Italia me gati 40% vdekje më shumë në fillim të vitit 2020
Numri i vdekjeve në Itali është rritur për gati 40 për qind këtë vit, kryesisht për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Agjencia kombëtare e statistikave Istat tha se nga 20 shkurti deri më 31 mars kanë vdekur mbi 90,000 njerëz, që do të thotë 38.7 për qind më shumë se masatarja e regjistruar gjatë periudhave të njëjta nga viti 2015 deri më 2019.
Istat vuri në dukje se më shumë se 90 për qind e vdekjeve të shtuara janë regjistruar në provincat me shkallë të lartë të infeksionit me koronavirus, kryesisht në veri të Italisë.
Vetëm në muajin mars, numri i vdekjeve krahasuar me periudhën 2015-2019 është rritur për 568 për qind në provincën Bergamo, 391 për qind në provincën Kremona dhe 370 për qind në provincën Lodi.
Studimi i Istat-it, i kryer në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit, bazohet në të dhënat e 6,866 bashkive italiane, apo rreth 87 për qind të totalit.
Pas Shteteve të Bashkuara, Italia ka numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi: mbi 28,800.
Italia është po ashtu e treta me numër të të infektuarve – pas SHBA-së dhe Spanjës – me mbi 210,000 të prekur.
Kontrollet kufitare në Gjermani deri më 15 maj
Gjermania do të zgjasë kontrollet e saj kufitare deri më 15 maj, tha të hënën një zëdhënës i ministrisë së Brendshme.
Masa është në përputhje me udhëzimet e Komisionit Evropian, shtoi ai.
"Sigurisht, ne jemi të udhëhequr nga fryma evropiane që të mos veprojmë në mënyrë të njëanshme ose në një mënyrë të pakordinuar", tha ai, raporton Reuters.
Shumë vende evropiane kanë vendosur kontrolle urgjente kufijsh në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Japonia në gjendje të jashtëzakonshme deri më 31 maj
Qeveria e Japonisë e ka zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme në vend deri më 31 maj.
Gjendja e jashtëzakonshme duhej të përfundonte të mërkurën.
Japonia deri më tani ka shmangur një shpërthim të gjerë të virusit, por ende ka rreth 15,000 raste të konfirmuara dhe rreth 500 vdekje që kanë qenë të lidhura me Covid-19.
Në bazë të masave që janë ndërmarrë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, institucionet kanë të drejtë të kërkojnë nga banorët të qëndrojnë në shtëpi dhe bizneset të mbyllen. Por, nuk janë paraparë gjoba për ata që nuk respektojnë rregullat.
Prokuroria nis hetimet për rastin e vdekjes në Qendrën e Studentëve
Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se ka filluar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të rastit të vdekjes së 26 vjeçarit në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
Më 3 maj, një person ka vdekur, duke u hedhur nga katet e larta, të njërit prej konvikteve të Qendrës së Studentëve në Prishtinë.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, përmes një konference për media ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të vendos në prioritetet e saj hetimin e rastit të kësaj vdekje.
Vitia ka thënë se do të ushtrohen të gjitha përgjegjësitë institucionale dhe e do të zbardhet çdo e dhënë e lidhur me këtë rast.
Zbardhjen e shpejt të këtij rasti e kanë kërkuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Në bazë të një vendimi të institucioneve të Kosovës, Qendra e Studentëve në Prishtinë është shëndruar në karantinë për personat që hyjnë në Kosovë.
Ky vendim është marrë në kuadër të masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.