Kina i cilëson “të çmendura” deklaratat e Pompeos për origjinën e koronavirusit
Transmetuesi shtetëror i Kinës i kritikoi ashpër komentet e sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, në lidhje me origjinën e koronavirusit, duke i cilësuar ato si “të çmendura”.
CCTV tha përmes një raporti se pretendimi i Pompeos se koronavirusi ka dalë nga një laborator në qytetin e Kinës, Vuhan, “është një gënjeshtër e plotë”.
Transmetuesi kinez tha se politikanët amerikanë “po nxitojnë të zhvendosin fajin” dhe "të shtypin Kinën, në kohën kur përpjekjet e tyre kundër epidemisë janë rrëmujë".
Komentet vijnë një ditë pasi Pompeo tha se "ka sasi të konsiderueshme të provave" se koronavirusi ka dalë nga një laborator i Vuhanit, edhe pse nuk dha më shumë detaje.
Pompeo e ka thënë këtë edhe më herët, edhe pse një teori e tillë është hedhur poshtë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe disa ekspertë shkencorë.
Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë nisur ta akuzojnë njëra-tjetrën për përhapje të dezinformatave në lidhje me origjinën e koronavirusit qysh në muajin mars, kur një zyrtar kinez ka thënë se ushtria amerikane “mund ta ketë sjellë virusin në Kinë”.
Rastet e para me koronavirus janë shfaqur në Vuhan të Kinës në fund të vitit të kaluar dhe, që atëherë, janë përhapur në mbi 180 vende të botës.
COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi, ka prekur mbi 3.5 milionë njerëz në botë dhe ka vrarë mbi 248,000.
Pandemia e koronavirusit rrit papunësinë në Austri
Pandemia e koronavirusit ka rritur numrin e të papunëve në Austri në nivele të larta, tha të hënën Shërbimi i Punës në këtë vend, i njohur si AMS.
Sipas të dhënave të tij, 571,477 njerëz janë aktualisht pa punë – një pjesë e tyre si pasojë e mbylljes së ekonomisë.
Kjo do të thotë rritje për 58 për qind, krahasuar me fundin e prillit, 2019, kur kanë qenë 361,202 të papunë.
AMS-ja tha se kjo është një “rritje ekstreme e pasivitetit, që lidhet me koronavirusin”.
Sipas saj, norma e papunësisë në Austri është rritur në 12.8 për qind në fund të muajit prill, nga 8.1 për qind sa ka qenë në shkurt.
AMS tha përmes një deklarate se “të gjithë sektorët, të gjitha rajonet dhe të gjitha grupmoshat” janë prekur nga mbyllja e ekonomisë.
Tani ka dhjetë herë më shumë punëkërkues sesa vende të lira të punës, tha AMS.
Industritë e goditura më së keqi janë hotelet dhe restorantet, ku papunësia është rritur për 130 për qind.
Në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit, Austria është izoluar, duke mbyllur shumicën e bizneseve, nga gjysma e marsit.
Ky vend është tani në proces të lehtësimit të masave të izolimit.
Shifrat e së hënës kanë treguar se Austria ka 15,538 raste të konfirmuara me koronavirus dhe 600 viktima.
Disa këshilla nga Organizata Botërore e Shëndetësisë:
Numri i të infektuarve me koronavirus në Gjermani mund të jetë “10 herë më i lartë”
Numri i të infektuarve me koronavirus në Gjermani mund të jetë "dhjetë herë më i lartë" se numri i rasteve të konfirmuara.
Hulumtues nga Universiteti i Bonit thanë se 1.8 milion njerëz në Gjermani mund ta kenë kontraktuar koronavirusin.
Aktualisht, Gjermania ka rreth 160,000 raste të konfirmuara.
Studimi, i cili u tha se duhet të vlerësohet akoma më shumë, u përqendrua në mostrat e 919 njerëzve që jetojnë në një qytet në komunën Hajnsberg - një nga zonat më të goditura të vendit.
Studmi po ashtu gjeti se më shumë se një në pesë persona të infektuar nuk kanë treguar simptoma të sëmundjes që e shkakton koronavirusi, COVID-19.
Gjermania ka të regjistruara mbi 6,800 viktima nga koronavirusi.
Ky është një numër relativisht i vogël i viktimave, krahasuar me vendet tjera evropiane: Italinë, Spanjën, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar - secila me mbi 20,000 të vdekur.
Suksesi relativ i Gjermanisë në trajtimin e koronavirusit u është atribuar kryesisht testimeve masive.
Gjermania ka filluar të lehtësojë masat e izolimit, duke hapur dyqanet, kopshtet zoologjike, muzetë dhe parukeritë.