Bavaria do të nisë me rihapjen e restoranteve
Landi më i madh i Gjermanisë, Bavaria, do të rihapë restorantet nga 18 maji, tha kryeministri i rajonit, Markus Soeder.
Shumë biznese në Gjermani janë mbyllur në mes të marsit, për të frenuar përhapjen e koronavirusit, ndonëse lehtësimi i disa masave të izolimit ka nisur në fund të prillit.
Soeder tha se restorantet fillimisht do të ofrojnë shërbime vetëm në terraca, ndërsa një javë më vonë edhe brenda.
Hotelet po ashtu do të lejohen të mirëpresin mysafirë, nisur nga data 30 maj.
"Ka ardhur koha për një rihapje të kujdesshme", tha Soeder.
Gjermania ka regjistruar mbi 166,000 raste me koronavirus dhe më pak se 7,000 viktima.
Kina thotë se nuk ka asnjë viktimë nga koronavirusi që tri javë
Kina tha të martën se ka regjistruar vetëm një rast të ri me koronavirus dhe asnjë viktimë.
Bazuar në këtë raportim, në Kinë janë bërë tri javë prejse është regjistruar viktima e fundit nga COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi.
Komisioni Kombëtar i Shëndetit tha se 395 pacientë janë duke u trajtuar në spitale, ndërsa 949 persona janë të izoluar dhe nën vëzhgim, pasi kanë dalë pozitivë në testet për koronavirus ose dyshohet se mund të jenë të infektuar.
Kina – ku koronavirusi ka shpërthyer për herë të parë në fund të vitit të kaluar – ka raportuar për 4,633 vdekje nga koronavirusi dhe për 82,881 persona të infektuar në total.
Të dhënat e fundit vijnë në kohën kur akuzat Kinë-SHBA për origjinën e koronavirusit, janë ashpërsuar.
Më 3 maj, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se ka prova se koronavirusi ka dalë nga një laborator në qytetin Vuhan të Kinës.
Kina është përgjigjur duke thënë se pretendimet e tilla janë “çmenduri”.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se pretendimet e SHBA-së janë spekulative.
OBSH: Rastet me koronavirus në Francë mund të datojnë nga dhjetori
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se “nuk është befasues” raporti se një rast me koronavirus në Francë është regjistruar në dhjetor - më herët seç është menduar deri më tani.
“Është po ashtu e mundur të gjenden edhe raste të tjera të mëhershme”, tha zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier.
Ai u bëri thirrje vendeve të tjera që të hulumtojnë nëse kanë pasur raste me koronavirus në fund të vitit 2019.
“Kjo do t'i jepte botës një pamje të re dhe më të qartë të shpërthimit të koronavirusit”, tha Lindmeier.
Një pacient i diagnostikuar me pneumoni, më 27 dhjetor pranë Parisit, dyshohet se ka pasur në fakt koronavirus.
Mjeku i tij, Yves Cohen, u tha mediave fraceze se mostra e marrë atëbotë nga ai, është testuar së voni dhe ka dalë pozitive për koronavirus.
Ky lajm do të thotë se koronavirusi në Francë mund të ketë arritur një muaj më herët seç mendohet.
Por, sipas konfirmimeve të deritashme, tre rastet e para me koronavirus në Francë janë regjistruar më 24 janar.
Franca është njëri nga vendet më të prekura në Evropë nga koronavirusi.
Afro 170,000 njerëz janë infektuar atje, ndërsa mbi 25,000 kanë humbur jetën.
Rënie rekorde e shitjes së makinave në Mbretërinë e Bashkuar
Regjistrimi i makinave të reja në Mbretërinë e Bashkuar ka shënuar rënie rekorde në muajin prill, si pasojë e pandemisë së koronavirusit.
Shifrat e Shoqatës së Prodhuesve dhe Tregtarëve të Makinave tregojnë se muajin e kaluar janë regjistruar vetëm 4,321 makina të reja, që është niveli më i ulët mujor që nga viti 1946.
Shifra e prillit shënon rënie të shitjeve për 97 për qind, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.
Shoqata e Prodhuesve dhe Tregtarëve të Makinave tha se nga regjistrimet e bëra muajin e kaluar, 70% ishin nga kompanitë.
"Nëse ju thuhet t’i mbyllni të gjitha sallat e ekspozimit të makinave, nuk është befasi që shitjet të jenë pothuajse joekzistente", tha për BBC-në Mike Hawes, shef ekzekutiv i Shoqatës së Prodhuesve dhe Tregtarëve të Makinave në Mbretërinë e Bashkuar.
Një zëdhënës i Shoqatës tha se shumica e makinave të shitura muajin e kaluar, kanë qenë për të mbështetur punëtorët kyçë.
Mbretëria e Bashkuar është një nga vendet më të prekura nga koronavirusi, me mbi 190,000 njerëz të infektuar dhe mbi 28,800 viktima.