Maska për të gjithë? Shumë shtete po i bëjnë të detyrueshme
Në shumë vende të botës janë bërë të detyrueshme maskat mbrojtëse të fytyrës në kohën e pandemisë së koronavirusit. Por, a duhet që qytetarët të blejnë maska profesionale apo mjaftojnë edhe ato më të thjeshta?
IKSHPK u bën thirrje prindërve të vaksinojnë fëmijët
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë u bëri thirrje prindërve që të vaksinojnë fëmijët e tyre me ato vaksina që janë të parapara në programin e imunizimit.
"T’i përmbaheni rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë që në çdo Qendër të Kujdesit Mjekësor Familjarë dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare si dhe nëpër punkte e shkolla ku ekipet e vaksinimit janë duke zbatuar Programin e Zgjeruar të Imunizimit, të mbani distancën 2 metra, të bartni maska dhe mbani higjienën e duarve dhe higjienën personale", thuhet në njoftim.
Instituti bën thirrje që të gjithë fëmijët të vaksiohen sipas kalendarit të paraparë të imunizimit.
Sipas zyrtarëve shëndetësorë Kosova është ranguar ndër shtetet me suksesin më të lartë të vaksinimit në botë.
Rusia raporton për mbi 10 mijë raste të reja me COVID-19
Autoritetet ruse kanë njoftuar për 10.581 raste të reja të të infektuarve me koronavirusin e ri, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 145.268. Mbi 10 mijë raste të të infektuarve janë raportuar edhe të dielën. Shifrat zyrtare të Rusisë tani tejkalojnë ato të Kinës, Turqisë dhe Iranit.
Javën e kaluar u njoftua se kryeministri rus, Mikhail Mishustin, është diagnostikuar me koronavirus.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin e ka zgjatur periudhën e izolimit mbarëkombëtar deri më 11 maj.
Zyrtarët po u kërkojnë qytetarëve të qëndrojë në shtëpi.
Në Klinikën Infektive të QKUK-së po trajtohen 36 pacientë me COVID-19
Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë të hospitalizuar 36 persona të infektuar me COVID-19.
Valbon Krasniqi, infektolog në Klinikën Infektive, tha për Radion Evropa e Lirë se shumica e pacientëve janë në gjendje stabile.
“Për momentin në Klinikën Infektive kemi 36 pacientë me COVID-19, 29 prej tyre kanë gjendje shëndetësore stabile, ndërsa katër pacientë janë edhe me oksigjenoterapi, dhe tre pacientë tjerë janë në gjendje më të rëndë dhe duke marrë trajtimin e nevojshëm në repartin intensiv të Klinikës Infektive”, tha Krasniqi.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetësisë Publike në Kosovë nga data 8 shkurt deri më më 03 maj 2020, janë testuar gjithsej 8.287 mostra të dyshimta me koronavirusin e ri dhe prej tyre pozitive rezultojnë 851 raste, 25 pacientë kanë vdekur dhe 381 janë shëruar.