Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
11:52 4.5.2020

Shqipëria sërish me numër të ulët të rasteve me COVID-19

Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri, nga 140 testimet e kryera vetëm 8 raste janë konfirmuar pozitiv me COVID-19, tha Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik.

Që nga fillimi epidemisë janë konfirmuar 803 raste të të infektuarve dhe 68% e tyre janë të shëruar.

Në të gjithë vendin aktualisht janë 229 persona aktiv me COVID-19, pjesa më e madhe e të cilëve po trajtohen nga mjeku i familjes.

"Aktualisht janë 34 pacientë të hospitalizuar dhe 7 prej tyre janë në terapi intenzive", tha Tomini.

Në Shqipëri nga sot (4 maj) ka filluar lehtësimi i masave të izolimit.

Shërbimet e taksive do të lejohen vetëm me dy pasagjerë, anëtarë të së njëjtës familje.

Autoritetet shëndetësore kanë bërë thirrje për respektimin e distancës fizike dhe masave tjera për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

11:13 4.5.2020

Ministri Vitia kërkon hetime për rastin e vdekjes së të riut në Qendrën e Studentëve

Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të vendos në prioritetet e saj hetimin e rastit të vdekjes së një personi në konviktet e Qendrës së Studentëve në Prishtinë, të cilat shërbejnë si karantinë për personat që hyjnë në Kosovë.

Më 3 maj, një person ka vdekur, pasi u hodh nga katet e larta të njërit prej konvikteve të Qendrës së Studentëve në Prishtinë.

Në një konferencë për media, ministri në detyrë Vitia, tha se do të ushtrohen të gjitha përgjegjësitë institucionale dhe do të zbardhet çdo e dhënë lidhur me këtë rast.

“Do të zbardhet çdo e dhënë që lidhet me rastin, prej angazhimit të udhëtimit nga Ambasada e Kosovës në Gjermani, pritjes së vizitës mjekësore në aeroport dhe shoqërimin në Qendrën e Studentëve në Prishtinë. I bëjë thirrje prokurorisë së shtetit të vendos në prioritetet e saj hetimin e plotë të rastit. Çdo supozim i parakohshëm që mund të bëjmë tani, është mungesë përgjegjësie”, tha Vitia.

Në bazë të një vendimi të institucioneve të Kosovës, Qendra e Studentëve në Prishtinë është shëndruar në karantinë për personat që hyjnë në Kosovë.

Ky vendim është marrë në kuadër të masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.

10:47 4.5.2020

Greqia transferon qindra migrantë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit

Greqia do të transferojë qindra migrantë nga një kamp në ishullin Lesbos për të shmangur mbipopullimin e tij gjatë pandemisë së COVID-19.

Bashkimi Evropian dhe grupet e të drejtave i kanë kërkuar qeverisë greke të largojë migrantët për shkak të rrezikut nga përhapja e koronavirusit të ri.

Një grup prej rreth 395 migrantësh do të zhvendosen nga kampi Moria në Lesbos, thanë zyrtarët grekë.

Qeveria greke më 23 mars vendosi masa të izolimit në të gjithë vendin për të ngadalësuar përhapjen e COVID-19.

Zyrtarët grekë thonë se ata tani planifikojnë të zhvendosin rreth 2.400 migrantë nga ishujt.

Rreth 37,000 migrantë jetojnë në kampe të mbipopulluara dhe me kushte jo të mira higjenike në pesë ishuj grekë. Kampet ishin ndërtuar për të mbajtur 6.200 njerëz.

Kampi Moria mban rreth 19.300 njerëz, gjashtë herë më shumë se kapaciteti i tij.

Greqia ka regjistruar 2,626 raste të konfirmuara të të infektuarve me koronavirus dhe 144 vdekje, një numër i ulët në krahasim me vendet tjera në Evropë dhe Turqinë fqinje.

Asnjë rast nuk është regjistruar në kampet e ishullit, por ekspertët paralajmërojnë se një shpërthim i epidemisë atje, do të përhapej me shpejtësi.

Greqia ka qenë një nga portat kryesore për në Evropë për migrantët që largohen nga konflikti dhe varfëria në Lindjen e Mesme dhe gjetkë.

Shumica e migrantëve në Greqi janë nga Siria, Iraku dhe Afganistani.

09:57 4.5.2020

Pompeo: Ekzistojnë prova se virusi doli nga laboratori kinez

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se ekziston "një numër i konsiderueshëm i provave" që dëshmojnë se koronavirusi i ri doli nga një laborator kinez.

Sidoqoftë, Pompeo nuk e kontestoi vlerësimin e agjencive të inteligjencës amerikane që virusi nuk ishte i krijuar nga njeriu.

Si Pompeo, ashtu edhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kanë kritikuar ashpër Kinën, duke akuzuar për mungesë të transparencës.

Lajmin e plotë mund ta lexoni në këtë link.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG