Përgjigjet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në disa nga pyetjet më të shpeshta:
Spanja regjistron të tretën ditë me radhë me më pak se 200 viktima
Ministria e Shëndetësisë e Spanjës tha se në 24 orët e fundit ka regjistruar 185 viktima nga koronavirusi.
Me këtë shifër, Spanja shënoi tre ditë me radhë me më pak se 200 viktima.
Numri i përgjithshëm i viktimave në këtë vend është 25,613.
Spanja prin në Evropë për nga numri i të infektuarve, me mbi 219,000.
Italia, ndërkaq, ka numrin më të madh të viktimave: mbi 29,000.
Në aspektin global, SHBA-ja ka numrin më të madh të të infektuarve dhe të viktimave.
UNICEF: 19 milionë fëmijë në mesin e të zhvendosurve më 2019 - koronavirusi e përkeqëson gjendjen
Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara, UNICEF, tha se 46 milionë njerëz, në mesin e tyre 19 milionë fëmijë, kanë ikur nga dhuna dhe konfliktet vitin e kaluar, porse kanë mbetur në shtetet e tyre, ndërsa miliona të tjerë janë zhvendosur nga katastrofat natyrore.
Raporti i UNICEF-it thekson se ka pasur rritje të madhe të numrit të njerëzve të zhvendosur brendapërbreda: nga 25 milionë një dekadë më herët, në më shumë se 40 milionë në pesë vjetët e fundit.
Vitin e kaluar, më shumë se 40 për qind e të zhvendosurve kanë qenë nën 18 vjeç, tha UNICEF.
"Miliona fëmijë të zhvendosur në të gjithë botën janë pa kujdes dhe mbrojtje të duhur", tha përmes një deklarate drejtorja ekzekutive e UNICEF-it, Henrietta Fore.
"Kur shfaqen kriza të reja, si pandemia e koronavirusit, këta fëmijë janë veçanërisht të cenueshëm", tha ajo.
UNICEF tha se pandemia e koronavirusit po e bën edhe më kritike situatën për fëmijët e zhvendosur dhe familjet, këtë vit.
Raporti "Të humbur në shtëpi" thotë se fëmijët e zhvendosur nuk kanë qasje në shërbimet themelore dhe janë rrezik të ekspozimit ndaj dhunës, shfrytëzimit, abuzimit, trafikimit, punës dhe martesës së parakohshme.
Ndalohen 72 persona që nuk i respektuan masat kundër koronavirusit
Policia e Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit, ndaloi 72 persona, të cilët nuk i respektuan masat e vendosura nga autoritetet për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se në 11 raste janë hasur 72 persona që dyshohen për veprën "mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”.
Numri më i madh i personave të ndaluar, sipas policisë, është regjistruar në Komunën e Mitrovicës së Jugut dhe në Prizren.
Në Kosovë, më 4 maj ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave të izolimit kundër koronavirusit.
Disa biznese janë rihapur, ndërsa orari i lëvizjes së qytetarëve është rritur nga një orë e gjysmë në ditë, në tri orë.
Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë masat e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave.