Edhe mbi 10,000 raste të reja me koronavirus në Rusi
Numri i rasteve të reja me koronavirus në Rusi është rritur për më shumë se 10,000, për të katërtën ditë me radhë.
Qendra e Reagimit ndaj Krizës me Koronavirus tha se në 24 orët e fundit ka regjistruar 10,599 raste të reja, të cilat e rrisin në 165,929 numrin e përgjithshëm të tyre.
Numri i viktimave u rrit po ashtu në 1,537, pasi në 24 orët e fundit autoritetet ruse regjistruan edhe 86 vdekje të tjera.
Imuniteti ndaj koronavirusit në Republikën Çeke, "shumë i ulët"
Një studim në Republikën Çeke tregon se imuniteti i popullatës së këtij vendi ndaj koronavirusit është vetëm 4 deri në 5 për qind.
Ministri i Shëndetësisë, Adam Vojtech, tha të mërkurën se 26,549 njerëz janë testuar dhe se nga ta, vetëm 107 vetë që kanë dalë pozitivë, nuk e kanë ditur se kanë qenë të infektuar.
Niveli i imunitetit ka të ngjarë të jetë më i ulët në dy qytetet më të mëdha të Çekisë, Pragë dhe Bërno, tha ai.
Çekia, vend me 10.7 milionë banorë, ka qenë ndër vendet e para në Evropë që ka nisur të zbatojë kufizime të ashpra të lëvizjes së njerëzve, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Në fillim të marsit, qeveria ka ndaluar udhëtimet dhe ka mbyllur kufijtë, dyqanet, restorantet dhe të gjitha shkollat.
Deri më 6 maj, ky vend ka raportuar për 7,899 raste me koronavirus dhe 258 viktima.
Vojtech tha se studimi nuk do të ketë ndikim në planin e qeverisë për të lehtësuar gradualisht masat e izolimit.
Video: Rrugët gati të shkreta të Pragës
Në QKUK po trajtohen 15 pacientë me koronavirus
Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës njoftoi të mërkurën se në këtë repart aktualisht janë duke u trajtuar 15 pacientë të prekur me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi.
Prej tyre, dy pacientë janë në gjendje të rëndë dhe përkujdesje intensive, katër raste janë në trajtim me oksigjenoterapi, ndërsa nëntë raste të tjera janë në gjendje stabile.
Klinika Infektive po ashtu njofton se sot do të lirohen 18 pacientë të shëruar nga koronavirusi.
Në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 856 raste me koronavirus.
Prej tyre, 490 janë shëruar, ndërsa 26 kanë vdekur.
Ndalohen 40 persona në Kosovë që s'i respektuan masat kundër koronavirusit
Policia e Kosovës tha se ka ndaluar 40 persona, të cilët nuk i kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se në 25 raste janë hasur 40 persona që dyshohen për veprën "mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”.
Policia tha se numri më i madh i personave të ndaluar është regjistruar në Prizren dhe në Prishtinë.
Masat që janë ndërmarrë kundër tyre, nuk janë sqaruar.
Në Kosovë, më 4 maj ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave të izolimit kundër koronavirusit.
Orari i lëvizjes së qytetarëve është rritur nga një orë e gjysmë në ditë, në tri orë, ndërsa disa biznese janë lejuar të rihapen.
Në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 856 raste me koronavirus.
Prej tyre, 490 janë shëruar, ndërsa 26 kanë vdekur.