
Bie numri i të vdekurve nga koronavirusi në Turqi
Ministri i shëndetësisë i Turqisë, Fahrettin Koca , ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 61 vdekje të reja nga COVID.
Ky është numri më i ulët i vdekjeve brenda një muaji.
Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 3.397.
Ministri Koca informoi se janë konfirmuar edhe 1,670 raste të reja me koronavirus, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 126,045.
Turqia renditet në vendin e tetë në botë për nga numri i rasteve me koronavirus.