Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
22:20 6.5.2020

Rusia shfrytëzoi pandeminë për të shpërndarë lajme të rreme

Në kohën kur shumica e vende të botës po përballen me pandeminë e koronavirusit të ri, Rusia ka shfrytëzuar hapësirën për të përhapur lajme të rreme, vlerësojnë zyrtarët amerikanë.

Ushtrues i detyrës së ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Philip Reeker, në një konferencë virtuale me gazetarë, tha se synimi i Rusisë është që të ngjallë dyshime dhe t’i pengojë aleancat e SHBA-së.

Por, Reeker tha se së bashku me partnerët, sidomos vendet e BE-së, kanë bashkëpunuar në menaxhimin e situatës gjatë pandemisë duke ndarë informacione të përbashkëta.

“Një nga çështjet kryesore në këtë fazë ka qenë sfida e keqinformimit, por ne jemi të dedikuar të gjithë së bashku që të kundërshtojmë përdorimin e keqinformimit dhe të ofrojmë informacione të sakta për situatën rreth COVID-19 [sëmundja që e shkakton koronavirusi]. Kjo është pjesë e traditës dhe transparencës dhe qeverisjes demokratike dhe vlerave të shoqërive tona të lira”, tha Reeker.

Materialin e plotë e gjeni këtu.

21:57 6.5.2020

Kuvendi i Serbisë voton për heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme

Kuvendi i Serbisë votoi të mërkurën për heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme në këtë vend, e cila është vendosur më 15 mars, si masë për frenimin e koronavirusit.

Ky vendim u miratua me 155 vota për, 1 abstenim dhe asnjë kundër.

Ai hyn në fuqi në më pak se tetë ditë pas votimit në gazetën zyrtare.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se propozimi për heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme është sjellë në kuvend pas rekomandimeve nga profesionistë shëndetësorë.

“Kushti themelor ka qenë që për më shumë se shtatë ditë të kemi nën pesë për qind të infektuar, në raport me numrin e të testuarve. Ky kusht është përmbushur, që nga 28 prilli ne jemi nën pesë për qind”, tha Bërnabiq.

Ajo shtoi se pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme, qytetarët do të duhet të mësojnë të jetojnë me koronavirusin, duke respektuar distancën fizike dhe masat tjera.

“Normaliteti ynë i ri do të jetë jeta dhe puna nën masat e distancimit fizik, social, me maska dhe me rritje të higjienës. Të gjitha këto do të jenë të nevojshme deri në gjetjen e vaksinës për koronavirus”, shtoi mes tjerash kryeministrja serbe.

Në Serbi me koronavirus janë infektuar 9,791 persona, ndërsa kanë vdekur 203.

21:26 6.5.2020

Rritet numri i rasteve me koronavirus jashtë Evropës Perëndimore

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka thënë se teksa numri i rasteve të prekura me koronavirus është duke rënë në Evropën Perëndimore, e kundërta është duke ndodhur në Evopën Lindore, në Afrikë, Azinë Juglindore, Lindjen e Mesme dhe Amerikë.

Ai po ashtu pa paralajmëruar qeveritë që të menaxhojnë me kujdes vendimet për lehtësim të masave të izolimit, pasi “rreziku i kthimit të virusit është shumë real”.

Ai ka përmendur gjashtë kushte para lehtësimit të masave të izolimit;

  • Numri i rasteve duhet të jetë në rënie, por vëzhgimi i të infektuarve duhet të jetë i lartë
  • Sistemet shëndetësore duhet të jene të gatshme të testojnë, trajtojnë dhe izolojnë të infektuarit
  • Në spitale dhe shtëpi kujdesi duhet të ketë shpërthime minimale
  • Masat mbrojtëse duhet zbatuar në vende të punës dhe shkolla
  • Numri i rasteve të importuara duhet të jetë i menaxhueshëm
  • Komuniteti duhet të veprojnë në përputhje me “normalen e re”.

20:56 6.5.2020

Kosovë: Katër persona të infektuar, 43 të shëruar nga koronavirusi

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK) ka regjistruar të mërkurën 4 persona të infektuar dhe 43 persona të shëruar nga koronavirusi.

"Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Prizrenit 2 raste (sipas vendbanimit: 1 rast Prizren, 1 rast Zhur), një 1 rast me vendbanim në Rahovec dhe një 1 rast Leposaviq", është thënë në njoftimin e këtij Instituti.

Përgjatë 24 orëve të fundit, ky Institut ka thënë se janë kryer 324 teste për këtë virus.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, deri më tani në Kosovë janë regjistruar 860 persona të infektuar, 533 të shëruar dhe 26 të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG