Rasti i parë me koronavirus në Francë mund të ketë qenë në dhjetor
Një pacient i diagnostikuar me pneumoni, më 27 dhjetor pranë Parisit, ka pasur në fakt koronavirus, tha mjeku i tij.
Dr. Yves Cohen i tha medias fraceze se pështyma e marrë atëbotë nga ai, është testuar së voni dhe ka dalë pozitive për koronavirus.
Pacienti, një burrë rreth 50 vjeç, i cili është shëruar plotësisht, tha se nuk ka ide se ku mund ta ketë marrë virusin, pasi nuk ka qenë në ndonjë zonë të infektuar.
Lajmi që transmeton BBC do të thotë se koronavirusi mund të ketë arritur në Francë një muaj më herët seç është menduar.
Sipas konfirmimeve të deritashme, tre rastet e para me koronavirus në Francë janë regjistruar më 24 janar.
Prej tyre, dy kanë qenë në qytetin Vuhan të Kinës - ku koronavirusi është zbuluar për herë të parë - ndërsa i treti ka qenë një anëtar i ngushtë i familjes.
Mjeku Cohen tha se e ka alarmuar Agjencinë Kombëtare të Shëndetit dhe se u ka bërë thirrje virologëve të tjerë që të ritestojnë mostrat e marra në spitalet e tyre.
Franca është njëri nga vendet më të prekura në Evropë nga koronavirusi.
Afro 170,000 njerëz janë infektuar atje, ndërsa mbi 25,000 kanë humbur jetën.
Mbi 250,000 të vdekur nga koronavirusi
Numri global i viktimave nga koronavirusi ka kaluar 250,000.
Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins në SHBA, 251,575 njerëz kanë vdekur pasi janë infektuar me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi.
Shtetet e Bashkuara janë vendi me numrin më të madh të viktimave: afro 69,000.
Italia është e dyta me mbi 29,000 viktima dhe Mbretëria e Bashkuar e treta me mbi 28,000.
Krahasimet, megjithatë, janë të vështira, për shkak të metodave të ndryshme që përdorin vendet në raportimin e shifrave.
Disa prej tyre përfshijnë vetëm viktimat e regjistruara në spitale.
Mungesa e testimeve, që është problem në shumë vende, gjithashtu mund të fshehë shtrirjen e vërtetë të koronavirusit.
Senati amerikan rinis punën pas pauzës së shkaktuar nga pandemia
Senatorët amerikanë u rikthyen në Uashington për herë të parë qysh në muajin mars, kur edhe ka shpërthyer pandemia e koronavirusit.
Rreth gjysma e 100 senatorëve janë 65 vjeç ose më të vjetër dhe ka pasur shqetësime se ata mund të jenë në rrezik më të madh nga kontraktimi i virusit ngjitës.
Udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, e mbrojti vendimin për të rinisur punën, duke thënë se është e rëndësishme që senatorët t’i mbështesin punonjësit shëndetësorë, punonjësit e dyqaneve ushqimore dhe shumë amerikanë të tjerë që bëjnë punë thelbësore.
Por, udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer, tha se nuk është e dobishme që McConnell ka thirrur Senatin, për të ndjekur, siç tha ai, agjendën politike republikane.
Demokratët dhe republikanët pritet të diskutojnë një legjislacion të ri për rimëkëmbjen nga koronavirusi.
Demokratët duan që legjislacioni të përfshijë deri në 1 trilion dollarë ndihmë për qeveritë shtetërore dhe lokale, ndërsa republikanët kërkojnë mbrojtje për bizneset, si kusht për miratimin e çdo ligji.
Dhoma e Përfaqësuesve, e cila udhëhiqet nga demokratët, mbetet e mbyllur, por po shqyrton një plan për të lejuar mbledhjet e komiteteve që do të shkruajnë ligje.
Numri i viktimave nga koronavirusi në SHBA, më i ulëti në një muaj
Shtetet e Bashkuara regjistruan në 24-orëshin e fundit 1,015 viktima nga koronavirusi, që është numri më i vogël brenda një dite tash e një muaj.
Në total, SHBA-ja ka afro 69,000 viktima nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19, ndërsa mbi 1.1 milion njerëz atje janë infektuar.
Prej tyre, afro 200,000 tashmë janë shëruar.
Gazeta New York Times ka cituar të hënën një dokument të brendshëm të Qeverisë amerikane, i cili parashah rritje të mprehtë të infektimeve me koronavirus nga 1 qershori.
Sipas këtij dokumenti, deri në 200,000 raste të reja mund të regjistrohen në ditë, ndërsa numri ditor i viktimave mund të arrijë në rreth 3,000.
Shifrat, megjithatë, nuk janë konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë.